Komisioni i Venecias publikon opinionin për ligjin e Vettingut, ja çfarë thotë për gjyqtarët

428
Sigal

Komisioni i Venecias ka shpallur sot opinionin me saj për ligjin e vetingut, në të cilin thotë se nuk sheh cenim të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut kur bëhet fjalë për respektimin e jetës private të gjyqtarëve dhe prokurorëve të përcaktuara në ligjin e vetingut.

Një nga pesë pyetjet që Gjykata Kushtetuese i ka bërë Komisionit të Venecias lidhet me shqetësimin e ngritur nga opozita dhe gjyqtarët se ligji i vetingut cenon Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, për sa i përket respektimit të jetës private dhe familjare të gjykatësve dhe prokurorëve. Komisioni i Venecias nuk e shikon shqetësues faktin se prokurorët dhe gjyqtarët duhet të deklarojnë për të kaluarën e tyre kontaktet me persona të krimit të organizuar.

“Forma e përcaktuar në aneksin 3 të ligjit të vetingut kërkon që personi të deklarojë, nëse ka pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar dhe të listojnë këto kontakte. Qoftë edhe një kontakt i vetëm kërkohet për t’u deklaruar. Nuk do të ishte një detyrë veçanërisht e vështirë për të plotësuar këtë deklaratë, veç nëse ky është një gjykatës apo prokuror, kontaktet e të cilit me krimin e organizuar janë shumë të zgjeruara”, thuhet në dokument.

KATËR PYETJET

Duket se dokumenti ka të bëjë me materialin që do t’i paraqitet Komisionit të Venecias për t’u shqyrtuar dhe vendosur si opinion zyrtar i saj, të cilin si rregull Venecia e publikon menjëherë në faqen e saj zyrtare.

Nuk dihet se cili do të jetë opinioni i Venecias për katër pyetjet e tjera të adresuara nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në lidhje me ligjin e vetingut, nga i cili do të varet dhe vendimi që kjo gjykatë do të marrë për kërkesën e bërë nga deputetët e Partisë Demokratike dhe Unioni i Gjyqtarëve.

Më 22 Nëntor, Gjykata Kushtetuese la në fuqi pezullimin e zbatimit të ligjit të vetingut, të kërkuar nga deputetët socialistë, ndërkohë që i ishte drejtuar Komisionit të Venecias për një opinion rreth ligjit të vetingut.

Procesi i vetingut parashikon që korpusi aktual i gjykatësve dhe prokurorëve të kalojnë në një hetim të thelluar të aftësisë profesionale dhe të pastërtisë së figurës, përmes analizimit të aseteve dhe aktiviteteve të tjera ekonomike të tyre, proces që synon të pastrojë sistemin nga gjykatësit dhe prokurorët që rezultojnë me pasuri të pajustifikuara.