Intervista e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, dhënë për emisionin “Studio e Hapur” në News 24 me gazetaren Eni Vasili

593
Sigal

Marrëdhëniet strategjike me SHBA, Vizita në Amerikë dhe zgjedhja e Donald Trump. Sorosiania Birn, OSBE, dekriminalizimi, koalicionet, zgjedhja e Presidentit, deputetët e inkriminuar dhe situata në Ballkan

Faleminderit që pranuat ta hapim bashkë këtë sezon, si një nga lojtarët më të mirë të shahut në politikën shqiptare! Jeni dakord?
Është një frymëzim që e keni zgjedhur vetë.
Një javë më parë në këtë studio disa nga analistët më të njohur të shtypit ranë dakord, të paktën për një gjë, është e vështirë të bien dakord, për faktin që njeriu i vitit sipas tyre ishte Ilir Meta dhe, nëse do ishte një ide, do të ishte konsensusi, ideja e vitit. A shikoni një lidhje midis tyre: Ilir Metës dhe konsensusit?
Unë shikoj një lidhje midis dëshirës së shumicës së qytetarëve shqiptarë për të pasur reformë në drejtësi, pra mbi 90 e ca për qind ka qenë vazhdimisht me aktin e ndryshimit kushtetues, ishte konsensusi. E shikoj si një domosdoshmëri dhe nuk e shikoj detyrimisht lidhur me emrin tim apo me emrin e kujtdo tjetër, ishte një domosdoshmëri, ku secili duhet të bënte detyrën e tij. Shpresoj ta kem bërë atë me sa kam mundur.
Vizita në SHBA
Do të doja të dija diçka më shumë për vizitën tuaj në SHBA. Është folur shumë vitet e fundit. Vizitat në Amerikë gjatë vitit 2016 nuk kanë qenë të pakta për ju. Çfarë ndodh? Ka ndonjë lloj flirti politik, ndonjë lloj dashurie që nuk e dimë?
Nuk bëhet fjalë as për flirt dhe për dashuri, bëhet fjalë për vitalizimin e mëtejshëm të një marrëdhënie, në radhë të parë midis dy vendeve. Të një partneriteti dhe aleance strategjike, aq më tepër në kushtet kur ka ndodhur apo po ndodh një ndryshim i rëndësishëm, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por mendoj në të gjithë botën me zgjedhjen e Presidentit të ri, Trump. Natyrisht është një vizitë që synon për të takuar shumë nga drejtuesit e Kongresit dhe të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një pjesë e të cilëve janë rizgjedhur apo janë zgjedhur për herë të parë në postet drejtuese, por edhe për të falënderuar zyrtarë të lartë të administratës aktuale me të cilët kemi bashkëpunuar. Sigurisht, edhe për të zhvilluar kontakte me zyrtarë të administratës së ardhshme në vijim të një raporti të konsoliduar, do të thosha jo vetëm midis dy vendeve, por edhe në raportin tim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili është shumë i hershëm.
Ju jeni përfaqësuesi më i lartë i maxhorancës apo koalicionit qeverisës në këtë ceremoni, në mos gaboj qeveria përfaqësohet me një ministër. A mendoni se do ndiheni në siklet po të kemi parasysh një lloj trashëgimie të dyshimtë për shkak të deklaratave të z. Rama në lidhje me zgjedhjen e Trump-it?
Unë besoj se ky është një debat, i cili është mjaft i tepërt, duke pasur parasysh, besoj, faktin që marrëdhëniet tona janë strategjike, nuk janë marrëdhënie midis individëve.
Së dyti, jam i bindur që Shqipëria do të vazhdojë të jetë një vend i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky raport edhe institucional, edhe strategjik do të thellohet dhe do të përforcohet më tej.
Për deklaratat e z. Rama, a mendoni se ishin të nxituara? A do të krijojnë terma afatgjatë ndonjë kosto, apo do të na duhet të presim për të gjitha këto?
