Elmaz Sherifi:“Nuk besoj se pas 23 Qershorit do të kemi zhvillime pozitive për Shqipërinë”

514
Sigal

Elmaz Sherifi, Kryetar i Lidhjes  për Drejtësi  dhe  Progres

Nuk mund të ketë rotacion politik, kur mendësia politike e opozitës është e njehsuar me mendësinë politike të mazhorancës.

Kryetari i Lidhjes për Drejtësi e Progres, Elmaz Sherifi, në intervistën për “Telegraf” shpjegon  pse LDP-ja, edhe pse forcë politike opozitare, do të kandidojë e vetme. Zoti Sherifi shpjegon se dy koalicionet e mëdha nuk përbëjnë dallime, derisa nuk ekziston pluralizmi real, ndërsa partitë janë vagona e jo subjekte politike, pasi ato nuk promovojnë alternativa, por kërkesa që kryetarët e tyre të bëhen deputetë. Gjithashtu, nuk mund të ketë rotacion politik, derisa mendësia politike e opozitës është e njehsuar me mendësinë politike të mazhorancës. Ndaj, thotë zoti Sherifi, edhe pas 23 Qershorit, nuk mund të priten zhvillime pozitive.  Ngërçi politik për KQZ-së, sipas zotit Sherifi, është një alibi e humbjes, pasi PS-ja, edhe e denoncon KQZ-në e cunguar me 4 anëtarë, por nga ana tjetër, çdo ditë, përfaqësuesi i saj ligjor, merr pjesë në seancat e KQZ-së, bën pyetje, kërkon të drejtat partiake, duke u bërë palë e vendimmarrjes së KQZ-së  së politizuar.

Zoti Sherifi, për herë të parë partia juaj merr pjesë në zgjedhjet parlamentare. Nuk bëni pjesë në asnjë koalicion. Përse  bëtë këtë zgjedhje?

Lidhja për Drejtësi dhe Progres do të konkurrojë e vetme, jashtë koalicioneve zgjedhore. Kjo ishte një zgjidhje e menduar, sepse në optikën tonë, mënyra sesi janë ndërtuar koalicionet, na kujton  vitet e para të pluralizmit, kur Ramiz Alia, për të dhënë idenë e një pluralizmi politik, krahas PPSH-së, shndërroi në subjekte elektorale rrypat e transmensionit  të PPSH-së, Bashkimet Profesionale, Frontin Demokratik, Rininë, Gruan, etj. Edhe sot, ne shikojmë që u sajua një Kod Elektoral, i cili i detyroi të gjitha partitë politike të futen në koalicione parazgjedhore. Ky kompozim, në fakt, tregon sa informal është ky pluralizëm, për faktin që të gjithë kryetarët e partive, që pranuan të futen në koalicionet në të dy grupimet politike, kërkesë të vetme kanë futjen  e kryetarit në listat e deputetëve  të partive të mëdha. Pra, këto parti nuk kanë mision promovimin e alternativave konkrete, por synim kryesor, bërjen e kryetarit deputet. Në këtë sens, këto dy koalicione tregojnë se vagonat- partitë janë jo reale, por janë për interesa të vogla personale. PrandajLDP-ja nuk u bë vagon, por synon të jetë një alternativë reale në mjedisin politik shqiptar.

– A ka në Shqipëri pluralizëm real politik?

– Me sjelljet politike, nuk ka pluralizëm real, nuk ka institucione politike të pavarura, por drejtohen nga partia dhe mbi të gjitha, mungon drejtësia, si institucioni më i rëndësishëm, nga e cila burojnë edhe liritë politike, liritë sociale dhe mirëqenia e qytetarëve.

Ju jeni në oponencë sa me mazhorancën, po kaq edhe me opozitën. Atëherë për ju, a është i rëndësishëm rotacioni politik?

Thelbi i demokracisë reale është rotacioni politik. Edhe në vendet më të zhvilluara demokratike, me ekonomi të qëndrueshme, një qeverisje nuk është e mirëpritur, po kaluan 4 vjet. 8 vjet është e bezdisshme.

Për kë rotacion politik, ju bëni fjalë?  

