INTERVISTA/ Prof. Dr. Sazan Guri: Institucionet shtetërore dhe prokuroria janë të kapura nga kompanitë naftëshfrytëzuese

1074
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Prof. Dr. Sazan Guri inxhinier nafte, ekspert ambientalist, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon, se institucionet tona shtetërore nuk monitorojnë ndotjen e tokës, të ujërave nëntokësorë, të ajrit nga ndotjet e gazrave të hidrokarbureve, po kështu edhe prokuroria, sepse janë të kapura nga kompanitë naftënxjerrëse, sa edhe analizat e laboratorëve, të cilat financohen nga këto kompani, japin tregues analize, pa u monitoruar nga institucionet shtetërore. Prof. Dr. Sazan Guri argumenton se banorët e zonës naftëmbajtëse kanë dendësi sëmundjesh nga 30 deri në 1.200 herë më shumë sesa banorët e zonave të tjera, dhe se jetëgjatësia e banorëve të zonave naftëmbajtëse është deri në 57 vjeç dhe këto janë pasoja të ndotjes së ajrit, tokës, ujërave nëntokësore nga derivatet e hidrokarbureve.

Profesor Guri sa të rrezikshme janë për shëndetin e njeriut, gazrat e naftës në zonat naftëmbajtëse?

Gazrat në zonën naftëmbajtëse, le të themi në Patos Marinzë duke filluar që nga Ballshi, janë zona ku punohet ose pastrohet shumë herë më mirë se para viteve 90. Ambientet mbahen më pastër, por problemi sot atje është, hedhja e gazrave që dalin nga hidrokarburet e lehta, të cilat dalin nga kaldajat e shumta që janë ngritur për të ngrohur të gjithë procesin e naftës së trashë, viskoze, që nuk mundet të transportohet drejt tubacioneve të saj. Dhe kjo naftë ngrohet me anë të kaldajave që ngrohin deri në 90 gradë, që të mund të transportohet në tubacione. Duke qenë se kemi këto kaldaja që punojnë me mazut, çlirimi nga kjo ngrohje e gazrave me sulfur hidrogjeni dhe squfuri që përmban nafta jonë, shkarkohen duke formuar oksidin e squfurit dhe më pas acidin sulfuror dhe acidin sulfurik, të cilët pasi shpërndahen në ajër bien drejt tokës, duke ndotur ajrin dhe tokën. Kështu rrezikohet shëndeti i banorëve. Çfarë ndodh sot me banorët e Marinzës dhe të Zharrësit? Sot kam biseduar me dhjetëra banorë të Marinzës dhe Zharrësit, të cilët kërkojnë të bëjnë matjen e karbonit në gjak, por doktori i familjes ose nuk është në gjendje, ose nuk dëshiron t’i përcjellë drejt spitalit.

6 banorët e sëmurë të Zharrëzit shkuan në spitalin rajonal të Fierit. Mjekët atje nuk u bënë analiza. Pse nuk u bënë këto analiza të gjakut banorëve që u helmuan?

Këto probleme shëndetësore u ndodhin më së shumti fëmijëve dhe të moshuarve, sepse ndotja e ajrit është e patrajtuar dhe flakja e gazeve dhe helmeve gjithmonë ndodh për shkak të kaldajave të shumta, por edhe për shkak të depozitave që grumbullojnë naftë, të cilat dikur kishin një oxhak, që e merrnin këtë gaz dhe përdorej nëpër familje për përdorim të brendshëm. Sot nuk përdoret, por gjithë gazrat e çliruara nga djegia hidhen në ajër. Dhe ky gaz është sulfurhidrogjen. Unë kam biseduar sot me me dhjetëra banorë dhe fëmijë që kanë temperatura të pashpjegueshme apo që kanë dhimbje koke si familje, të cilëve nuk u bëhet analiza e karbonit në gjak, sepse, nëse do të bëhej, ata do të rezultonin me një përmbajtje shumë të lartë të karbonit në gjak. Dhe për këtë arsye secili prej tyre mund të kërkonte si shtetas që të mos kthehej më në vendbanimin e tij, por të kërkonte një vendbanim të ri. Prandaj institucionet shtetërore nuk janë të interesuara të bëjnë analizat e gjakut banorëve të zonave naftëmbajtëse.

