Gentian Çala: Ndalu beg se ka hendek…!

616
Sigal

Ndalu beg se ka hendek…!

Nga Gentian Çala

Reth një vit më parë Rama në një deklaratë të tij për çështjen e kanionit të Osumit tha se “ndaj të njëjtën dashuri me Metën për kanionet”, të cilën e pata analizuar si një “lojë” të pavetëdijes së Ramës, pasi kanioni është një hendek natyror në shtratin e një lumi. Pra, vetëdija e tij foli për një të përbashkët, kurse pavetëdija për hendekun midis të dyve. Ka rrjedhur shumë ujë në harkun e një viti dhe ky hendek është thelluar pas zgjedhjeve moniste të 30 qershorit dhe pas tentimit për të zaptuar Gjykatën Kushtetuese.

Presidenti ka vazhduar të jetë gjithmonë e më i angazhuar dhe i vendosur për të mbrojtur Kushtetutën përballë pushtetit të zgjeruar dhe abuziv të Ramës. Kryeministri për ta intimiduar Presidentin bëri edhe një Komision Hetimor Parlamentar për shkarkimin e tij, por opinioni i Komisionit të Venecias e rrëzoi këtë iniciativë duke e quajtur të pavend. Gjithësesi kjo nuk është betejë midis dy individëve, por ndërmjet dy qasjeve mbi vendin dhe demokracinë. Nga njëra anë Rama dhe marifetçinjtë e marrjes së “kalasë” me intriga dhe nga ana tjetër Meta dhe çdo qytetar që do një Shqipëri me rend kushtetues dhe shtet ligjor.

Për disa propozime në tryezën e Reformës Zgjedhore të propozuara nga Opozita, përfaqësuesi i Mazhorancës flet për “gjëra që nuk i morën në rrugë me protesta, nuk mund ti marrin në tavolinë”. Po, po, kësaj here po dalim në rrugë dhe në sheshe, sepse as ju nuk mund të merrni në tavolinë ato që nuk ju takojnë. Ndalu Beg se ka hendek! E ky hendek duket më i thellë se kurrë. Rama kaloi çdo cak, kaloi vijën e kuqe dhe ka krijuar atmosferën e shkeljes së përsëritur të Kushtetutës, të mosrespektimit të ligjeve, të shtetit policor, të mbylljes së gojës të kritikëve, të keqpërdorimit të parasë publike, të një vendi ku të gjithë ikin.

Ndaj në 2 Mars, populli do të vërshojë bulevardin kryesor të kryeqytetit, ti thotë po Presidentit në betejën e mbrojtjes së Kushtetutës dhe të kundërshtojë regjimin që po instalohet. Kjo nuk është dita ku duhet të bëjmë spektatorin dhe indiferentin, nuk është beteja politike e radhës, por është beteja për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Fuqia e parasë dhe e pushtetit do të ketë përballë fuqinë e zemrave të qytetarëve të lirë, sepse Shqipëria është vendi ynë që as nuk e shesim, as nuk e japim me koncension dhe as nuk mund t’ua lemë në dorë zullumqarëve. Sepse Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët!