Hetimet e SPAK në 3 vite, sterilizimi dhe inceneratorët rekord abuzimesh, zyrtarët e lartë shpëtojnë!

21
Sigal

INFO

-Për 3 koncensionet, SPAK mori nën akuzë 30 zyrtarë dhe biznesmenë të kompanive, që kryen punime për inceneratorët.

-Të dhënat e marra zyrtarisht nga Gjykata e Posaçme, tregojnë se prej 2020-s janë dënuar 51 persona për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera .

– Në 25 tendera, koncensione apo investime të tjera publike u gjetën prova për akuzën e abuzimit me detyrën, të lidhura me korrupsionin, apo konflikt interesi, për periudhën nga 2020-a deri në nëntor 2023

Ish -zëvendësi i tij në burg, edhe Beqaj akuzohet për “Shpërdorim detyre”, por nën një masë më të lehtë sigurie, detyrim për t’u paraqitur”Për dosjen e sterilizimit100 milionë dollarë. Dy ish drejtuesit kishin njohje me biznesmenin Ilir Rrapaj para dhënies së koncensionit për sterilizimin e pajisjeve spitalore.

Telegraf.al / Spak, deri në nëntor të vitit 2023, ka shqyrtuar 25 dosje. Tenderat abuzive apo edhe koncensione ku dëmi në buxhetin e shtetit është i madh, janë disa nga çështjet e nxehta që kanë vënë para drejtësisë kryetarë bashkish, tre ish ministra, deputetë e sipërmarrës. Faktoje ka sjellë të dhëna mbi çështjet kryesore të një prej institucioneve kyçe të drejtësisë në vend.

Në 25 tendera, koncensione apo investime të tjera publike u gjetën prova për akuzën e abuzimit me detyrën, të lidhura me korrupsionin, apo konflikt interesi, siç ilustrojnë të dhënat zyrtare të Prokurorisë së Posaçme, për periudhën nga 2020-a deri në nëntor 2023, (të dhënat u morën zyrtarisht nga SPAK nëpërmjet kërkesave për informacion.

Bazuar në këto të dhëna, rezulton se në 3 vite SPAK kërkoi pararaburgim dhe masa të tjera sigurie për 69 zyrtarë apo ish zyrtarë publikë dhe sipërmarrës për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, shkeljes së barazisë në tendera, apo vepra të tjera, që lidhen me këto çështje.

Ne vendosëm të analizojmë rezultatet e hetimeve të SPAK pikërisht për dosjet e tenderave dhe koncesioneve, të bëra publike edhe në media meqë shumat e parave, që përkthehen në humbje për taksapaguesit, janë goxha të majme dhe domethënëse edhe për buxhetin e Shqipërisë.

Referuar këtyre të dhënave rezulton se koncensionet, tenderat apo investimet publike që po heton SPAK, janë shpallur apo fituar kryesisht në periudhën 2013-2019. Kjo periudhë përkon me mandatin e parë dhe gjysmën e mandatit të dytë të qeverisjes së Partisë Socialiste. Disa prej dosjeve kanë përfunduar nga SPAK në limite të parashkrimit të veprave penale për shkak të viteve që kanë kaluar, siç ndodhi me dosjen e ashtuquajtur të Sterilizimit për akuzën e “Shkeljes së barazisë në tendera”.

Referuar Kodit Penal, shkelja e barazisë në tendera dënohet gjer në 3 vite burg. Sipas institutit të parashkrimit të veprave penale, neni 66, parashikon se nuk mund të vazhdohet ndjekja penale, nëse nga kryerja e krimit deri në marrjen e personit nën hetim kanë kaluar 5 vjet. I njëjti nen gjithashtu ka të parashikuar për të gjithë kategorinë e veprave penale, se sa është koha gjatë së cilës, drejtësia duhet të vërtetojë implikimin e një personi dhe ta marrë atë të pandehur.

Odiseja e Sterilizimit, nga tenderi tek hetimi i SPAK …

Koncensioni për sterilizimin e mjeteve kirurgjikale u dha në muajin dhjetor të vitit 2015 dhe kaloi në duar të dy prokurorive, pas denoncimit nga opozita.

Fillimisht dosja shkoi në zyrat e Prokurorisë së Tiranës, e cila pas disa veprimeve hetimore, e pushoi çështjen në vitin 2016. Pushimi i çështjes u argumentua në atë kohë se nuk kishte fakt penal dhe nuk kishte ishin konfirmuar abuzime në procedurat koncensionare.

Në 2019 dosja e sterilizimit ishte ndër të parat që u depozitua në SPAK nga shoqëria civile ndërkohë që në fillim të 2020-s Faktoje verifikoi se koncesioni rezultonte një shpenzim luksi që as shtete të BE nuk e praktikonin. Në atë kohë zëvendskryeministri Arben Ahmetaj deklaronte se ky koncesion kishte ulur infeksionet spitalore, por kjo rezultoi e pavërtetë dhe me qëllim propagandimin e suksesit të koncesioneve.

Në vitin 2021 SPAK mori në shqyrtim çështjen dhe në nëntor 2023 mori të pandehur ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Gjykata e Posaçme, caktoi 8 masa sigurimi, mes të cilëve për ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmenin, Ilir Rrapaj, për koncensionin me vlerë rreth 100 milionë dollarë të sterilizimit të pajisjeve mjekësore.

Ashtu si ish zëvendësi i tij që ndodhet në paraburgim, edhe Beqaj akuzohet për “Shpërdorim detyre” por nën një masë më të lehtë sigurie, detyrim për t’u paraqitur”.

Thelbi i akuzave të ngritura nga SPAK ndaj ish zyrtarëve të lartë për dosjen e sterilizimit, lidhet me konfliktin e interesit, sepse dy ish drejtuesit e Ministrisë, kishin njohje me biznesmenin Ilir Rrapaj para dhënies së koncensionit për sterilizimin e pajisjeve spitalor.

Në vendimin e Gjykatës së Posaçme, gjyqtari i hetimit paraprak Erion Bani, u përqendrua tek paracaktimi i fituesit të koncesionit dhe kërkoi nga SPAK të shtrijë hetimet mbi pasurinë e ish zyrtarëve të lartë. Gjyqtari bëri edhe një lëvizje tjetër përmes vendimit, ku kërkoi që në përfundim të hetimeve paraprake, kopja e tij t’i dërgohej Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Konflitit të Interesit, ILDKPKI, në mënyrë që të shpallte të pavlefshme kontratën koncesionare.

“Si kontratë administrative është e pavlefshme, sa kohë është marrë në kushtet e konfliktit të interesit, si dhe në kushtet e kryerjes së disa veprave penale. Nga një veprim i paligjshëm që ngrihet në nivelin e një vepre penale nuk mundet kurrsesi të vijnë interesa të ligjshme.”, argumentoi Gjyqtari Erion Bani në vendim.

Dosja e Inceneratorëve

Në mars 2023, Prokuroria e Posaçme me lejen e gjykatës ushtroi kontrolle në banesën e bashkëjetueses së ish zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj. Këto veprime konfirmonin më në fund zërat që qarkullonin prej muajsh se Ahmetaj ishte nën hetim. Akt ekspertimi në kompjuterin që i përket Klodian Zotos, biznesmen i shpallur në kërkim dhe të dhënat në telefonin Blackberry, që i përket Ahmetajt, vërtetojnë sipas SPAK lidhjen e ngushtë mes të dyve. Si argument shtesë për SPAK ishte edhe hetimi pasuror që konfirmonin lidhjen e ngushtë të tij me biznesmenin tjetër në kërkim për llogari të dosjes së inceneratorëve, Mirel Mërtiri.

Në bazë të këtyre veprimeve hetimore, prokurorët e posaçëm në korrik 2023 kërkuan arrestimin e ish zyrtarit të lartë, për korrupsion, mosdeklarim të pasurisë dhe pastrim parash.

Miliona euro dyshohet se u vodhën nga abuzimi me detyrën i zyrtarëve të lartë (që nuk kufizohen vetëm) në Ministrinë e Mjedisit dhe 3 bashkitë respektive, për koncensionet e inceneratorëve në Tiranë, Elbasan dhe Fier. Skema e vjedhjes së parave dhe dhënies së ryshfetit ishte e njëjtë në dy koncensionet e Fierit dhe Elbasanit, sipas hetimeve. Edhe pse gjeneza e hetimit të Arben Ahmetajt lidhet me dosjen e inceneratorit të Elbasanit, hetuesit nuk kanë ngritur deri më tani dyshime për përfshirjen e tij në procedurat e këtij koncensioni.

SPAK argumenton se në rastin e Elbasanit, për favorizimin që i ka bërë kompanisë “Albtek Energy” sh.p.k për fitimin e koncensionit, ish ministri Lefter Koka, ka marrë ryshfet mbi 308 milionë lekë. Vlerat monetare u morën sipas një skeme me fatura fiktive, që disa kompani të lidhura me ish-ministrin kishin lëshuar për kompaninë koncensionare, një skemë e ngjashme sipas Prokurorisë edhe me inceneratorin e Fierit. Për këtë konçesion, hetuesit llogarisin se ish-ministri ka përfituar 146 milionë lekë.