Pse heshtin institucionet përkatëse, si për shembull institucioni i shëndetit publik? Pse heshtin në këtë rast, sipas mendimit tuaj?

Unë nuk dyshoj, ky është fakti, që nga studimet që ne kemi bërë në 2012-2013, banorët e Marinzës dhe Zharrëzës dalin me mesataren më të ulët të jetëgjatësisë në të gjithë popullsinë shqiptare, 57 vjeç. Po të krahasojmë banorët e këtyre zonave naftëmbajtëse të Zharrësit dhe Marinzës me banorët që janë në fshatra të tjera pranë, mbrapa maleve, Kujanin etj., ku gazrat e naftës nuk shkojnë dot mbrapa maleve, por “flenë” përqendrohen në fushat e zonës naftëmbajtëse për 10 mijë banorë, të gjitha sëmundjet e zemrës, tensionit, gjakut, organeve të brendshme janë nga 30 deri 1.200 herë më të lartë. Pra, në qoftë se në zonën e Kujanit që është mbrapa malit, e ka 1 për 10 mijë këtë sëmundje, këto zonat naftëmbajtëse e kanë nga 30 deri në 1200 për banorë për 10.000 banorë, në shkallën e krahasimit. Pra, prania shumë e lartë e sëmundjeve tek banorët në zonën naftëmbajtëse shpjegohet dhe argumentohet me ndikimin që ka ndotja e mjedisit, e tokës, e ujërave mbi dhe nëntokësorë nga gazrat e hidrokarbureve.

Ju thatë se itensiteti i sëmundjeve është 30 deri në 200 ose 1200 për banorë. Instituti i Shëndetit Publik, Instituti i Mjedisit, nuk i ka këto të dhëna? A nuk ka mundësi t’i monitorojnë këto të dhëna, qoftë të sëmundjeve, qoftë edhe të ndotjes?

Në dijeninë time, Albpetrol dhe Bankers e monitorojnë situatën, por jam i bindur se në radhë të parë laboratorët tanë nuk janë të aftë dhe e dyta, mund të jenë të kapur dhe nuk tregojnë realitetin. Këto laboratorë janë të pavarur nga shteti dhe kontrollohen dhe paguhen nga kompanitë private, prandaj mund të ndodhë manipulimi i të dhënave. Nuk ka problem, që laboratorët mund t’i financojë kompanitë e naftëshfrytëzimit, por shteti ka mekanizmat shtetërorë që të kontrollojë saktësinë e analizave.

A i monitoron shteti ynë të dhënat e laboratorëve për ndotjen e mjedisit nga gazrat e hidrokarbureve?

Absolutisht, jo. Shteti i quan marrëdhënie private, të një laboratori shqiptar me kompanitë që e financojnë.

Por, laboratorët mund të japin të dhëna të analizave edhe të falsifikuara, nëse nuk kanë kontroll nga shteti?

Patjetër, patjetër, çfarë tjetër mund të presim dhe pretendojmë? Punët nuk mund të funksionojnë, siç veprojnë tani. Laboratorët duhet ta kenë dhe ta ndjejnë kontrollin e analizave të tyre nga institucionet shtetërore të specializuara! Këto probleme mund t’i dijë por nuk e ka mundësinë që të kontrollojë apo të bëjë survejime, megjithëse duhet t’i bëjë, se është një institucion shtetëror.

A i dinë këto të dhëna institucionet shtetërore, për densitetin e madh të sëmundjeve tek banorët e zonave naftëmbajtëse?

Institutet shtetërore, sikurse Instituti i Shëndetit Publik, nuk ka programe dhe projekte që të bëjë rilevime apo gjëra të tjera. ISHP-ja duhet të bëjë analiza, është institucion shtetëror.

Këto gazra që dalin në atmosferë, çfarë problemi mund të shkaktojnë për ujërat nëntokësorë?

