“Pas Maternitetit dhe Mozaikut, radhën e ka Galeria e Arteve” Ja monumentet e trashëgimisë kulturore të listuar për t’u shkatërruar nga Edi Rama

260
Sigal

Pedagogu i gazetarisë dhe aktivist i shoqërisë civile, Ervin Goci publikon listën e monumenteve dhe trashëgimisë kulturore e listuar për t’u shkatërruar.

“Siç pata mundësi që të denoncoj mbrëmë te studio e Sonila Meços, lista e monumenteve, e trashëgimisë e listuar për t’u shkatërruar është shumë e gjatë. Përveç, Maternitetit dhe Mozaikut, ndërhyrje shkatërruese priten te Galeria e Arteve, tani po lexoj që është dhënë dhe Leja për “Shtesë”, pra për ta shkatërruar njëlloj si Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”.

Në listën e pritjes për t’i vënë kazmën, kemi Akademinë e Shkencave, Bibliotekën Kombëtare, Muzeun Kombëtar, Teatrin e Kukullave, Ministrinë e Kulturës, Akademinë e Arteve, dhe ish-godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve, pra të gjitha janë listuar për të ndërhyrë përdhunshëm nën pretekstin e rindërtimit.

Kjo nuk zgjidhet me shfryrje në TV, por kërkon aksione dhe qëndrime politike të prera në mbrojtje të pasurive të përbashkëta, që nuk janë as të miat e as kurrkujt, por janë të të gjithëve.

Kam një thirrje për liderin e opozitës, Lulzim Basha, si kandidati për Kryeministër,  i cili pretendon të marrë fatet e vendit në dorë, që të dalë me një qëndrim të prerë për ndalimin “TANI”, theksoj “TANI”, të çdo iniciative për shpërfytyrimin e trashëgimisë së përbashkët. Duhet me ditë e datë, që ditën e parë që do të hyjë në zyrë, do t’i stopojë, do t’i bllokojë të gjithë këto projekte dhe do të çojë në Prokurori të gjithë përgjegjësit.

Ky qëndrim i prerë duhet sot, se nesër është shumë vonë, jo si vjershë, por si zotim.

Nëse kjo nuk ndodh, unë si qytetar i angazhuar kam të gjithë të drejtën të konsideroj se opozita është farsë, nuk ka as vullnet e as fuqi për të çuar përpara vullnetin e qytetarëve, po do të kthehet në administruesin e katastrofës që po mbin kryeministri në fuqi, duke e legjitimuar.

Ne bashkë me aktivistë të tjerë po përgatisim një kallëzim të gjerë për të denoncuar skemën mafioze dhe kriminale që po zbatohet me ftohtësi mbi pasurinë tonë të përbashkët, Qytetin e Identitetin.

Ftoj dhe subjekte të tjera opozitare, kandidatë të pavarur që ta ngrenë zërin dhe të vënë theksin këtu, sepse këtu është emergjenca, tani.

Me poshtë gjeni apelin tim në studion e “Tempora”, keni listën e monumenteve që priten të shkatërrohen, dhe Lejen e Ndërtimit për të ndërhyrë përdhunshëm te Galeria e Arteve me shtesa e “rikonstruksione”.

Ditë të trazuara, po që duhet t’i kapërcejmë të bashkuar…

.

”, shprehet Ervin Goci përmes rrjeteve sociale.