Nuk mendoj se deklaratat do të krijojnë kosto. Për ne është e rëndësishme të demonstrojmë kapacitetet tona për të qenë partnerë të aftë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kohët e reja, sepse duket se do të kemi dinamika të reja. Z. Trump duket se është larg stilit burokratik.

Ju e besonit zgjedhjen e Trump-it si President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Pakkush në fakt do të vinte bast për zgjedhjen e tij…
Natyrisht që nuk ka qenë e lehtë për t’u besuar një gjë tillë, por pas fitores brenda Partisë Republikane, ku ishin emra mjaft të mëdhenj si Jebb Bush apo Cruz Rubio, Kristy e kështu me radhë, fitorja e tij ishte e lehtë brenda Partisë Republikane. Sigurisht që i rriste mjaft mundësitë e tij. Në fund fare, në Amerikë ka gjithmonë dy kandidatë; dukej qartë se Amerika kërkonte një ndryshim, dhe këtë ndryshim e gjeti tek natyra e z. Trump.
Box BIRN
Meqë jemi te mediat, BIRN, në një artikull investigativ deklaron se LSI-ja ka paguar për praninë tuaj në ceremoni. Ka diçka të vërtetë? Një kompani lobimi, sipas BIRN-it…
Nuk dëshiroj të merrem me mediat e Sorosit ose pranë Sorosit. Për këtë nuk jam duke investiguar, por Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë dhe mbetet gjithnjë një forcë mjaft transparente, e cila respekton ligjet shqiptare, në radhë të parë, ato amerikane dhe evropiane. Padyshim kushdo është i lejuar që të thellojë më tej investigimet në këtë drejtim.
Reforma zgjedhore duket se e ka përfshirë politikën në polemika ditët e fundit. OSBE-ja e ka kundërshtuar mundësinë e aplikimit të listave të hapura në zgjedhjet e 2017-ës, që ka qenë një propozim i LSI-së
Nuk dëshiroj të bëj debat në nivel ekspertësh dhe teknikësh me OSBE-në. Ne si Lëvizje Socialiste për Integrim kemi qenë për listat e hapura që në vitin 2008, dhe mendojmë se një nga fatkeqësitë e sistemit tonë është ky sistem zgjedhor, që praktikisht kufizon mundësinë e zgjedhjeve, u jep shqiptarëve më shumë mundësi të votojnë se sa të zgjedhin.

Zgjedhje të lira dhe të ndershme opozitat kanë kërkuar gjithmonë, apo jo? Edhe ju kur keni qenë në opozitë, edhe Partia Socialiste…
Unë mendoj se isha shumë i qartë, i balancuar. Bëra një vlerësim timin për gjendjen e opozitës, njëkohësisht e bëra të qartë që kjo nuk e ndalon opozitën dhe nuk ia heq të drejtën asaj për të kërkuar standarde më të larta të zgjedhjeve. Por të mos harrojmë se në zgjedhjet e vitit 2013 kur Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi se do të kalonte në opozitë, ju e mbani mend, Partia Demokratike në kundërshti me Kushtetutën hoqi përfaqësuesin, përfaqësues i propozuar nga LSI-ja, sepse ai ishte pa parti, në KQZ, për të pasur shumicën e qartë të KQZ-së dhe pastaj veprimi opozitar ishte tjetër.
A do të viheshit në krah të opozitës në këto kërkesa aktuale që ajo ka për reformën zgjedhore, siç iu vutë në krah për konsensusin e reformës në drejtësi?
Ne mbështesim çdo gjë që i intereson vendit. Vendit i interesonte vetëm reformë me konsensus në drejtësi, absolutisht asgjë tjetër. Ne u investuam për këtë gjë, nuk u investuam se thjesht këtë gjë e donte opozita, por sepse pa opozitën nuk do të kishte reformë në drejtësi, por do të kishte një konflikt për një kohë shumë të gjatë dhe asnjë lloj reforme nuk do të kishte këtu. Për një ligj Vetting-u, që nuk kishte të bënte me Kushtetutën, praktikisht ne e shohim që reforma u vonua për gati 5-6 muaj.