Thelbi i rotacionit nuk është zëvendësimi i disa individëve, me disa individë të tjerë. Nuk mund të ketë rotacion politik, kur mendësia politike e opozitës është e njehsuar me mendësinë politike të mazhorancës. Në planin praktik,  në këto 22 vjet kanë ndodhur  rotacione politike, me ikjen e disave dhe zëvendësimin nga të tjerë, por qeverisja vazhdon të mbetet e keqe. LDP-ja nuk dëshiron që në qeverisje të jetë PD-ja, por ne nuk bashkohemi kurrsesi me mendësinë e opozitës parlamentare, e cila në sjellje është e njëjtë me PD-në dhe tani  është mjaft e kompromentuar, sepse 1/3 e mazhorancës, e qeverisjes më të akuzuar, tashmë është bërë pjesë e opozitës. Ndaj, sot, mazhorancë e opozitë janë të njehsuara. LDP-ja ka konstatuar se sot mbi 40 % e elektoratit është e papërfaqësuar politikisht dhe synon që ta përfaqësojë këtë elektorat dhe për të dhënë modelin e munguar të një force politike, serioze opozitare.

Duke qenë se vini nga një ambient politik i socialistëve, debatin dhe reagimet  për çështjen e listave të PS-së,  që u zyrtarizuan, ju si e gjykoni?

Në PS nuk funksionojnë më institucionet e partisë, aty vetëm komunikohen urdhra dhe shpallen vetëm lista. Në PS u bë një kthesë 360 gradë e deklaratave që ka patur kryetari i saj, i cili nuk ka pranuar dikur të bënte koalicion meLSI-në, e cila ishte një arsye që PS-ja në 2009-n mbeti në opozitë. E ndërsa sot, bashkëpunon, pasi më parë e ka akuzuar LSI- në si një forcë politike të inkriminuar, tregon se imoraliteti politik është bërë sjellje politike konstante. Në PS mungon demokracia e brendshme dhe eliminohen të gjitha zërat dhe autoritetet që kanë një personalitet, kanë kurajon të kritikojnë sjelljen politike të lidershipit, ndaj për shkak e pasojë të kësaj, ata janë shmangur sistematikisht. Në PS janë eliminuar të gjithë personalitetet që nuk janë dakord me  sjelljen politike të lidershipit, por në fakt, analizat e tyre janë vërtetuar si të drejta.  Është një sjellje tipike atavike, që ka deformuar vullnetin e socialistëve, pasi eliminohen ato figura politike që kanë bërë historinë e PS-së dhe ftohen për kandidatë në renditjen listore të sigurta njerëz anonim, të cilët nuk kanë asnjë kontribut politik, përkundrazi, kanë qenë kritikë për PS-në dhe kanë kontribuar që PS-ja në 2005-ën të ikte nga pushteti. Tipik është Koço Kokëdhima, i cili në zgjedhjet e  2005-s, median e tij elektronike dhe të shkruar, e vuri në dispozicion  të Berishës, për ta sjellë në pushtet, duke argumentuar se është e keqja më e vogël dhe, sipas Kokëdhimës, e keqja më e madhe ishte PS-ja e Nanos. Është Erjon Veliaj, i cili organizonte në mënyrë të pandërprerë protesta “Nano, ik”, “ socialistë ikni nga pushteti”,  e sot është në listën e kandidatëve të sigurt. Është vetë Edi Rama, i cili si kryetari i Bashkisë së Tiranës, organizonte ture nëpër Shqipëri, kundër qeverisë së korruptuar të socialistëve. Sot në koalicion është edhe Ilir Meta, i cili u largua në 2005-ën nga PS-ja dhe të gjithë së bashku, këta faktorë, ishin shkaku i humbjes së PS-së. Këto janë politika që e kanë çuar nga humbja në humbje PS-në dhe mendoj që kriteret  që u përzgjodh lista e kandidatëve të PS-së është jashtë çdo kulture demokratike, që vlerëson realisht kontributet, personalitetin dhe integritetin e kandidatëve. Ndaj, LDP-ja e ka patur këtë kriter të moralit politik, për të mos u bërë pjesë e koalicionit, sepse do ta kompromentonte rëndë këtë forcë të re politike.

Sa konstruktive për fitoren,  për më tepër tani, në kulmin e fushatës elektorale, është për PS-në kritika e drejtpërdrejtë e Fatos Nanos, i cili bëri fjalë për kufoma politike në PS-në e sotme?

