Ylli Myftiu: Esad Pasha, tradhtar apo hero?

99
Sigal

Nga Ylli Myftiu-studiues

Pas përfundimit të Kongresit Kombëtar të Lushnjes, më 31 janar 1920 e kthimit të delegatëve në krahinat e tyre, u zhvilluan mbledhje e kuvende në të katër anët e Shqipërisë në mbështetje të qeverisë së re. Në krahinën e Gjirokastrës, mjaft të rrezikuar nga planet për copëtimin e Shqipërisë, vendimet e kongresit u pritën me interes të madh dhe gjetën mbështetje të menjëhershme. Në një letër dërguar anëtarëve të Këshillit të Lartë, Aqif pashë Elbasanit dhe Abdi Toptanit, populli i kësaj krahine i informonte për “ zhvillimin e një mbledhje të madhe që vendosi bashkimin e fatit të tij me qeverinë e re.” (1) Përfaqësues nga Gjirokastra, Tepelena, Këlcyra, Libohova, Përmeti, Erseka, Leskoviku e Delvina e njoftuan me shkrim prefekturën, se dëshira e popullit dhe vendosmëria e tij, ishte për mbështetjen e qeverisë së Tiranës. Në shumë krahina, bazuar në të drejtën zakonore e cila vazhdonte të luante rol të rëndësishëm në jetën shoqërore të shqiptarëve, filloi “lidhja e besës”  për të qëndruar të bashkuar e për të bërë çdo sakrificë për shpëtimin e atdheut. Përfaqësuesit  e popullit të Skraparit e të Tomoricës, të thirrur më 5 shkurt 1920 në një mbledhje të përgjithshme në Çorovodë deklaruan: “… të gjithë me një zë, bashkimin e fuqive morale e materiale me Kongresin Kombëtar në Lushnjë.”(2) Një ditë më vonë, në Shëngjergj të Tiranës, u krijua besëlidhja e krahinës me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të fshatrave dhe të institucioneve fetare. Në këtë kuvend u morën vendime të rëndësishme ku shprehej gatishmëria  për të ndihmuar e mbështetur qeverinë, sa herë që ajo të kishte nevojë. Në Shqipërinë e Mesme përfaqësuesi e Zall Herrit, Kasharit e Bastarit, i dërguan letra qeverisë ku theksohej se, “populli mbasi lidhi besë me pëlqim të përgjithshëm, aprovoi vendimet e Mbledhjes Kombëtare të Lushnjës.”(3) Të njëjtën mbështetje i dhanë Kongresit të Lushnjës dhe institucioneve të zgjedhura prej tij edhe mbledhjet e kuvendet e zhvilluara në Shqipërinë e Veriut dhe në qarkun e Korçës. Në këtë situatë të zjarrtë organet e larta të shtetit të zgjedhura në Lushnjë, iu përveshën punës për të rifituar pavarësinë, për të shpëtuar vendin nga copëtimi dhe njëkohësisht të ndërtonin një shtet me sovranitet të plotë. Qeveria dhe Këshilli i Lartë, pasi më 12 shkurt 1920 u vendosën në Tiranë duke e shpallur kryeqytet të përkohshëm, e nisën punën pa administratë shtetërore, pa ushtri, pa polici e mbi të gjitha me një arkë shteti që do të fillonte nga e para. Në programin e shpallur në Këshillin Kombëtar, qeveria i qëndroi besnik betimit të bërë para delegatëve të Kongresit të Lushnjës, se do të mbronte pavarësinë dhe tërësinë tokësore të atdheut, jashtë çdo kontrolli e protektorati të huaj. Gjithashtu hartoi një program të detajuar për ndërtimin e administratës dhe zhvillimin e brendshëm të shtetit shqiptar.

Fillimisht vendosi t’i jepte goditjen përfundimtare Qeverisë së Durrësit, e cila nuk pranonte të dorëhiqej. Ndërkohë pothuajse e gjithë administrata e kësaj qeverie ishte bashkuar me Qeverinë e Tiranës. Në një qarkore që ministri i brendshëm Ahmet Zogu i dërgonte popullit shqiptar në emër të qeverisë në datën 19 shkurt 1920, e vinte në dijeni për vendimet e shenjta të Kongresit të Lushnjës, të cilat po kundërshtoheshin nga Qeveria e Durrësit. E ndodhur ngushtë, pa asnjë përkrahje brenda vendit, e braktisur nga administrata e saj dhe nga protektorët italianë, ajo u detyrua të dorëzonte zyrtarisht pushtetin. Lajmin e gëzuar Qeveria e Tiranës ia bëri të ditur popullit me anë të një qarkoreje ku shkruhej : “Më 22 shkurt 1920, ditën e diel, qeveria e re vuni dorë gjithë zyrat qeveritare të Durrësit dhe me këtë mbaroi periudha e ndalimeve dhe u bashkuan të gjtha pjesët e Shqipërisë që më parë qenë lidhur me Durrësin.”(4: AQSH, Fondi MPB, Viti 1920, D. 14, F. 002 ).