Koalicionet për zgjedhjet e 18 qershorit 2017
Meqenëse jemi tek opozita, kreu i opozitës, z. Basha, ka qenë kategorik kundër idesë së një koalicioni me LSI-në. A jeni edhe ju kaq kategorik, z. Meta?
Natyrisht, mua nuk më mbetet gjë tjetër veçse të bashkohem me përgjigjen e z. Basha. I lutem të mos e ngrejë kaq shumë zërin, sepse edhe më qetë mund ta kishte thënë këtë “jo”-në.
Edhe ju jeni për “jo, jo, jo” kundër idesë së një koalicioni me krahun opozitës?
Natyrisht, nuk ka asnjë arsye që ne të bëjmë një koalicion me PD-në.
Për të njëjtat arsye që e bëtë dikur…
Ne bëmë një koalicion pas zgjedhjeve, rrethanat kanë qenë të qarta dhe unë jam shumë i bindur edhe sot se ai koalicion ka qenë shumë i drejtë për kohën kur u bë dhe për objektivat që realizoi. Të mos harrojmë dy gjëra: liberalizimin e vizave, që ndodhi atëherë, dhe që nuk e dimë nëse do të ndodhte më vonë. Së dyti, të mos harrojmë që edhe statusin kandidat Shqipëria pothuajse e mori nëse do të ishin votuar në kohë tri ligjet, të cilat u votuan në fund të atij mandati.
Ju çfarë mendoni, a do të ishte mirë që të kishte një derë të hapur sidoqoftë dhe jo një ton kaq të fort me një “jo” kaq të madhe?
Unë mendoj se politika është pa asnjë diskutim shumë dinamike dhe shpesh edhe interesante kur është jo e parashikueshme. Ja, shikoni rastin fundit, zgjedhjet në SHBA.
Ju po thoni se nuk ka një ndryshim, edhe pse në dukje mund të duket sikur ka qenë një koalicion më i qëndrueshëm me z. Berisha?
Unë mendoj se edhe ky koalicion është i qëndrueshëm.
Z. Meta, pse duhet të presim patjetër muajin prill, është ideja? Ka një kuriozitet publik, jo vetëm politik, për fatin e koalicionit zgjedhor se ku do të bëjë pjesë LSI-ja ?
Nuk kemi filluar ende të shqyrtojmë idetë. Unë nuk mund të shprehem për diçka që nuk është vendosur, por besoj se diçka doli nga kjo studio, që koalicion me Partinë Demokratike nuk do të ketë dhe këtu kemi konsensus të plotë me z. Basha.
“I takon Ilir Metës të vendosë, nëse do të qëndrojë apo do të rimartohet djathtas”, ka qenë deklarata e Ramës diku në shtator ?
Absolutisht, martesa është vetëm për Monikën. Në politikë ka vetëm marrëveshje.
Ju, z. Meta, thoni se ende nuk e keni vendosur, por a është një opsion i mundshëm që LSI-ja të dalë e vetme në zgjedhjet e vitit 2017? Z. Rama mendon se PS-ja si forca më e madhe e të majtës mund t’i fitojë e vetme.
Është një gjë shumë e mirë dhe padyshim edhe z. Rama, edhe PS-ja janë sovranë në zgjedhjet e tyre, ashtu sikurse është edhe Lëvizja Socialiste për Integrim dhe çdo forcë tjetër.
Ju po mendoni të dilni vetëm dhe ta lini të fitojë vetëm PS-ja, siç mendon z. Rama që mund të fitojë vetëm?
E vetmja gjë që pata mundësi të mendoja dhe që besoj se do të ketë një konsensus edhe në LSI, është që të respektojmë konsensusin me z. Basha, për të mos pasur një koalicion me Partinë Demokratike. Për të tjerat ka kohë. Aktualisht, ka gjëra më të rëndësishme.
