Analizë/ Rama renditet hapur pro Vuçiçit dhe kundër Kosovës

275
Sigal

Edi Rama e ka kapërcyer ylberin. Më në fund ai ka marrë një qëndrim hapur për dialogun Kosovë -Serbi duke amnistuar plotësisht qasjen e mikut të tij Vuçiç dhe duke fajësuar palën kosovare për gjithçka që nuk shkon.

Akuzat e kryeministrit të Shqipërisë, do të konsideroheshin të rënda edhe për një intelektual të pavarur dhe jo më për një shtetar.

Në një reagim në Facebook, kundër komenteve negative që kanë shkruar shumë lexues kosovarë në drejtim të tij, ai e akuzon Prishtinën se e ka kthyer dialogun një një monolog patriotik, ai e kritikon atë se po i përdor bisedimet e Brukselit për politikën e saj të brendëshme.

Pra mëkatet e dështimit të dialogut Rama ia lë palës shqiptare (lexoi te nenvizuara me bold ne linkun poshte) gjë që tani më nuk e kanë bërë kaq qartë dhe kaq në mënyrë ekspilicite asnjë nga kanceraritë e SHBA dhe BE.

Madje ai shkon dhe me tej duke thënë se është prej 8 vitesh dëshmitar i humbjes së respektit të ndërkombëtarëve ndaj Prishtinës zyrtare.

Pasi thotë këtë kryeministri ngre edhe një pyetje: “A mundet të zgjidhet çështja e madhe e njohjes së Kosovës nga Serbia, duke e thelluar më tutje deformimin e madh disavjeçar tashmë në Kosovë, të bërjes së politikës së brendshme të Prishtinës politikë të jashtme të Kosovës dhe anasjelltas”?

E pikërisht tek kjo pyetje del qartë anësia e Ramës përkrah Vuçiçit. Sepse në fakt problemi i mosnjohjes nga Serbia nuk vjen për fajt të Kosovës, por për shkak të një qëndrimi të prerë të Beogradit, të zyrtarizuar dhe të afishuar ngado: për të mos e njohur kurrë atë që e konsideron ende si “krahinën e vet autonome”.

Le të thotë publikisht Rama se cila do të ishte mundësia që Serbia ta njihte Kosovën, përpos planit të ndarjes të mbështetur edhe prej vetë atij dhe po ta zbulonte atë, pastaj le të fajësonte Prishtinën se s’po di ta gjejë rrugën.

Por, duke e lënë barrën e mëkatit në anën e Shqiptarëve, duke qenë më i ashpër me Kosovën edhe se vetë SHBA e BE, kryeministri Rama ka zgjedhur anën e Vuçiçit.

Natyrisht ai nuk e bën kot këtë. Ai nuk do as të thithi mbi vete ofendimet e patriotëve dhe as të humbasi pikë mes shqiptarëve. Por ai ka tashmë një paln për të sunduar Ballkanin përkrah presidentit autokrat serb. Dhe për këtë i duhej një aleat kokëulur e i bindur në Prishtinë, mundësisht edhe i kërcënuar nga gjykata speciale e Hagës.

Që kur e humbi këtë shanc, që kur në Kosovë pushtetin e mori Albin Kurti, planet e Ramës u tronditën. Për një kohë të gjatë ai vuri në punë të gjithë makinerinë e tij të propagandës për të sulmuar Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin.

Tani, më në fund, doli hapur dhe vetë. Qëllimi i këtyre deklaratave që kritikojnë Prishtinën zyrtare dhe amnistojnë pozicionet intranzigjente të Beogradit në dialog, përbëjnë një strategji të menduar mirë. Ato duan të defaktorizojnë qeverinë Kurti në bisedimet e Brukselit dhe të krijojnë ndërkombëtarisht përshtypjen se Albini nuk është një partner i denjë.

Rama e ka kuptuar tashmë se qeverisja e VV është diga që i pengon planet e tij të përbashkëta me autokratin serb për të sunduar rajonin dhe zgjatur pushtetin e tyre. Prandaj ai ka filluar sulmet kundër atyre “që bëjnë monolog patriotik duke e përdorur atë për qëllime të politikës së brendëshme”. Dhe ai po e bën këtë pa pikën e gajles se, intersi personal i denigrimit diplomatik të Albin Kurtit po kryhet me çmimin e fajsimit të Kosovës në raport me një vend që as nuk ka ndërmend ta njohë me çfardolloj çmimi.