Jovan Bizhyti: Xha Pilua, ciceroni i parë i Muzeut Arkeologjik të Apolonisë

20
Sigal

Telegraf.al / Duke vizituar qytetin antik të Apolonisë së lashtë dhe Manastirin mesjetar të tij, nuk ka si të mos shkoj ndërmend, Xha Pilua (Pilo Samarxhiu), ciceroni i parë i muzeut arkeologjik të këtij qyteti me vlera historike të ankititetit të periudhës parahistorike.

Kanë kaluar në heshtje 50 vjet, që ky personazh i njohur publik nuk jeton më, por brezat e dekadave në gjysmën e parë të shekullit të XX-të, e sjellin ndërmend atë intelektual të përkushtuar ndaj vlerave antike të Apolonisë, një patriot dhe njeri i kulturuar me 4 gjuhë të huaja (greqisht, anglisht, frengjisht dhe italisht), zotëronte dhe vllahishten, gjuhën e nënës, si pjesë e komunitetit vllah me prejardhje nga Grabova, pas shkatërrimit e djegies së atyre trevave nga fundi i shekullit të XVIII-të dhe strehuar në Myzeqe. Pojani ështe një nga fshatrat myzeqarë, ku jeton një komunitet i gjerë vllehësh të vendosur në qendër të fshatit.

Pilo Samarxhiu lindi në vitin 1889 në fshatin Pojan të Fierit, që shtrihet nën kodrën e gjelbëruar me shkurre e ullishte të qytetit antik të Apolonisë. Arsimin fillorë e deri ciklin e lartë të gjimnazit, e kreu në gjuhën greke në shkollën pranë Manastirit mesjetar të Apolonisë. Në vitin 1919, në moshën 30 vjeçare, emigroi në Amerikë, në New York, ku qëndroi 7 vjet, deri në vitin 1926. Pas kësaj, u kthye sërish në fshatin e tij në Pojan, ku u morë veç të tjerave dhe me bujqësi.

Në vitin 1929, filloi punë si kryepuntor në misionin arkeologjik francez të drejtuar nga arkeologu Leon Rei, që punonin prej vitit 1924 në zbulimin e vlerave antike nëntoksore të Apolonisë. Gjatë viteve që punoi pranë këtij misioni, Xha Pilua arriti të përvehtësonte dhe gjuhën frënge. Në këto vite, ai u njoh dhe u miqësua me  Leon Rein, arkeologun francez që nguli kazmat e para për zbulimin e qytetit të lashtë Ilir të Apolonisë.

Qyteti i Apolonisë, u themelua në vitin 588 para Erës Sonë, në territoret e fisit Ilir të Taulantëve. Ky qytet, me një qytetrim të nivelit të lartë ekonomik e kulturor, kishte një autonomi politike në organizimin e qeverisjes së bashkësisë qytetare nën Perandorinë Romake, ku dallohej për një nivel zhvillimi jo vetëm ekonomik, por dhe të arsimit, kulturës dhe artit, ku në shkollën e Apolonisë, kishin mësuar mjaftë dijetarë e filozofë të kohës si, Augusti, Ciceroni e tjerë. (Gazeta  Shqiptare, 4 janar 1930). Një tërmet i fuqishëm në shekullin e IV-të pas Krishtit, e rrënoi totalisht këtë qytet të lashtë, duke fundosur nën tokë gjithë atë qytetrim të tij. Nga ajo kohë dhe popullata e mbetur, u shpërngul për t’u vendosut në zona të tjera të Myzeqesë.

Shekuj më pas, mbi ato themele të atij qytetrimi të lashtë, u ndërtua Manastiri i Apolonisë, me kishën e Shën Marisë, që i përket shekullit të XIII-të të e.s. Në një mbishkrim, në krahun e majtë të faqes perëndimore të kishës, është e shkruar në greqishten e vjetër një pllakë guri ku thuhet: “Ky manastir u ndërtua nga Perandori Bizantin, Androniku i II-të Paleologu, i biri i Mihalit të VIII-të Paleologu, që luftoi dhe fitoi kundër Anzhuinëve të Napolit në vitet 1268-1281”.

