Konfindustria: Qumështi nga Serbia po falimenton fermerët shqiptarë

32
Sigal

 

Bazuar në të dhënat e Institutit të Statistikave përgjatë vitit të kaluar, çmimi i qumështit, djathit, gjalpit apo produkteve të tjera të këtij grupi janë shtrenjtuar me 14.4% në raport me vitin 2022 ku kriza e inflacionit ishte në kulmin e saj

 Një nga grupet bazë të shportës së ushqimeve për konsumatorët shqiptar ka pësuar shtrenjtim të fortë gjatë vitit të kaluar, e ndikuar shumë edhe nga abuzimi që po ndodh në treg.

Bazuar në të dhënat e Institutit të Statistikave përgjatë vitit të kaluar, çmimi i qumështit, djathit, gjalpit apo produkteve të tjera të këtij grupi janë shtrenjtuar me 14.4% në raport me vitin 2022 ku kriza e inflacionit ishte në kulmin e saj. Muajit që kanë regjistruar shtrenjtimin më të madh të këtyre produkteve kanë qenë janari dhe shkurti i vitit 2023, me përkatësisht 26.4% dhe 28% më shtrenjtë se në vitin 2022.

Edhe pse pritej që çmimet të uleshin në nivelet e para krizës, në fakt në tregun shqiptar ndodhi e kundërta pasi çmimet përgjatë gjithë vitit 2023 vijuan pa ndalur shtrenjtimin. Shtrenjtimi prej vitesh i ushqimeve, e në rastin konkret i bulmetit po rëndon në xhepat e konsumatorëve shqiptar, të cilët afro 40% të buxhetit të tyre e shpenzojnë vetëm për ushqime.

A po abuzohet me çmimin e bulmetit?

Në kushtet kur pritej rënie e çmimit të qumështit, kosit apo djathit nëpër dyqane e markete, ndodh krejt e kundërta. Çmimi i qumështit dhe i kosit në pjesën dërrmuese të bizneseve në vend shitet me 190-200 lekë. Ndërsa çmimet vijonin të rriteshin, nëpër faqet online të bizneseve herë pas here bëhen oferta ku çmimi i kosit ulej deri në 160 lekë litri, por asnjëherë nuk zbriti në vlerat që kishte përpara krizës inflacioniste.

Kjo ofertë në foton e parë tregon se çmimi i kosit nga ‘Kompania Gjirofarma’ në janar ishte në rreth 190 lekë, dhe që me -16% ulje shkon në 159 lekë, por asnjëherë gjatë vitit 2023 nuk ka zbritur në shifrat e para krizës ku kosi tregtohej nga 100-120 lekë.

Por përgjatë vitit të shkuar çmimi i kosit nga ‘Kompania Gjirofarma’, nuk ka ndaluar tek 190 lekë as për një kilogramë por për 910 gramë (foto 2). Gjatë pranverës së vitit 2023 sipas fakteve 910 gramë kos i kësaj kompanie është tregtuar me shifrën stratosferike prej 230 lekë.  Ndërsa aktualisht çmimi për këtë produkt të kësaj kompanie është në vlerën 190 lekë.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me qumështin nga Lufra, Erzeni, Gjirofarma ku çmimi ka arritur në vlerën 200 lekë. Pavarësisht uljeve që i bëhen këtyre produkteve herë pas here nëpër markete kur ju afrohet data e skadencës, përsëri asnjëherë çmimet nuk zbritën asnjëherë në shifra 100-120 lekë që tregtohej qumështi deri në vitin 2022.

Çmimet e njëjta ‘zgjojnë’ Autoritetin e Konkurrencës!

Më 17 janar 2024 Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se ka nisur hetim ndaj katër kompanive Erzeni SHPK, Erzeni SHPK, Lufra dhe Boboshticë SHPK që operojnë në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit, me argumentin se dyshohet për abuzim në treg.

Në njoftimin e parë Autoriteti i Konkurrencës njofton se hetimi përfshin të gjithë vitin e kaluar, pasi nga verifikimet e bëra kishte dyshime se kompanitë kishin caktuar çmimet për shkak të pozitave të tyre dominuese që kanë në tregun e përpunimit të bulmetit.