Konstatoj  një fenomen interesant në PS. Gjithmonë para zgjedhjeve, Fatos Nano është konsideruar si një njeri i pavlefshëm, i padobishëm, për të qenë një kandidaturë për deputet. Dhe sa herë ka humbur           PS-ja, Fatos Nano është akuzuar si një njeri i cili ka kontribuar për humbjen e PS-së. Logjika e thjeshtë politike të çon në konkluzionin që një faktor i cili është i dobishëm dhe që ka peshë në zgjedhjet politike, duhet vlerësuar për kontributin e tij. Në të kundërt, nuk mund ta akuzosh, e për më tepër, për replikat e fundit, për shkak të mbështetjes që i dha Nano kandidaturës së pavarur të Malajt, kryetari i PS-së e konsideroi Nanon si një mumie. Përderisa Nano nuk vlerësohet në PS, më duket naive çdo kritikë ndaj tij.

A nuk përbën paradoks politik, që disa forca që shpallen opozitare, e përqendrojnë kritikën e tyre më tepër kundër opozitës së PS-së? Ku është qëllimi?

Unë mendoj se sot në Shqipëri mungon opozita reale, sepse mendësia politike është e njëjtë nga të dy forcat politike. Tashmë mazhoranca dhe opozita ngjasojnë si dy pika uji. K qenë një marrëveshje midis Berishës e Ramës, për të deformuar gjithë sistemin tonë ligjor, kushtetues. Është deformuar Kushtetuta  për arsye thjesht të pushtetit. Është deformuar Kodi Zgjedhor, thjesht për interesa partiake, me synimin për të larguar nga skena politike, cilindo subjekt politik, i cili  vlerësohet i rrezikshëm për këto dy forca politike. Prandaj, sot në Shqipëri asgjë nuk ndryshon në konceptin e rotacionit, derisa ekziston e njëjta mendësi politike. PD-PS janë bërë  pengesa kryesore për të integruar  Shqipërinë në BE. Është sherrnaja  politike e tejskajshme, madje  tepër e acaruar, që kur Edi Rama është bërë kryetar i PS-së,  për të mos miratuar atë kuadër ligjor për të marrë statusin kandidat në BE. PD-PS u intereson që Shqipëria të jetë në këtë gjendje statukuoje  politike, sepse po të integrohemi, do të kërkohen disa standarde demokratike, siç janë të drejtat dhe liritë  themelore të individit, liria politike e sociale dhe pavarësia e institucioneve politike. Individi nuk është i lirë që të mbështetë atë subjekt politik që dëshiron, përkundrazi është nën një terror të vazhdueshëm politik. Individët nuk janë të lirë në jetën e tyre private, por me dhunë çohen nëpër tubime elektorale partiake. Pra, këtu kemi të bëjmë me një deformacion të plotë të sistemit politik dhe kjo është arsyeja që sa herë flitet për rotacion, është shumë e vështirë për të kuptuar se cili do të jetë ndryshimi.

Cila është parësorja e 23 Qershorit: Të kryhen zgjedhjet me standarde demokratike, apo cili do të jetë fituesi?

Ky problem i standardeve demokratike të zgjedhjeve, është një nga sëmundjet kronike në Shqipëri dhe fatkeqësisht,  është shumë mbrapa edhe nga zhvillimet në Kosovë e Maqedoni. Kjo është e papranueshme. Në Shqipëri gjen gjëra të çuditshme, siç është tërheqja e anëtarëve të KQZ-së nga PS-ja dhe kërkesa e LSI-së tek KQZ-ja e cunguar për të zëvendësuar e për të marrë anëtarët e KZAZ-ve të PBDNJ-së nga LSI-ja. Dhe këtë kërkesë ia bëjnë KQZ-së, që çdo  ditë e deklarojnë antiligjor.

Ju si e shpjegoni këtë kontradiktë politike të Opozitës ndaj KQZ-së?