Pikërisht këtë moment zgjodhi Esat Pashë Toptani për të filluar rebelimin në Shqipërinë e Mesme, me synimin e qartë për të rrëzuar Qeverinë e Tiranës. Që gjatë Luftës së Parë Botërore ai ishte vetëshpallur kryeministër i Shqipërisë dhe pas luftës pretendonte se i takonte atij të qeveriste vendin.

Kush ishte Esat Pashë Toptani që dilte para shqiptarëve dhe Fuqive të Mëdha, si kandidati i vetëm për të drejtuar Shqipërinë? Në historiografinë shqiptare për një kohë të gjatë, figura e tij është nxirë dhe kritikuar ashpër si e asnjë politikani tjetër. Publikut për shumë vite i janë servirur fakte që tregojnë dëmin e madh që ai i ka sjellë atdheut. Në ditët tona kanë filluar të shtohen zërat për ta parë nga një këndvështrim pozitiv Esat Pashën. E vërtetë e padiskutueshme është se pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ai do të shfaqej si një ndër faktorët politikë më të rëndësishëm në Shqipëri, në mos më i rëndësishmi. Karrierën politike e nisi në vitin 1908, kur u zgjodh deputet i Durrësit në parlamentin e Perandorisë Osmane. Në janar të vitit 1912 nën kryesinë e Ismail Qemalit, një grup deputetësh shqiptarë, midis të cilëve edhe Esat Pasha, organizuan një mbledhje të fshehtë në Stamboll. Ata vendosën “për të filluar një kryengritje të përgjithshme kundër sundimit osman në Shqipëri. Esat pasha u zotua se do t’i printe vetë Shqipërisë së Mesme dhe Mirditës”(5). Kryengritja nisi në Kosovë, në vatrën e rezistencës antiosmane. Shpejt përfshiu pothuajse të gjithë trojet shqiptare duke arritur fitore mbresëlënëse. Ndonëse Shqipëria e Mesme mori pjesë në kryengritje, Esat Pasha nuk u përfshi dhe qëndroi pasiv. Ai mbante gradën e gjeneralit në ushtrinë osmane dhe me fillimin e luftës ballkanike, në vjeshtën e vitit 1912, u dërgua në Shkodër me detyrën e zv\komandantit të ushtrisë osmane që mbronte qytetin nga sulmet e ushtrisë malazeze, që synonte pushtimin e Shkodrës me çdo kusht. Qeveria e Vlorës kërkonte që mbrojtja e Shkodrës të bëhej në emër të Shqipërisë së pavarur. Në një letër dërguar Esat Pashës, ajo “e ftonte ta bënte të pavdekshme jetën e kombit duke ngritur flamurin kombëtar”(6), por Shkodra gjatë 7 muajve të rrethimit të egër nga ushtria malazeze, e më pas edhe nga ajo serbe, u mbrojt vetëm me flamurin turk. Pas vrasjes tinëzare të komandantit osman Hasan Riza pasha, i cili dy ditë më parë e kishte pranuar kërkesën për ta vazhduar qëndresën me flamurin shqiptar, komandën e garnizonit e mori Esat Pasha. Në atë kohë u fol shumë se vrasja e Hasan Riza Pashës u organizua nga Esati, i cili e vazhdoi qëndresën, por me flamurin osman. Ai u detyrua t’ia dorëzonte Shkodrën Malit të Zi më 24 prill 1913. Këtu zënë fill akuzat për shitjen e Shkodrës dhe tradhëtinë e Esat Pashës ndaj atdheut. Por si qëndron e vërteta?  Së pari, mbrojtja e Shkodrës nën komandën e Esat Pashës vazhdoi edhe dy muaj pas vrasjes së Hasan Riza Pashës. Shkodra e rrethuar nga të gjitha anët, u dorëzua kur ushtrisë po i mbaronin municionet dhe rezervat ushqimore. Popullsia e qytetit të rrethuar për një kohë të gjatë, kishte mbetur pa ushqime dhe vdekjet nga uria shtoheshin dita-ditës. Së dyti, Konferenca e Ambasadorëve në Londër pas diskutimesh të gjata e të ashpëra, më 22 mars kishte caktuar kufirin me Malin e Zi dhe Shkodra me gjithë krahinën i mbetej Shqipërisë. Rezistenca e gjatë në Shkodër e kishte penguar Malin e Zi që t’i vinte Fuqitë e Mëdha para faktit të kryer. Kur ushtria malazeze hyri në Shkodër, fati i saj qe përcakEsat Pasha u largua nga Shkodra me forcat e armatosura që komandonte, i damkosur si tradhëtar nga një pjesë e madhe e nacionalistëve shqiptarë dhe i vlerësuar si hero nga një pjesë tjetër e shqiptarëve. Madje qëndresa në Shkodër i dha edhe famë ndërkombëtare. Ai u kthye në pronat e tij të shumta në Tiranë, me ambicien e madhe për t’u shpallur princ i Shqipërisë. Ky qëndrim alarmoi Fuqitë e Mëdha, të cilat synonin të sillnin një princ evropian në krye të shtetit shqiptar. Edhe më të shqetësuar ishin patriotët, që kishin shpallur pavarësinë, e cila ishte mjaft e rrezikuar nga qëndrimi i Esat Pashës. Ai, duke dashur që të ishte në krye të vendit, nuk e njohu Qeverinë e Ismail Qemalit. Nën presionin e Fuqive të Mëdha, premtoi se nuk do t’i sillte pengesa kësaj qeverie, se do t’i bindej një princi që do të caktonte Evropa dhe se nuk kishte fare ndërmend të shpallej mbret i Shqipërisë. Por a ishte i sinqertë në premtimet e tij, apo kjo ishte një taktikë për t’i hedhur hi syve dhe për ta vënë në gjumë qeverinë e Vlorës dhe ndërkombëtarët? Cili ishte qëndrimi i elitës politike dhe intelektuale të kohës ndaj figurës së Esat pashës? Kur përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha në Shqipëri ndërmjetësuan pranë qeverisë së Vlorës për bashkëpunimin e saj me Esatin, ministri Myfid Libohova, i indinjuar, u tha se, që “ të bashkëpunojmë me Esat Pashën, këtë hajdut ordiner, këtë njeri të pabesë dhe të dhunshëm as që mund të mendohet.(7 I. Ikonomi, Esat Pashë Toptani, Njeriu, Lufta, Pushteti, Tiranë, 2016, f. 123.)”