Poshtë mbishkrimit, është zagrofuar dhe familja perandorake, që përbëhej nga 8 pjestarë, të veshur me stoli mbretrore. Në qendër të familjes perandorake bizantine, ndodhet Mihali i VIII-të Paleologu, në të majtë e shoqja, Theodhora dhe midis tyre i biri, Androniku i II-të Paleologu dhe pjestarët e tjerë të familjes. Ky Perandor, një vit më pas, në 1282, hodhi themelet edhe të Manastirit të Ardenicës, që janë dy nga tempujt kryesor të besimit ortodoks nga më të lashtit në trevën e Myzeqesë.

Këto histori të lashta shkencore, citonte ciceroni Pilo Samarxhiu, që tërhiqte vizitorët me elekuencën e tij disa gjuhëshe dhe për vizitorë të huaj. Në vitin 1930, ekipit të arkeologëve francez iu bashkangjitë dhe arkeologu shqiptar, Hasan Ceka, i sapo diplomuar në shkollat austriake të Austrisë. Ai u caktua fillimisht si vëzhgues i ngarkuar nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës në ato kohë pranë misionit arkeologjik francez, për të marë në dorëzim gjithë objektet që do të zbuloheshin nga rrënojat antike të Apolonisë.

Prof. Hasan Ceka (1900-1999), njihet si babai i arkeologjisë shqiptare, i cili veç të tjerave, u lidh ngusht me qytetin antik të Apolonisë, për zbulimin e të cilit dha një kontribut të jashtzakonshëm gjatë gjithë jetës së tij. Apolonia, u bë shtëpia e dytë e Prof. Hasan Cekës, aty punonte me ekspeditën e tij të zbulimeve arkeologjike në pjesën më të madhe të vitit, aty u rritën dhe 4 fëmijët e tij, Monuni, Neritani, Skënderi dhe vajza, Etleva si qytetarë të atij qytetrimi të lashtë. Në zbulimet arkeologjike të Apolonisë, Prof. Ceka punoi rreth 40 vjet, në vazhdim të punëve e lëna nga paraardhësi francez, Leon Rei, duke na lënë pas veç objekteve të zbuluara, edhe mjaftë punime e botime arkeologjike shkencore me shumë vlera historike.

Gjatë viteve të zbulimeve arkeologjike, në shtratet e objekteve të gurëve me mbishkrime dhe të trupave të statujave të mermerta, kishte dhe shumë gjitarë zvaranikë, kryesisht gjarpërinjë. Në një rast, një gjarpër kafshon rënd Leon Rein, ku gjëndja e tij shëndetsore nga helmi i gjarpërit, u përkeqësua. Kryepuntori i misionit arkeologjik, Pilo Samarxhiu, pa humbur kohë, mori një “Xherah” (mjek poullor) nga një fshat aty pranë, i cili ia çau vendin e kafshimit të gjarpërit duke lën rrjedhjen e gjakut bashkë me helmin dhe ia mbështolli këmbën bashkë me plagën me bajga lope për tre ditë. Pas kësaj, Leoni e ndjeu veten shëndosh e mirë.

Arkeologu, Prof. Hasan Ceka

Bashkëpunimi prej dhjetra vitesh me Leon Rein dhe me Prof. Hasan Cekën, ngjallën tek Xha Pilua intersin për arkeologjinë dhe historinë e qytetrimit antik të Apolonisë, si dhe dëshirën për të marë përsipër detyrën e ciceronit në muzeun arkeologjik të ngritur enkas me objektet e zbuluara dhe statujat e mermerta të Apolonisë. Ai fliste me nostalgji, me pasion e elekuencë shkencore për historinë e Apolonisë, për monumentet, skulpturat, anfiteatrin, shëtitoret, vazot e qeramikave, si dhe për pllakat e gurta me mbishkrime nga greqishtja e vjetër bizantine, për të cilën kishte njohuri.