Edhe në koncensionin e inceneratorit të Tiranës, dy biznesmenët, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët qëndrojnë pas kompanisë fituese (sipas SPAK), kanë përdorur të njëjtën skemë si në rastet korruptive të dy inceneratorëve të tjerë. Në njoftimin zyrtar, SPAK thotë se dy biznesmenët me anë të faturave fiktive të lëshuara nga njëra kompani për tjetrën, që kishte fituar koncensionin, kanë përfituar 409,428,000 lekë. Referuar dosjes hetimore me të cilën është njohur Faktoje, një pjesë e këtyre parave janë tërhequr cash dhe janë nxjerrë jashtë vendit.

Për 3 koncensionet, SPAK mori nën akuzë 30 zyrtarë dhe biznesmenë të kompanive që kryen punime për inceneratorët. Disa prej tyre, siç ishin ish ministri Lefter Koka, ish deputeti Alqi Bllako, ish zv.kryeministri Ahmetaj, etj.

Tenderi i uniformave pa cilësi për policët

9 zyrtarë të ministrisë së Brendshme u dënuan nga dy shkallë të gjyqësorit për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit me vlerë 2,8 miliardë lekë. Referuar hetimeve, zyrtarët që ishin pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin në bashkëpunim me Edlira Naqellarin, drejtoreshë e Blerjeve të Përqendruara, krijuan avantazhe edhe në kualifikimin e bashkimit të subjekteve juridike të shpallura fituese. Nga ana tjetër çmimi i uniformave, sipas Prokurorisë ishte i lartë dhe nuk e justifikonte cilësinë e veshjeve.

Kryebashkiakët me të hetuarit

Hetimet e SPAK gjatë këtyre 3 viteve të fundit, shënjestruan kryesisht pushtetin lokal, duke çuar para drejtësisë, kryesisht zyrtarë në rangun e kryebashkiakut. I pari që ra në pranga, ishte kryetari i bashkisë Lushnjë, Fatos Tushe. Ai u dënua në dy shkallë të gjyqësorit se kishte shpërdoruar detyrën duke favorizuar të njohur të tij në tendera të Bashkisë dhe në raste të tjera sporadike. Tushe u përgjua për një periudhë nga Prokuroria para se të arrestohej.

Ndërkohë, një tender me vlerë disa miliona lekë për ujësjellësin e qytetit, çoi në pranga kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla. Sipas SPAK, nga hetimet rezultoi se ky tender ishte fituar për shkak të njohjes së afërt mes Allës dhe fituesve. Pretendimet e Prokurorisë u konfirmuan të drejta nga Gjykata e cila në fund të dhjetorit 2023 dënoi ish-kryebashkiakun e Bulqizës me 2 vite burg dhe shpalli fajtor edhe ish vartësit e tij. Në raportin e vitit 2022, SPAK thotë se gjatë periudhës 2020- 2022 ka hetuar gjithsej 24 procedime penale me 25 persona në hetim, ndaj ish-zyrtarëve të nivelit të lartë.

Ndër to ka dërguar për gjykim 2 ish deputetë, 1 ish zëvendësministër dhe 4 ish kryebashkiakë, pjesa tjetër e personave nën hetim i përkasin sistemit të drejtësisë apo institucioneve të reja të drejtësisë si Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), apo Komisioni i Posaçëm i Apelimit (KPA).

Zyrtarët e lartë shpëtojnë! Nuk kanë kompetenca direkte tek procedurat…

Të dhënat e marra zyrtarisht nga Gjykata e Posaçme, tregojnë se prej 2020-s janë dënuar 51 persona për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera dhe mes tyre është zyrtari i lartë, ish kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe. Këto të dhëna nuk përfshijnë dënime të dhëna gjatë vitit 2023.

Gjatë vjeshtës 2023, Gjykata e Posaçme dha vendim për dy dosje të inceneratorëve, duke gjetur fajtor ish ministrin Lefter Koka dhe ish deputetin Alqi Bllako, të dy në rang të lartë zyrtarësh, ndaj të cilëve akuza u shtri përtej shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera.

Arsyeja përse në rrjetën e drejtësisë përfundojnë ‘peshqit e vegjël’ dhe rrallë ose asnjëherë ‘peshqit e mëdhenj’, është se zyrtarët e lartë nuk kanë kompetenca direkte tek procedurat, siç argumenton juristi Elis Bilali:

“Arsyeja pse merren të pandehur nënpunës publikë të nivelit të ulët dhe të mesëm është, sepse përgjegjësia e tyre penale është lehtësisht e verifikueshme. Kryesisht mbështetet në akte shkresore, dokumente. Është ligji organik që parashikon në mënyrë të detajuar, procedurën dhe kompetencën e vendimmarrjes së organeve publike dhe shpeshherë zyrtarët e lartë nuk kanë kompetenca në procedurat administrative të ndërmarra.“