Miku i madh i shqiptarëve A. Herbert në takimin me Esat Pashën do t’i thoshte se “plani i tij për të krijuar turbullira të reja çon ujë në mullirin e Greqisë dhe Serbisë. Në letrën që i dërgoi ministrit të jashtëm britanik E. Grej ai e përshkruante Esatin si një njeri batakçi.(8).  Faik Konica nga ana e tij e quante “njeri të papërgjegjshëm, aventurier dhe njeriun e fundit që Shqipëria mund të zgjidhte si princ të saj”(9). Qeveria e Vlorës për hir të çështjes kombëtare bëri një hap të rëndësishëm prapa, duke i ofruar Esatit postin e ministrit të brendshëm, të cilin e pranoi në fillim të korrikut 1913. Nuk kaloi shumë kohë dhe Esati u shkëput nga Qeveria e Vlorës dhe më 12 tetor krijoi një qeveri të dytë shqiptare nën kryesinë e tij, të quajtur Pleqësia e Shqipërisë së Mesme. Me këtë veprim ai u dha një argument të fortë kundërshtarëve të pavarësisë së Shqipërisë, të cilët prej kohësh shpreheshin, se shqiptarët janë të paaftë për t’u vetëqeverisur. Kur Fuqitë e Mëdha  më 23 nëntor 1913 caktuan princin gjerman Vilhelm Vid për të qeverisur Shqipërinë, Esati bëri sikur ndryshoi qëndrim. Ai bëri deklarata besnikërie ndaj princit gjerman për të fituar besimin e tij. Koha tregoi që do të ishte Esati i pari që do t’i vinte shkopinj nën rrota qeverisjes së Vidit.