Ai nuk ishte arkeolog, por puna e gjatë pranë arkeologëve të shquar si, Leon Rei dhe akoma më gjatë pranë babait të arkeologjisë shqiptare, Prof. Hasan Cekës, si dhe gjuhët e huaja që zotëronte, veçanërisht greqishtja e vjetër dhe frengjishtja, e ndihmuan shumë për të studiuar literaturë historike dhe për të deshifruar mbishkrime nga greqishtja e vjetër, duke qenë në mënyrë autodikdakte një ciceron i kualifikuar dhe me elokuencë tërheqëse për çdo kategori vizitorësh vendas e të huaj që vizitonin këtë parkë arkeologjik, së bashku dhe me Manastirin mesjetar të Apolonisë.

Xha Pilua në kujtimet e tij, tregonte dhe një histori për fillesat e punës së arkeologut fracez, Leon Rei, në hapat e para të zbulimeve nëntoksore të Apolonisë: “Misioni i arkeologëve francez i kryesuar nga Leon Rei, u vendos në kodrën me shkurre e ullishte të Apolonisë pranë manastirit me të njëjtin emër, në vitin 1924, nisur nga botimet e shënimet e disa arkeologëve më të hershëm francez si: Hari Dome dhe Leon Hezej, që i kishin vizituar më herët këto hapësira arkeologjike.

Një ditë pranvere të vitit 1924, Leon Rei, duke vrojtuar terrenin e gjelbëruar nën rrezet e ngrohta të diellit të mëngjezit, pa një dhelpër, që nga prania e tij u tremb dhe u zhduk me të shpejtë, duke u futur në një zgavër mbuluar nga shkurret. Rei, gjithë kuriozitet, hetoi vrimën e zgavrës ku u strehua dhelpra. Thirri puntorët, të cilët hapën me kazma vendin dhe zbuluan një sistem të gjatë kanalizimi të ujrave mbledhëse të qytetit të lashtë të Apolonisë. Kjo qe sinjali i parë, për të vazhduar më tej zbulimin e hapësirave dhe objekteve të çmuara historike të qytetit”. Shtypi francez ato kohë shkruante: “Një dhelpër shqiptare, bëhet shkak për zbulimet arkeologjike në qytetin antik të Apolonisë”. (E vërtetuar dhe nga studiuesi, Luan Rama, në botimin e vitit 2002, faqe 191-93).

Misioni francez me Leon Rein vinte në Apoloni çdo verë e vjeshtë për vazhdimin e punimeve. Në fillim, u ngritën çadra banimi deri në vitin 1933. Pas kësaj,, në vitin 1934 mbi kodrën pranë amfiteatrit, ngritën një ndërtesë banimi, që vendasit e quajtën, “Shtëpia e frëngut”. Aty banonin Leon Rei dhe misionarët e tij, ndërsa pas çlirimit të vendit, aty jetoi vite të tëra, Prof. Hasan Ceka me familjen e tij. Ajo godinë sot, është restauruar në vitin 2000 dhe është kthyer në lokal shërbimi social me emrin, “Rei”, për vendasit dhe turistët e huaj.

Gjatë luftës së II-të Botërore, misioni francez iku që me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste në 1939. Xha Pilua, pas kësaj periudhe, punoi vullnetarisht pranë muzeut arkeologjik me pasionin që e karakterizonte. Ai gjatë periudhës së pushtimit nazi-fashist dhe të luftës Nac.Çl., kreu një akt të lartë patriotik e atdhetar. Mori të gjitha objektet me vlera historike dhe me ndihmën e disa bashkëfshatarëve të tij të fshatit Pojan, i groposi ato në një vend të caktuar, për t’i ruajtur nga grabitësit pushtues. Mbas çlirimit, ai bashkëpunoi me Prof. Hasan Cekën dhe i rikthyen ato sërish në muze.