Është e njëjta gjë, sepse gazet pasi bihen nga ajri precipitojnë në tok, dhe toka ia përcjell ujërave nëntokësorë. Ujërat nëntokësorë që janë afër sipërfaqes dhe janë toka të lehta, ranore dhe kjo strukturë e tokës ranore e shpërndan shumë shpejt ndotjen nga nafta, hidrokarburet, helmet, gazet, dhe këto e përcjellin ndotjen deri në Gjanicë, e cila derdhet në Seman. Kjo është arsyeja që sot në Seman nuk ka plazh, sepse të gjitha mbetjet e naftës derdhen në det. Dhe e gjithë zona, nga Ballshi, Disoka, Zharrësi, Marinza, Shiçishta në drejtim të vijës së Ngjalës dhe në drejtim të Gjallicës dhe në drejtim të Semanit, që shkarkon Gjallica, është zona nga më të ndoturat në Ballkan. Situata është më e mirë se para viteve 90, por prapë kemi të bëjmë, me mënyrën e plasjeve nëntokësore që bëjnë në puset naftënxjerrëse dhe shpërthime tërmeti që lindin nga përdorimi i forcave të mëdha nëntokësore shpërthyese. Kemi të bëjmë më një tërmet artificial njerëzor. Ndërsa mangësia e dytë është hedhja në ajër e ndotjeve që vijnë nga gazet dhe hidrokarburet, nga kaldajat e shumta që punojnë me mazut për ngrohjen e naftës së papërpunuar që sapo del nga nëntoka dhe duan ta bëjnë të trasportueshme në tubacione. Fakti që banorët e këtyre zonave naftëmbajtëse janë me sëmundje më të shumta se banorët e tjerë dëshmon, se sëmundjet vijnë nga ndotja e gazrave të hidrokarbureve. Më të ndjeshëm janë fëmijët dhe moshat e reja, në krahasim me moshat e tjera, që mund të jenë përshtatur, njëfarësoj ndaj ndotjes. Mosha e jetëgjatësisë të këtyre banorëve shkon deri në 57 vjeç, kjo moshë më e vogël në këto zona naftëmbajtëse është treguesi më kuptimplotë i pasojave të ndotjes me gazrat e hidrokarbureve.

Po produktet bujqësore dhe blegtorale që prodhohen në këtë zonë janë të infektuara?

Patjetër që po, sepse ne kemi vërtetuar me ndihmën e një biologu që gjethet e misrit, të pemëve frutore, frutat, perimet, por edhe produktet blegtorale të zonës Patos-Marinzë-Zharrës, kanë një ndryshim shumë të madh nga ato në një zonë tjetër pa hidrokarbure të naftës. Ndryshimi është shumë i madh, në formë por edhe në ngjyrë, edhe në përmbajtjet e produkteve bujqësore dhe blegtorale që prodhohen në tokën e ndotur në zonat naftëmbajtëse. Prandaj ekspozimi në këtë zonë i banorëve, i kafshëve është nga të gjitha anët, nga ujërat nëntokësorë, nga bimësia, nga fauna etj. Edhe uji që përdorin për ujitje, është i ndotur dhe ndikon paskëtaj në produktet bujqësore e blegtorale të prodhuara nga toka dhe kafshët e zonës naftënxjerrëse.

Prokuroria pse nuk vepron në raste të tilla ekstreme, kur edhe banorët ankohen se helmohen nga ndotjet e naftës në vendbanimet e tyre?

Institucionet shtetërore të monitorimit të ndotjes dhe prokuroria janë të kapura nga interesat e kompanisë naftëshfrytëzuese. Unë kam të drejtën legjitime të them, që një prokuror, të cilin nuk e di kush është, kur i është thënë që të merrte një grup ekspertësh për të bërë një ekspertizë për tërmetet artificialë që shkakton kompania naftënxjerrëse, nuk donte të merrte dy apo tre njerëz kompetentë për këtë çështje, duke i përmendur madje edhe emra konkretë të ekspertëve, për shembull emrat; e Sazan Gurit dhe Novruz Limajt, ndër të tjerë. Por prokurori merrte ata njerëz kompromistë me aktivitetin e kompanisë. Prokurori zbulohet lehtë kush është, është ai që ka ndjekur çështjet penale, të cilat lidhen me ndotjet në zonën naftëmbajtëse të Zharrësit dhe Marinzës. Prokurori, sa u përmend emri im, tha: “Jo, jo, nuk e duam për ekspert në gjyq, se na prish punë”. Tani, kuptoje vetë, çfarë donte të thoshte prokurori dhe ku i prishja unë punë prokurorit si ekspert dhe atyre, të cilëve, ndoshta ai do të mbrojë në çështjet penale që ai ndjek dhe heton.