Ky kontradiksion  ka të bëjë me mendësitë politike partiake të të gjitha subjekteve politike. Prandaj, ne sot gjejmë një model të deformuar, ku në KQZ ka vetëm  anëtarë që janë propozuar nga mazhoranca, por çdo ditë në seancat e KQZ-së gjen përfaqësuesin ligjor të PS-së, që kërkon sqarime për vendimet që merr KQZ-ja. Mesa duket, në PS nuk kanë një vendim të konsoliduar juridik e ligjor. Me sa duket, ata nuk kanë mësuar nga historia jonë politike. Nuk kanë mësuar nga historia e gjyqit në Kanalin e Korfuzit, ku Shqipëria e humbi gjyqin, për faktin se çoi një avokat, i cili drejtoi edhe një pyetje dhe ajo pyetje e bëri palë Shqipërinë në atë proces gjyqësor, e për rrjedhojë, duhet të vuante edhe pasojat. Kështu ndodh edhe në KQZ, ku opozita ka tërhequr anëtarët e saj,  njëkohësisht, i drejtohet KQZ-së, për të përfituar disa të drejta që i intereson dhe pranon ato vendime të KQZ-së, që i interesojnë asaj, çon përditë përfaqësuesin e vet ligjor në seancat që bën KQZ-ja e cunguar, i cili bën pyetje e jep mendime dhe në fund, deklarojnë që KQZ-ja nuk është ligjor. Derisa do të kemi këtë mendësi politike, do të kemi edhe mospranimin e rezultatit zgjedhor nga subjekti politik që ka humbur zgjedhjet. Me sa duket edhe në 24 Qershor, do të kemi të njëjtën këngë, të njëjtën avaz. Subjekti që do të humbasë zgjedhjet, do të kontestojë procesin, duke patur si argument se edhe KQZ-ja nuk ka funksionuar, ndaj opozita nuk çon përfaqësuesit e tyre ta plotësojnë konform ligjit.

Mund të jemi optimistë, ne shqiptarët, që pas 23 Qershorit, do të kemi një start të ri të zhvillimeve politiko-ekonomike?

Ky kontraksion në mendimin e filozofinë politike të opozitës  është i theksuar, sepse ka një divergjencë të theksuar. Kryetari i PS-së Edi Rama, kur u miratua me konsensus kjo reformë zgjedhore, deklaroi nga Selaniku se : “ Garantoj të gjithë shqiptarët, se me ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor, zgjedhjet do të jenë të lira, demokratike”, dhe tani është e pakuptimtë çdo ankesë e bërë. Unë mendoj se cilido variant të ndodhë në 23 Qershor, në Shqipëri nuk mund të ketë zhvillime pozitive, sepse edhe në mazhorancë, edhe në opozitë ekziston një prirje, kërkohet që institucionet politike të shtetit të përdoren për interesat partiake. Unë shikoj që programet  dhe alternativat që paraqiten, janë demagogjike dhe nuk pasqyrojnë një realitet konkret. Për faktin që kemi një mazhorancë, e cila krizën ekonomike e pasqyron si  një mrekulli shqiptare dhe, nga ana tjetër, kemi një opozitë që në këtë kohë krize, kërkon që të kemi ritme të larta zhvillimi. Nga të dyja krahët, kemi të njëjtin argument qeverisjeje. Premtohet nga opozita se do të hapë 300.000 vende pune dhe nga mazhoranca për 250.000 vende pune. Vetë ky deklarim tregon mendësinë tatiste të këtyre blloqeve politike, sepse në ekonominë e tregut, nuk është shteti e qeveria që hap vende pune, por biznesi, që është gjeneratori i ekonomisë. Në Shqipëri, ende nuk është kuptuar që duhen ndërtuar politika për nxitjen e punësimit. Duhen ndërtuar politika për të dhënë stimul te punëdhënësit, të cilat nëpërmjet  mekanizmave stimulues financiarë, të hapin vendet e punës. Mazhoranca e opozita ende nuk e kanë kuptuar që në tregun e lirë të punës,  shteti e qeveria duhen të shndërrohen në partnerë socialë, me qëllim që në treg të veprojnë 3 faktorë operatorë, 3 partnerë socialë. Punëdhënësit shqiptarë, punëmarrësit shqiptarë dhe ekzekutivi, i cili duhet të shndërrohet në partnerin social e jo në kamxhikun që godet sa herë kur punëdhënësit nuk respektojnë interesat politike të caktuara. Unë jam i befasuar nga opozita kur premtojnë heqjen e taksës së biznesit të vogël. Unë mendoj se nuk duhet të ekzistojë kurrë ne fjalorin politik “heqja e taksës”, por  të ekzistojë “ ulja e taksës”. Unë nuk e kuptoj këtë opozitë, e cila   premton se do të ulë akcizat, do të ulë tatimin mbi vlerën e shtuar në shumë sektorë, e nga ana tjetër, do të bëjë shërbimin shëndetësor falas, do të rritë pagat e pensionet. Por, nuk na përgjigjet: Cili do të jetë burimi i të ardhurave? Në Shqipëri ka një diskutim thjesht elektoral, e cila kam përshtypjen, që shikohet me shumë shqetësim nga ata që e kuptojnë ekonominë. Kështu premton edhe mazhoranca kur premton tani se do rrisë pagat e nëpunësve shtetërorë, pensionet, në një kohë kur borxhi i Shqipërisë është mbi 69 %,  ai reali. Kjo tregon se kjo mendësi politike nuk mund të sjellë progresin që dëshirojnë shqiptarët. Unë mendoj se cila do palë politike që do të fitojë zgjedhjet, do të jetë përballë një trysnie të madhe, sepse nuk do të jenë në gjendje të mbajnë premtimet e dhëna.