Shtetet e Antantës ishin fituese të luftës dhe Esat Pasha priste shpërblimin nga Konferenca e Paqes. Në fund të muajit mars, ai shkoi në Paris duke u bërë delegacioni i katërt shqiptar që mbërrinte në Paris. Ai u deklaroi gazetarëve se “ kishte ardhur për të kërkuar respektimin e të drejtave që u kishte dhënë shqiptarëve Konferenca e Londrës në vitin 1913… Nëse ato zmadhohen aq më mirë.(10).”Delegacioni i vetëm i ligjshëm për të përfaqësuar Shqipërinë, ishte ai i qeverisë së Durrësit i kryesuar nga kryeministri Turhan pashë Përmeti. Esati edhe me qeverinë e Durrësit veproi si me atë të Vlorës; nuk e njohu dhe bëri të gjitha përpjekjet që delegacioni i saj të mos pranohej në Konferencën e Paqes me pretendimin se ishte i paligjshëm. Ai ia doli që t’i paraqiste Konferencës një memorandum të gjatë ku në veçanti theksonte se,” ishte kryetar i qeverisë shqiptare, që rridhte nga vullneti i popullit (11)”. Se si e kishte shprehur populli vullnetin e tij, vetëm Esat Pasha e dinte. Shtetet e Antantës, aleat i të cilave ishte Esati, kishin firmosur më 26 prill 1915, Traktatin e fshehtë të Londrës, sipas të cilit Shqipëria do të copëtohej nga shtetet fqinje. Pas përfundimit të luftës, aleatët e dikurshëm nuk ia kishin më nevojën dhe përballë interesave të tyre, nuk përfillën kërkesat e Esat Pashës, madje i ndaluan edhe rikthimin në Shqipëri. Në këto rrethana esadistët në Shqipëri filluan të përhapin urrejtje ndaj Qeverisë së Përkohshme të Durrësit, duke i nxitur njerëzit të mos i bindeshin asaj dhe të mos paguanin taksa. Synimi i Esatit ishte që ta rrëzonte sa më shpejt këtë qeveri, e cila e kishte lënë jashtë dyerve të Konferencës së Paqes e mbi të gjitha jashtë pushtetit. Thirrja për një kuvend të ri kombëtar u mirëprit nga esadistët, të cilët synonin ta shfrytëzonin për interesat e tyre. Kjo vihet në dukje nga kujtimet e bashkëkohësve dhe nga historianë të ndryshëm që me sa duket bazohen në këto kujtime. Historiania ruse Nina Smirnova shkruante: “në kongres (të Lushnjes) dërgoi përfaqësuesit e tij edhe Esat Pashë Toptani, por duke u kufizuar fillimisht në detyrën e vëzhguesit (12).” Sipas Sejfi Vllamasit anëtar i organizatës “Krahu Kombëtar”, “në dhjetor 1919 Esat pasha nga Parisi u jep urdhër mbështetësve të tij në Shqipërinë e Mesme që të përkrahin Kongresin e Lushnjës (13).” Në kujtimet e tre delegatëve të Dibrës dhe Tiranës, tregohet se Osman Bali, krahu i djathtë i Esat Pashës në Shqipëri, mori përsipër t”i ndihmonte ata për të kaluar pa pengesa rrugën për në Lushnjë, por u bëri kërkesën “që të shtronin me këmbëngulje në Kongresin e Lushnjës, shpalljen e Esatit si president i Shqipërisë (14)”. Kuptohej qartë që esadistët kërkonin ta shfrytëzonin për interesat e tyre Kongresin e Lushnjës. Esadistët dhe delegatët e Kongresit bashkoheshin në një pikë; në qëndrimin ndaj qeverisë së Durrësit. Të dy palët kërkonin rrëzimin e kësaj qeverie. Por ndërsa lëvizja esadiste synonte të sillte në krye të pushtetit Esat Pashën, delegatët e Kongresit e konsideronin atë si njeri që kish bërë pazarllëqe me fqinjët në dëm të Shqipërisë. Kongresi i Lushnjës jo vetëm vendosi rrëzimin e Qeverisë së Durrësit, por nuk u mor fare me qeverinë e Esat Pashës dhe as e shtroi për diskutim idenë e pranimit të tij në organet e reja pushtetore. Esati gjithashtu kuptoi që pasi kishte kaluar më shumë se një vit, që Konferenca e Paqes vijonte punimet, përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha, nuk kishin ndërmend t’i kushtonin vëmendje kërkesave të tij. Në këto rrethana ai përsëriti të njëjtin veprim që kishte bërë ndaj Qeverive të Vlorës dhe të Durrësit, u kërkoi ithtarëve të tij në Shqipërinë e Mesme që të rebeloheshin për të përmbysur Qeverinë e Tiranës. Në momentet e vështira kur vendi kishte humbur pavarësinë dhe rrezikohej të ricopëtohej, Esat Pasha për interesa vetiake kërkonte ta fuste vendin në anarki. Rrëzimi i Qeverisë së Tiranës do të ishte me pasoja katastrofike për Shqipërinë. Në një njoftim për prefekturat, më 17 mars 1920, zv\ministri i punëve të Brendshme Eshref Frashëri, kërkoi prej tyre që “të veprojnë me energji kundër të gjithë elementëve antiqeveri. Në njoftim vihet në dukje se xhandarmëria kishte arrestuar një person “të cilit iu zunë disa letra dhe dy programe. Ato ishin kundër Qeverisë së Tiranës dhe theksonin se njihnin për president Esat pashë Toptanin (15)”. Kujtdo që cënonte interesat kombëtare, përmbante dënime të rënda dhe ishte i përkohshëm.” Në fillim të prillit bandat esadiste filluan veprimet e armatosura në zonën Durrës-Tiranë, duke e vënë në vështirësi serioze qeverinë. “Frika jonë ishte gjithmonë te Esad Pasha, shkruante Mehdi Frashëri, sepse ai rrinte në Paris, por me Shqipërinë e Mesme ndodhej në marrëveshje dhe atje kishte agjentët e vet e gjithë prestigjin e emrit të tij; sa për të holla e ndihmonte Serbia. Sidomos Tirana ishte foleja e tij, ku kurdoherë mund ta rrëzonte Qeverinë e Lushnjes (16 Qarkoret e MPB të vjetit 1920, Shkodër 1921, f. 21.)”.

