Gëzim Zilja: Politika dhe tragjedia e Elbasanit

179

Ajo që  trondit dhe të bën të mendohesh thellë është se Taulant Balla nuk e përmendi ( pale të mbante zi) për asnjë çast militantin Pjerin Xhuvani, që u bë kurban, duke kryer detyrat e partisë. PD nga ana e saj e harroi “anëtarin e grupit të mbrojtjes së votës” që me “bekimin” e Gazment Bardhit kreu aktin e vrasjes pavarësisht nga rrethanat

Sigal

Para zgjedhjeve të 25 prillit në Elbasan pati një përpjekje midis dy grupeve kundërshtare të PD-së dhe PS-së. Ngjarja tronditi Elbasanin dhe mbarë Shqipërinë. Përpjekja me armë pati një ndikim të jashtëzakonshëm në përfundimet e zgjedhjeve në qytetin e Elbasanit e më gjerë. Grupet kundërshtare u goditën me pistoleta, ku si pasojë pati një të vrarë dhe tre të plagosur. Në vendngjarje ndodheshin dhe forcat e policisë, por ato ndërhynë me vonesë, duke mos e parandaluar dot ngjarjen e rëndë. Policia arriti të ndalojë një furgon të militantëve të PS-së me materiale kompromentuese si karta indentiteti, shuma parash, lista të personave, që u ishin dhënë para’ dhe sende të tjera kompromentuese. Sipas mediave të cilat ndoqën ngjarjen fillimisht thuhej: “ …Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Elbasanit ditën e sotme 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të së dielës.Pjerin Xhuvani ka mbetur i vrarë dhe 3 persona të tjerë janë plagosur pas një përplasjeje me armë, që dyshohet se nisi për shkak se një makinë po shpërndante para në emër të Partisë Socialiste… Mësohet se kreu i PD-së në Elbasan, Gazment Bardhi ka kërkuar që OSBE të jetë prezente në Elbasan pas ngjarjes së rëndë të ditës së sotme. Në polici është vetëdorëzuar Arbër Papleka, autori i dyshuar i vrasjes. Në polici mësohet se është shoqëruar dhe vetë Gazment Bardhi, si dëshmitar i ngjarjes. Po sipas shtypit Gazmend Bardhi ka deklaruar: “Ne kemi të filmuar faktin, që personi është filmuar nga grupi i mbrojtjes së votës, duke dhënë para dhe duke mbledhur karta. Personi që ka këtë celular ka shkuar për të dëshmuar në polici.”  Drejtuesi politik i PS-së Taulant Balla, ka qenë më i prerë në deklaratën e tij duke fajësuar forcat kundërshtare:”… Këto janë provokime, që kanë autor Partinë Demokratike dhe presidentin Ilir Meta dhe ka akuzuar se demokratët kanë zbarkuar në çdo cep grupe paramilitare.” Nga shtypi dhe deklaratat e policisë u bë me dije se u kryen disa arrestime dhe po vazhdonin hetimet me intensitet. Në kushtet e ndodhisë duhej që policia të dilte me përfundime, të sqaronte me hollësi e të zbardhte gjithçka. Por edhe sot nuk ka një përfundim apo komunikim se çfarë ndodhi dhe kush ishin shkaqet e vërteta të përplasjes me armë në Elbasan. Taulant Balla dhe Gazment Bardhi ishin drejtuesit politikë të fushatës në Elbasan respektivisht të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. Ata janë figura shumë të rëndësishme në partitë e tyre. Ajo që të bën përshtypje është se pas vrasjes së Pjerin Xhuvanit dhe arrestimit të militantit të PD-së, asnjë nga forcat politike nuk ka marrë përsipër të diskutojë më për këtë ngjarje. PS-ja  dhe PD-ja pas zgjedhjeve shpallën fitoret, njëra të vërtetë dhe tjera me pretendimin sa ia kishin vjedhur. Në analizat e tipit marksist–leninist të dy partive vunë në dukje “sukseset,” duke shpallur armik dhe fajtor kundërshtarin politik pa kthyer asnjëra gishtin nga vetja . Por ajo që të trondit dhe të bën të mendohesh thellë është se Taulant Balla nuk e përmendi ( pale të mbante zi) për asnjë çast militantin Pjerin Xhuvani, që u bë kurban, duke kryer detyrat e partisë. PD nga ana e saj e harroi “anëtarin e grupit të mbrojtjes së votës” që me “bekimin” e Gazment Bardhit kreu aktin e vrasjes pavarësisht nga rrethanat. Sot babai i katër fëmijëve Arbër Papleka, rrezikon burgun e përjetshëm. Të dy partitë nuk bënë të paktën një deklaratë sado hipokrite, që të distancoheshin nga ngjarja dhe të dënonin aktin e vëllavrasjes. Në një shtet demokratik çështjet e pushtetit nuk zgjidhen me grykën e armës por me votë të lirë. Këtë teori duhet të “injektojnë” drejtuesit politikë te militantët e tyre në bazë. Drejtësia shqiptare krahas zbardhjes së plotë të ngjarjes duhet të zgjidhë në hetimet e saj pyetjet themelore: Kush i armatosi këta njerëz? A janë fajtorët kryesorë ata burra e djem, që shkrehën armët e vranë njëri-tjetrin apo ata që i armatosën, iu mbushën kokat me urrejtje e premtime dhe i dërguan në luftë kundër “armikut.”  Madje jo vetëm drejtësia, por vetë partitë, drejtuesit e lartë të tyre, duhet të analizojnë hollësisht me gjakftohtësi e atdhetarizëm punën e drejtuesve politikë në Elbasan dhe çfarë masa duhen marrë, që këto të mos ndodhin më. Policia dhe drejtësia shqiptare ka një pafundësi ngjarjesh në shqyrtim, të cilat shtohen çdo ditë. Por politika është ajo që i inkurajon ose i pret rrugën krimit dhe korrupsionit. Duket se ka një marrëveshje të nëndheshme (qofsha i gabuar) midis politikës dhe prokurorisë që kjo ngjarje të harrohet. Përndryshe nuk ka pse zgjatet e zvarritet deri në kufijtë e absurdit, e të kosiderohet si një vrasje ordinere e të mos trajtohet si një ngjarje me prapavijë politike. Kështu, mjerisht edhe në kushtet e drejtësisë së rilindur, politika e mosndëshkueshmërisë të krerëve politikë, do të vazhdojë të sundojë në Shqipëri.