Basha: Të vendosur t’i heqim klaneve kriminale vendimmarrjen

436
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka marrë mbështetjen e drejtuesve më të lartë të institucioneve europiane dhe drejtuesve të partive e qeverive të vendeve anëtare, për iniciativën e Partisë Demokratike për dekriminalizimin. Basha ishte i pranishëm në Samitin e EPP-së që zhvilloi punimet në Madrid, ku zhvilloi disa takime me drejtues të partive pjesëmarrëse. Basha theksoi se ndonëse me ndihmën e Parlamentit Europian një vit më parë u arrit marrëveshja për dekriminalizimin, mazhoranca ka dëshmuar mungesë të theksuar vullneti për zbatimin e saj duke shkuar dhe më tej me kandidimin e personave me rekorde kriminale për kryetarë bashkish.
“Në të gjitha takimet që kam patur në Madrid me të gjithë përfaqësuesit e qeverive apo institucioneve europiane kam marrë mbështetje dhe përgëzime për qëndrimin tonë për sa i përket pastrimit të politikës shqiptare. Në radhë të parë të Parlamentit, por edhe të pushtetit vendor dhe qeverisë nga personat me rekorde të tmerrshme kriminale. Nuk ka njeri në Bashkimin Europian, në instancat vendimmarrëse që nuk e di, nuk e njeh problemin e madh që ka Shqipëria sot dhe që nuk i është bashkuar thirrjes tonë për zgjidhje të shpejtë të këtij problemi. Për fat të keq qeveria, ajo që e shkaktoi këtë problem, Edi Rama dhe partneri i tij Ilir Meta vazhdojnë me këmbëngulje të mbrojnë veprën e tyre, gjëmën e tyre të shëmtuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, inkriminimin e politikës. Siç është edhe rasti i fundit kur e refuzuan të heqin mandatin e Mark Frrokut, për të cilin ndërkohë ka nisur gjyqi në Belgjikë, siç refuzojnë një politikë të denjë dhe të pastër për qytetarët shqiptarë duke kandiduar persona me rekorde kriminale në zgjedhjet e fundit për kryetarë bashkish. Ne jemi te vendosur për kalimin e ligjit për dekriminalizmin dhe ç’është më e rëndësishmja implementimi i këtij ligji, nxjerrja e kriminelëve jashtë nga Kuvendi, jashtë nga zyrat e kryetarëve të bashkive të cilat fituan dhunshëm në zgjedhjet e kapura dhe të prishura të 21 qershorit, jashtë nga sferat e vendimmarrjes. Rikthimi i vendimmarrjes qytetarëve dhe jo klaneve kriminale që e kanë zaptuar për të rrjepur popullin, asetet publike, pasuritë publike dhe vendimmarrjen publike është misioni ynë”, tha Basha.
Sigal