Gjykata Kushtetuese legalizoi brenda muajit 3 vendime të qeverisë

32
Sigal

Janë 3 vendime që Gjykata Kushtetuese i mori në favor të qeverisë, atë për studentët e mjeksisë, marrëveshjen e emigrantëve dhe Skavicën, duke vijuar me traditën e bindjes ndaj pushtetit dhe duke pritur me padurim që mazhoranca të sigurojë votat e duhura për t’iu dyfishuar rrogat “ushtarëve” (anti) kushtetues.

 Vendimet e Gjykatës Kushtetuese proqeverisë kishin filluar të mos ishin më lajm, pasi përfundimi i çdo çështje, që shkonte në “Kushtetuese” dihej.

Por vendimi për të pezulluar përkohësisht ligjin që detyronte studentët e mjekësisë të punonIN 5 vite në Shqipëri përpara se të mund të merrnin diplomën, dha një fije shprese se kjo gjykatë kishte filluar të futej në rrugën e drejtësisë së vërtetë dhe jo atë të politikës.

Por mesa duket ëndrra për të pasur një Gjykatë Kushtetuese të drejtë zgjati shumë pak, pasi vetëm në muajin e parë të vitit 2024, “Kushtetuesja” mori 3 vendime të rëndësishme, të tre në favor të qeverisë.

Vendimi i parë kishte të bënte pikërisht me studentët e mjekësisë. Pavarësisht se ligji i miratuar nga mazhoranca në Kuvend u rrëzua pjesërisht, vendimi i plotë tregoi se gjithçka ishte në favor të qeverisë.

Gjykata Kushtetuese kërkoi nga Kuvendi që ligji të ndryshohej, duke theksuar se studentët e mjekësisë nuk duhet të mbahen 5 vite, por të vendoset një afat tjetër, çfarë do të thotë se qeveria e ka të drejtën që t’i mbajë “peng” studentët, mjafton që nga 5, afati i punësimit të tyre të jetë 3 apo 4 vite.

“Megjithatë gjatë procesit nuk u provua se kufizimi është proporcional në drejtim të afateve dhe kohëzgjatjes së shlyerjes së detyrimeve për punësim, pasi afati 5-vjeçar i parashikuar nga neni 4 i ligjit rezulton më i ashpër se sa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim. Duke u nisur nga premisa që afati 5-vjeçar nuk është proporcional dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen”, -thuhej në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese ligjëroi një nga marrëveshjet më të kundërshtuara jo vetëm nga opozita shqiptare që bëri denoncimin, por edhe nga organizatat ndërkombëtare dhe liderët europianë.

Fjala është për marrëveshjen me Italinë për strehimin e emigrantëve afrikanë në Gjadër. Në vendimin e arsyetuar, Gjykata Kushtetuese argumentonte se nuk shkelej asnjë e drejtë e emigrantëve dhe as sovraniteti i Shqipërisë, pavarësisht se një shtet tjetër po përdorte territoret tona për të strehuar emigrantët që i drejtoheshin po atij shteti.

“Së pari, ajo vlerësoi se Protokolli për emigracionin nuk cakton kufij territoriale dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, ndaj ai nuk përbën marrëveshje që ka të bëjë me territorin në aspektin fizik. Së dyti, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se në dy zonat, që vepron Protokolli për emigracionin, zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane. Ajo konstatoi se e drejta ndërkombëtare e detyrueshme për Republikën e Shqipërisë, që lidhet me çështjet e emigracionit dhe azilit është po ashtu e zbatueshme edhe nga autoritetet italiane për shkak të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare edhe prej Republikës së Italisë. Nën këtë analizë, Gjykata nuk vuri në dyshim ekzistencën e përgjegjësisë së shtetit shqiptar për çështjet që rregullon Protokolli për emigracionin, e cila buron jo vetëm nga normat kushtetuese, por edhe nga e drejta ndërkombëtare që rregullon përgjegjësinë e shteteve në kuadër të zbatimit ekstraterritorial të saj. Në këtë pikëpamje, Gjykata Kushtetuese konstatoi se për të drejtat dhe liritë e njeriut vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë juridiksioni italian në dy zonat në fjalë nuk përjashton juridiksionin shqiptar”, -thuhet në vendimin e Gjykatës.

Për të kompletuar tripletën e vendimeve pro qeverisë, në ditët e fundit të muajit u vendos edhe për denoncimin e disa organizatave për hidrocentralin e Skavicës.

Sipas vendimit të Kushtetueses, organizatat kanë të drejtë në pretendimin se u është cënuar e drejta e informimit për çështjet mjedisore, por duke qenë se ligji është ende në fazën e parë të zbatimit, shkeljet e konstatuara para miratimit të ligjit mund të riparohen ende përmes ndërmarrjes së hapave konkretë për përfshirjen e publikut në informacion dhe vendimmarrje.

Pra, organizatat do të informohen për çështjet mjedisore, por puna për ndërtimin e hidrocentralit do të vijojë dhe shkeljet do të riparohen, duke informuar edhe qytetarët.

Janë 3 vendime që Gjykata Kushtetuese i mori në favor të qeverisë, duke vijuar me traditën e bindjes ndaj pushtetit dhe duke pritur me padurim që mazhoranca të sigurojë votat e duhura për t’iu dyfishuar rrogat “ushtarëve” (anti) kushtetues.