Në fakt edhe pjesëtarët e LSI-së, një deputete e LSI-së, e ka deklaruar që ndoshta do të ishte më mirë që LSI-ja të dilte e vetme në zgjedhje. Dje një ministër juaji në një studio televizive ka evokuar faktin që në disa zgjedhje LSI-ja ka dalë dhe ka konkurruar e vetme.
Dëshiroj ta mbyll këtë histori duke thënë se LSI-ja do të marrë një vendim më të mirë në kohën e duhur, pa u imponuar nga askush përveçse nga interesi i vendit, i stabilitetit të tij, i standardit të zgjedhjeve që duhet të arrijë

Presidenti

A mos vallë pjesë e negocimit për koalicionin e ardhshëm zgjedhor, që janë edhe negociata normale midis palëve politike, do të jetë zgjedhja e Presidentit? Është emri i Presidentit pjesë e negocimit nëse do të jeni ose jo me PS-në në zgjedhjet e ardhshme në koalicion?
Kjo nuk është çështja më e rëndësishme. Më e rëndësishme është që vendi të ketë një President me integritet, në mënyrë që të jetë një përfaqësues i respektuar dhe i gjithëpranuar. Për ne çështja e emrit nuk është çështje negocimi. Ne një emër që na bind, e votojmë. Një emër që nuk na bind, nuk e votojmë.
Ju do të kërkoni që ky emër të jetë i propozuar nga LSI-ja, pra që Presidenti i ardhshëm të jetë i LSI-së?
Kjo nuk është gjë e rëndësishme për ne. E rëndësishme është që Presidenti i ardhshëm të mos jetë kukull i askujt.
Z. Meta, në një linjë të përgjithshme, ju mendoni se qytetari shqiptar i vitit 2013, sot në viti 2017 është më mirë apo më keq?
Unë mendoj se situata mund të ishte më e mirë. Pa dyshim, nuk ka asnjë diskutim që në raport me vitin 2013 situata është shumë më pozitive.
Ju keni deklaruar se kriminalizimi, si pasojë edhe dekriminalizimi nuk janë një problem i LSI-së, por faktet u treguan kokëfortë, treguan diçka tjetër. Cili është qëndrimi për deputetin tuaj, z. Meta?
Sigurisht që nuk është një problem i LSI-së për arsye se Lëvizja Socialiste për Integrim e ka votuar me bindje të plotë këtë ligj. E mbështet 100% dhe jo thjesht për ata të cilët preken nga ky ligj dhe që mund të jenë anëtarë të PS-së, PD-së ose partive të tjera, por edhe të LSI-së. Ne mbështesim zbatimin e këtij ligji. Për ne nuk ka asnjë rëndësi se kush është dhe i kujt partie është, a është i LSI-së, a është i PD-së, a është i PS-së, apo i çdo force politike. Ky është një standard i pa negociueshëm për ne.
A mendoni se është kosto për ju fakti që z. Selami e pati këtë problem? E quani një zgjedhje të gabuar?
Nuk është kosto.
Kandidatët me precedent PENAL
Në një intervistë televizive z. Selami duket sikur ju ka atakuar. Ka deklaruar se në zgjedhjet lokale të vitit 2015, Meta preferoi Vorën në vend të Vlorës. Pati disa deklarata që kishte pakënaqësi ndaj jush…
Mua nuk më rezulton kështu. Mesazhi i fundit i tij pas hetimit të KQZ-së është për besnikëri të përjetshme ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim.
E dyta, e kam lexuar në gazetë, se nuk e kam parë në emision. Kjo më duket si bejte Vora-Vlora, sepse nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. I vetmi person që ka kërkuar ose që më ka kërkuar mua të kandidojë për Vlorën ka qenë vetëm z. Selami dhe askush tjetër nuk më ka kërkuar, as nuk kam pranuar që z. Selami të jetë kandidat për Bashkinë e Vlorës.
