Koncesioni i Rinasit, PDIU: Në ditët e fundit të pushtetit, “Babloku” po përpin tokë, det, porte e aeroporte

166
Sigal

Pas presidentit të Republikës, edhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet del kjundër zgjatjes me 13 vjet të tjera të koncesionit për aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit.

PDIU mbështet vendimin e kreut të shtetit për të rikthyer në Kuvend ligjin në fjalë, i konsideruar prej tij anti-kushtetues.

Në ditët e fundit të pushtetit të tij, “babloku” po përpin tokë, det, porte e aeroporte për një grusht njerëzish, të cilëve ua shperndan sikur ta ketë “mallin e babës”, thuhet ndër të tjera në reagimin e PDIU.           


Reagimi i plotë i PDIU:

Zgjatja e koncesionit të Rinasit, akti korruptiv në kurriz të shqiptarëve

PDIU mbështet vendimin e Presidentit të Republikës për kthimin e Ligjit nr.16/2021, i cili ratifikon ndryshimin e marrëveshjes së koncesionit, ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Shoqërisë Koncesionare “Tirana International Airport” sh.p.k., “Për ndërtimin, vënien në punë, operimin dhe mirëmbajtjen e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Tiranë”.

Ky akt korruptiv, i cili shtyn me 13 vite pa asnjë procedurë konkurimi një koncesion që kishte afat edhe 6 vite të tjerë, në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit shqiptar, është simboli i babëzisë së ditëve të fundit që i kanë mbetur kësaj qeverie.

Grabitja arrogante që po i bëhet shqiptarëve, do të thotë bileta udhëtimi më të shtrenjta, më pak siguri të fluturimeve, më pak shërbime, ligje të shkelura nga qeveria për oligarkët dhe fonde të dyshimta për pushtetin në ditët e tij më të zeza.

Në ditët e fundit të pushtetit të tij, “babloku” po përpin tokë, det, porte e aeroporte për një grusht njerëzish, të cilëve ua shperndan sikur ta ketë “mallin e babës”.

I ftojmë shqiptarët të mos harrojnë që kanë përpara tyre njeriun, që ndërsa iu kërkon votën, iu fut dorën në xhep çdo ditë. Ndaj 25 prilli duhet të jetë dita për të votuar ndëshkimin e vjedhjeve, arrogancën dhe shtetin personal të Ramës dhe oligarkëve të tij.     

Ky nuk është më shteti i shqiptarëve, është shteti i Ramës dhe 5 oligarkëve që vjedhin çdo pasuri publike.