Këshilli Kombëtar vendosi : Dërgimin e një komisioni në Paris për me marr vesh programin e Esat Pashës (17)”. Komisioni përbëhej nga katër persona, Bajram Fevziu dhe imzot Gjergj Koleci, imzot i Zadrimës, përfaqësues të qeverisë dhe Fuat Toptani  e Ymer Deliallisi nga ana e esadistëve. Nga bisedimet e zhvilluara në Paris nuk u arrit në një marrëveshje. Esat Pasha deklaroi se “nuk njihte qeveri tjetër veç të vetës dhe se nuk pranonte të punonte me Qeverinë e Tiranës, të cilën do përpiqej ta rrëzonte (18)”. Në një kohë kur qeveria e zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës kishte arritur suksese të rëndësishme për ngritjen e shtetit shqiptar, po bënte përpjekje të mëdha që Korça, e cila vazhdonte të ishte nën pushtimin francez, të mos binte në duart e shovinistëve grekë; që Vlora të çlirohej nga pushtuesit italianë e t’i bashkohej trungut të atdheut, Esat Pasha, ky njeri ambicioz për pushtetin personal, ishte gati t’i vinte zjarrin Shqipërisë. Pas kthimit të delegacionit në Tiranë dhe mospranimit të kërkesave të Esatit, esadistët u përgatitën për të sulmuar Tiranën.. Fitorja ishte e rëndësishme, por rreziku ishte shmangur përkohësisht. “ Sa ishte gjallë Esadi, Qeveria e Tiranës ishte në rrezik (19)”, shkruante Mehdi Frashëri. Për qeverinë ishte e qartë se pa u zhdukur fizikisht Esat Pashë Toptani, sukseset e arritura ishin gjithmonë të rrezikuara. Fshehtas, këtë mision e mori përsipër Avni Rustemi, që asokohe vazhdonte studimet në Romë. Më 13 qershor 1913 ai kreu atentatin në Paris duke ekzekutuar Esat pashën. Të gjitha dyshimet për planifikimin dhe organizimin e atentatit ranë mbi Qeverinë e Tiranës, por pa pasur asnjëherë prova konkrete. Më vonë Sejfi Vllamasi, një ndër aktivistët politikë të kohës do të shkruante: “Ky plumb bashkë me Kongresin e Lushnjes dhe luftën e Vlorës, determinoi shpëtimin e Shqipërisë” (20. Qarkoret e MPB të vjetit 1920, Shkodër 1921, f. 21).