Pra, nuk ka qenë asnjëherë një çështje për shqyrtim Vlora, përveçse kërkesa e vetme e…?
Ka qenë i vetmi që ka shprehur një kërkesë. Ndoshta ka parë ndonjë ëndërr që dikush i ka premtuar ose kërkuar që të kandidojë për Vlorën, përveç vetes së tij.
Ju po thoni që nuk keni pasur ndonjë negociatë, për shembull, me z. Rama për Vlorën si bashki e të tjera?
Sigurisht që jo, se z. Rama është edhe kryedeputeti i Vlorës dhe jo vetëm për z. Selami, por edhe për këdo tjetër ai do ta kishte të pamundur t’i justifikohej Partisë Socialiste që të linte Vlorën. Unë e di që ai ka shumë simpati për z. Selami dhe mund t’i besonte edhe Tiranën, por Vlorën nuk e besoj.
Një simpati e z. Rama, por kemi në këtë moment një deputet që është, le ta quajmë, një nga viktimat e para të dekriminalizimit. A mund ta quajmë kështu?
Ne nuk mund ta quajmë viktimë. Çdo deputet, i cili mendon se ka një problem, duhet të tërhiqej që në momentin që u miratua ligji. Kështu që nuk mund të flasim për viktima. Ligji do të zbatohet dhe askush nuk ka pse të ndihet viktimë.
Si Kryetar i Kuvendit, mendoni se ka ende deputetë të tjerë, të cilët do t’i shohim përpara prokurorisë dhe KQZ-së?
Këto i di Prokuroria. Për mua, edhe 140 po të jenë, duhet të ikin nga parlamenti dhe të vijnë të tjerë, kjo nuk ka asnjë rëndësi.

Ballkani dhe politika globale
Z. Meta, a e keni ndjekur debatin për trenin serb? Mendoni se ka rrezik për rikthimin e konflikteve në zonën tonë?
Pa dyshim që ka mjaft rrezik! Ky rrezik që ka të bëjë me marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe u duk qartë që në insistimin e Serbisë për ekstradimin e z. Haradinaj, do të ishte një veprim destabilizues për rajonin, pasi z. Haradinaj nuk është qytetar i Serbisë, por është qytetar i Kosovës.
Pra, kemi një Ballkan thuajse të ndezur?
Patjetër që kemi një Ballkan të ndezur dhe le të shpresojmë që presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të angazhohet për një stabilizim afatgjatë edhe të këtij rajoni, natyrisht në bashkëpunim edhe me Bashkimin Evropian.
Ndërkohë që ka analistë që thonë se është pikërisht zgjedhja e Trump-it që e frymëzon në një farë mënyre Serbinë, Rusinë, një aleancë ndryshe nga ajo që jemi mësuar deri tani në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pikërisht për këto ngjarjet që kanë ndodhur në Serbi…
Unë nuk e besoj këtë. Këto janë media më shumë të porositura sikurse janë edhe mediat në Amerikë, sepse kudo demokracia ka orientimin e saj. Presidenti Trump, në drejtim të politikës së jashtme duket që tenton disa risi…
Për shembull, thotë që NATO-ja është e panevojshme, është deklaratë që ka shqetësuar…
Unë nuk e shikoj ashtu, por e shoh ndryshe dhe do të doja të më linit të shpjegohesha pak. Një nga politikanët më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara në fushën e politikës së jashtme është Kisinger-i dhe kushdo që i ka ndjekur mendimet dhe vlerësimet e tij për politikën e jashtme gjatë viteve të fundit për shqetësimet kryesore me të cilat ndeshet edhe politika amerikane, edhe në Lindjen e Mesme, edhe në Ukrainë apo Europë apo në nivel akoma më global, shikon se në disa çështje themelore ka një përputhje midis vijave kryesore të politikës së jashtme të Trump-it dhe disa nga konceptet kryesore gjeopolitike apo gjeostrategjike të Kisinger-it.