Këtë ngjarje e përshkruan dhe historiani, Neritan Ceka në librin “Apolonia e Ilirisë”, botuar në vitin 1982, në parathënien e tij, ku midis të tjerave ai shkruan: “Për herë të parë e kam parë Xha Pilon në vitin 1948, duke lexuar listën e puntorëve të ekspeditës së parë arkeologjike shqiptare të pas luftës. Bashkë me tim Atë, Hasan Cekën, që ishte përgjegjës i ekspeditës, ndanë një grup puntorësh dhe zbritën poshtë kodrës. Puntorët filluan të gërmojnë me kujdes në vendin që u tregoi Xha Pilua. Dhe aty zbuluan 3 shtatore mermeri. Nga bisedat kuptova, se Xha Pilua i kishte fshehur ato skulptura me shumë vlera gjatë luftës, për të mos i grabitur pushtuesit”.

Kurse shkrimtari ynë i nderuar, Ismail Kadare, në librin e tij, “Qyteti i Jugut”, botuar në vitin 1967, shkruan dhe për muzeun arkeologjik të Apolonisë dhe për ciceronin , Pilo Samarxhiu:

“Që këndej majë bregut, duket manastiri muze. Hymë nga porta e hekurt në oborrin e brendshëm të manastirit. Brënda është qetësi, tamam qetësi muzeu. Ndriçon dielli, heshtin muret e trashë. Rreth e rrotull në strehët e gjerë të hajateve, janë vendosur varg njera pas tjetrës statujat antike të nxjera nën këtë truall…. Dhe merni me mend! Një njeri në kënd të oborrit, atje ku dielli bie më mirë, në shoqërinë e heshtur të këtyre statujave, ishte Xha Pilua, ciceroni i muzeut. Ka nxjerë tryezën në diell dhe i përkulur diçka po shkruan.

-Xha Pilo!- i thërret njeri nga ne. Po Xha Pilua nuk e ngre kokën pa mbaruar frazën. Siç duket, shkrimet greke dhe ato latine, që ai lexon shpesh nëpër objektet e muzeut, kanë ndikuar edhe në stilin e Xha Pilos. Pasi e mbaron frazën e gjatë, ngrihet dhe na takon.

Xha Pilua ka 30 vjet që meret me statujat dhe gurët e varreve të Apolonisë së vjetër. Pjesën më të madhe të jetës, e ka kaluar në shoqërinë e tyre të heshtur dhe të plotë. Po të bisedosh me të, ai është njeri i dashur dhe me temperament. Xha Pilua e do me shpirt muzeun, ku e gjithë jeta e tij, është e lidhur me të”.

Ndërsa shkrimtari, Jakov Xoxa, që jetoi një kohë të gjatë në manastirin e Apolonisë, ku shkroi një sërë veprash letrare, midis tyre dhe romanin e shquar të letërsisë sonë, “Lumi i vdekur”, shkruan konsiderata për mikun e tij Xha Pilon: “Xha Pilua për mua ishte jo vetëm njeriu i afërt që kisha në Apoloni, por dhe një shokë, ku nëpërmjet tij, lidhesha me njerëzit e fshatit Pojan dhe me gjithëçka që ndodhte rreth atij ambjenti. Përkushtimi dhe ndershmëria e tij, aftësitë dhe dinjiteti të çmuara nga të gjithë, i kishuin dhënë autoritet e nder Xha Pilos”.

Ditët e fundit të jetës, plaku i mençur i kaloi me optimizëm e kurajo. Jakovi  kujton momentin kur ai i tha: “Po shkoj pranë Llukës e Nasit”, duke kujtuar të Atin dhe vëllan të larguar më herët nga jeta.

Jakov Xoxa, tregon më tej se, në romanin “Lumi i vdekur”, njerit nga personazhet e romanit i vura emrin, “Pilo Shpiragu”, duke patur parasysh, Xha Pilon e Apolonisë. Ky ishte Pilo Samarxhiu, që për hirë të moshës, i thoshin Xha Pilo i Apolonisë, duke marë me vete dhe emrin e qytetarit të këtij qyteti të lashtë. Ai u nda nga jeta në vitin 1971, në moshën 82 vjeçare, plotë 50 vjet më parë.