Sigal

Dje u bënë edhe zgjedhjet për anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit. Në këtë proces ishin të pranishëm edhe përfaqësues të ambasadave dhe institucioneve të huaja të akredituara në Tiranë. Dritan Hallunaj dhe Brunilda Kadi, janë dy fituesit e parë për Këshillin e Lartë Gjyqësor, institucion që do të bëjë emërimet në drejtësi. Dy gjyqtarët vijnë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë. Ndërkohë, anëtarë për Këshillin e Lartë Gjyqësor janë zgjedhur Ilir Toska nga Gjykata e Apelit dhe Marcela Shehu, gjyqtare e Gjykatës së Kurbinit. Gjithashtu, pjesë e KLGJ-së, janë edhe gjyqtar Medi Bici dhe Brikena Ukperaj, të cilët janë emëruar automatikisht për shkak të mungesës së konkurrentëve. Bici vjen nga Gjykata e Lartë, ndërsa Ukperaj nga Gjykata e Apelit. Në garë për 6 vendet në KLP ishin 10 gjyqtarë. Një ditë më parë, u përzgjodhën 6 anëtarët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga radhët e prokurorëve, duke përmbyllur kështu formatimin e këtij institucioni me 11 anëtarë, 5 prej të cilëve janë përzgjedhur më herët nga radhët e shoqërisë civile. Me krijimin e këtij dy institucioneve pritet të krijohet struktura antikorrupsion e njohur shkurt si SPAK, e cila synon të paktën në letra të luftojë korrupsionin në nivelin e lartë politik.