Atëherë, cili është qëndrimi  elektoral i LDP-së?

LDP-ja u bën thirrje shqiptarëve që ta votojnë alternativën tonë politike, sepse kemi vizionin perëndimor  moral e politik të qëndrueshëm. Shqipëria do të zhvillohet kur individi të jetë i lirë, i lirë në botën e vet politike, të garantohet mirëqenia sociale e standardeve të larta, e shteti të mos jetë një kompromis partiak, e aq më keq, kompromis kryetarësh, por një funksionim normal i Kushtetutës.

Pas 23 Qershorit, procesi i integrimit do të marrë zgjidhjen që dëshirojnë shqiptarët?

Më ka befasuar zoti Ngjela me një deklaratë. “Jepni votat opozitës dhe për 2 muaj do të marrim statusin e kandidatit”. Duke e bërë këtë deklaratë, përfaqësuesi i opozitës, ai njëkohësisht,  deklaron se opozita qëllimisht nuk ka dashur të merret statusi kandidat i BE-së, pasi konsiderohet si një avantazh politik i mazhorancës. Ky mendim është naiv, madje shumë i dëmshëm, sepse ata që duhet të fitojnë nëpërmjet politikës dhe vendimmarrjeve të mëdha, janë e duhet të jenë shqiptarët, e jo partitë. LDP-ja e ka denoncuar qëndrimin e opozitës, e cila nuk ka dashur që të votojë 3 ligjet. Opozita tani, Qarkun e Fierit e ka fituar, tani nuk ka më shkak,  përse nuk i voton 3 ligjet? Ajo që më bën përshtypje të keqe, është avokatoria e Ilir Metës, për llogari të PS-së, derisa i kërkon Berishës të votojë 3 ligjet. Duhet PS-ja t’i kërkojë publikisht PD-së të votojë 3 ligjet e integrimit, duke u kërkuar, njëkohësisht, falje gjithë shqiptarëve, për vonesën e mosvotimit.

– Cila do të jetë alternativa që do të qasë LDP-ja elektoratit?

–  Sot, pas 23 vjetësh, është shumë e vështirë për të gjetur dallime midis  programeve politike të partive që quhen të djathta dhe partive që konsiderohen të majta. Ky dallim nuk ekziston më as në sjelljen politike të liderëve kryesorë dhe të gjithë këta synojnë e mundohen t’i ngjajnë liderit të  së djathtë, Berishës. Lideri i PS-së ka një autoritet të munguar dhe mundohet ta plotësojë këtë me përjashtimin e mendimit ndryshe, mospranimit të kritikës, mospranimit të debatit dhe për t’i ngjasuar Berishës, Rama mundohet të ketë një autoritet, i cili sjell mungesën e një demokracie të brendshme. Në këtë sens, nuk ka më dallime, as në programe dhe as në sjelljen politike të lidershipëve.  Ne kemi një model të munguar demokratik dhe për ta plotësuar këtë vakum politik, që është shumë i nevojshëm në demokracitë e zhvilluara parlamentare, LDP-ja është një parti postideologjike, e cila veprimtarinë e vet nuk e mbështet mbi një ideologji të caktuar, është kundër sjelljeve politike, ku marrëdhëniet institucionale janë zëvendësuar me marrëveshjet e kryetarëve, jemi kundër sjelljes politike të braktisjes së institucioneve politike  dhe të zhvillimit të aktivitetit politik  partiak, jemi kundër mendësisë partiake, e cila po zëvendësohet  në një sidrom të rrezikshëm më prirje të forta partiokratike, e cila synon që të zëvendësojë legjislacionin, Kushtetutën, me autoritetin partiak. LDP-ja synon që të vendosë kulturën institucionale të munguar, ka një vizion perëndimor për demokracinë, ajo është kundër praktikës të zëvendësojë gjithë administratën shtetërore me militantë partiakë dhe, mbi të gjitha, synon që t’u japë institucioneve pavarësinë dhe të sigurojë drejtësinë si paanshmëri.