Argumenti i Autoritetit të Konkurrencës

Por ky vendim ndryshoi pas protestave të vazhdueshme të fermerëve të jugut, të cilët denoncuan abuzimin që po ndodhte në treg, ku përpunuesit po ua blinin qumështin shumë më lirë se në vitin e kaluar, ndërsa nëpër markete çmimi mbeti po i njëjtë.

Fermerët në protestën e zhvilluar në Fier, Vlorë e Gjirokastër kanë bërë të njëjtën deklaratë: “Çmimi i qumështit vjet ishte 160 me lekë për litër, sivjet me 120 lekë për litër”. Në disa raste ulja e çmimit të qumështit që baxhot i blinin fermerëve ishte dhe më e lartë se 40 lekë pasi arrin deri në 60 lekë.

Për shkak të dyshimeve se abuzimet po thellohen edhe përgjatë javëve të para të këtij viti.

Autoriteti i Konkurrencës, ndryshoi vendimin e parë, dhe më 25 janar njoftoi se hetimi i thelluar për këto kompani do të zgjatej edhe më tej dhe nuk do të përfshijë vetëm vitin 2023 por deri në qershor 2024.

“Duke marrë shkas edhe nga disa njoftime mediatike të ditëve të fundit, për protesta të zhvilluara nga blegtorët, sidomos në zonat e Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës, Delvinës, Tepelenës, Përmetit, Fierit etj, për çmimin e blerjes së qumështit nga ana e grumbulluesve dhe fabrikave përpunuese të qumështit, Komisioni i Konkurrencës me vendimin nr. 1052 , datë 25.01.2024 vendosi zgjatjen e periudhës kohore përcaktuar në pikën “II”, të vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr.1045 datë 29.12.2023 “Për hapjen e hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjeve Erzeni SHPK, Gjirofarma SHA, ADG SHPK (Lufra), SHAKA Boboshticë SHPK në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit(djathë dhe gjalpë)”, me 6 (gjashtë) muaj duke përfshirë periudhën 1 janar 2024 deri në 30 qershor 2024”, thuhet në njoftimin e dytë të Konkurrencës.

Në çdo protestë fermerët deklaronin 4 kërkesa kryesore: Çmim tavan për qumështin, dyfishim subvencioni, garantim të kullotave dhe vepra ujore. Pas këtij hapi të konkurrencës, sytë e blegtorëve janë tek vendimi që do të merret.

“Shpresojmë të kemi një hetim të thellë dhe të drejtë për të prishur monopolet që fermerët pretendojnë. Shumë pozitive që një institucion lëviz dhe vjen dëgjon blegtorët. Presim rezultate”, thotë Ervin Resuli, ish kryetar i shoqatës së blegtorëve.

Kriza financiare, tkurrja e fermave dhe braktisja nga shteti!

Prej vitesh i gjithë sektori blegtor e bujqësor po përballet me ulje të financimit nga buxheti i shtetit, duke bërë që edhe politikat e subvencionimit të jenë më të ulta në raport me rajonin.

Prej vitesh ka rënë ndjeshëm numri i bagëtive nga 363 mijë krerë në vitin 2020, numri është reduktuar në 298 mijë në vitin 2022.

Kjo tkurrje e fermave është reflektuar direkt në prodhimin e qumështit në vend. Nga 16.7 mijë tonë qumësht që u tregtua për konsum në vitin 2020, gjatë vitit 2022 zbriti në vetëm 13.1 mijë tonë.

Përpos kësaj situate alarmante në të cilën ndodhet sektori blegtorale në vend, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj tha më 25 janar 2024 gjatë një takimi me blegtorët se problemet me çmimin e qumështit dhe të gjitha problemet që ato kanë duhet ti zgjidhin vetë, sepse shteti nuk mund të ndërhyjë në marrëdhënie kontraktuale.Bashkëpunimi mes grupeve të interesit do të ndikojë në rritjen e konsumit të prodhimeve vendase duke patur parasysh numrin në rritje të turistëve që pritet të vizitojnë vendin tone”, –u shpreh ministrja Denaj.