Dr. Ina Zhupa: PD ka një program konkret për çdo fushë, Lulzim Basha ka ndërmarrë angazhime të qarta para shqiptarëve

475
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Rinia do jetë promotori i ndryshimit dhe do jenë të parët që do na besojnë votën

Dr. Ina Zhupa, zëdhënëse e PD-së në intervistën për gazetën “Telegraf” zbardh programin e PD-së për ditën e nesërme nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, duke shprehur bindjen se Opozita e Bashkuar do të jetë fituese, sepse “Ne kemi një program konkret për çdo fushë, Lulzim Basha ka ndërmarrë angazhime të qarta para shqiptarëve”. Zonja Ina Zhupa pohon seVetëm Lulzim Basha ka përvojën dhe njohjet e duhura për ta kthyer Shqipërinë në drejtim nga rruga e BE, ndërkohë që Rama na ka çuar në drejtim të paditur. Ai ka treguar që di të bëjë punë të mëdha për vendin, si liberalizimin e vizave, futjen në NATO”. Dr. Ina Zhupa, thotë se Partia Demokratike ka në gjirin e saj gjithë kapacitetet njerëzore intelektuale, që mund t’i ndryshojnë faqen Shqipërisë dhe mund të vihen në shërbim të vendit.

“Do të krijojmë 4 inkubatorë biznesi gjatë mandatit të parë për të zhvilluar ide inovative dhe për të nxitur sipërmarrjen dhe punësimin në vend. Skema subvencionimi për të gjithë të rinjtë nga zonat e varfra rurale të vendit që duan të nisin një biznes”

 Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

– Zonja Zhupa, si e shikoni gjendjen aktuale të menaxhimit të pandemisë, duke qenë se shifrat po rriten çdo ditë?

– Pandemia zhveshi edhe atë fije propagande që kishte ngelur ende nga qeveria në ikje. Nxorri në pah dështimin e plotë të Ramës në çdo fushë. Keqmenaxhim i plotë i pandemisë e tregon edhe fakti që sot një vit pas nisjes së infektimeve në vend, ende s’ka një plan masash konkrete për t’u përballuar me pandeminë, vetëm gjoba dhe burg për qytetarët. Nëse masat do të ishin marrë, testimet do të ishin shtuar, mjekët do të ishin ndihmuar, nuk do të ishte kjo situatë. Edi Rama e ka humbur kontrollin mbi pandeminë, sepse ka refuzuar me kokëfortësi dhe arrogancë planet e qarta të Lulzim Bashës për ta përballuar pandeminë. Plani me 5 pika do ta ndihmonte Shqipërinë për të ruajtur shëndetin e shpëtuar jetët e qytetarëve dhe për të shpëtuar ekonominë shqiqptare nga kolapsi i plotë, ku ka rënë sot. Ne sot jemi në ditën me të keqe të sistemit shëndetësor dhe të ekonomisë në vend.

“Ne angazhohemi të ofrojmë 5000 bursa sociale dhe përgjysmimin e tarifave të studimit për të gjithë. Ne do të japim ndihmë shtesë për të rinjtë nga familje me të ardhura nën 64,000 lekë të reja në muaj”

– Ju jeni një nga hartueset e programit të rinisë. Çfarë ofroni ju, që rinia t’ju besojë votën më 25 prill?

– Ne kemi një program konkret për çdo fushë, ku Lulzim Basha ka ndërmarrë angazhime të qarta para shqiptarëve. Jam krenare për punën e jashtëzakonshme që është bërë me ekipin e rinisë, bashkë me FRPD, një strukturë tejet vitale e partisë. Rinia do jetë promotori i ndryshimit dhe do jenë të parët, që do na besojnë votën. Në 8 vite dështime të Ramës: mbi 50% e popullsisë shqiptare e moshës 18 deri 40 vjeç (940 mijë njerëz) duan të largohen nga vendi. Në moshat 19-27 vjeç, 74% e tyre duan të emigrojnë. 94% e studentëve shqiptarë që mbarojnë studimet jashtë nuk duan të kthehem më. Ne angazhohemi të ofrojmë 5000 bursa sociale dhe përgjysmimin e tarifave të studimit për të gjithë. Ne do të japim ndihmë shtesë për të rinjtë nga familje me të ardhura nën 64,000 lekë të reja në muaj.  Qeveria Basha do mundësoj praktikën e paguar pune prej 30 mijë lekësh të reja në muaj për 10,000 studentët e ekselencës për një periudhë 12 mujore. Do të krijojmë 4 inkubatorë biznesi gjatë mandatit të parë për të zhvilluar ide inovative dhe për të nxitur sipërmarrjen dhe punësimin në vend. Skema subvencionimi për të gjithë të rinjtë nga zonat e varfra rurale të vendit, që duan të nisin një biznes.  Ndaj çdo i ri do na besojë votën, sepse çdo i ri fiton me këtë plan.

“Ne do të shfuqizojmë ligjin e Arsimit të Lartë, i cili cenoi rëndë autonominë universitare dhe liritë akademike, degradoi standardet e vetëqeversisjes, dobësoi statusin e pedagogëve, injoroi interesat e studentëve. Ne angazhoheni për një sistem arsimor të depolitizuar e meritokratik”

– Ju jeni pedagoge, cili është plani juaj  për të ndryshuar Arsimin në Shqipëri?

– Situata e vështirë e Arsimit në vend të bën natyrisht të jesh mosbesues se si mund të ndryshojë kjo gjendje. Banka Botërore llogarit se 90% e objekteve arsimore janë pa kushtet minimale. Shqipëria nuk ka kapacitete në infrastrukturën e dixhitalizimit, nuk siguron internet dhe mbi 50% e familjeve nuk kane as kompjuter e as laptop. Por është përgatitur një plan i detajuar me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj. Ne do të shfuqizojmë ligjin e Arsimit të Lartë, i cili cënoi rëndë autonominë universitare dhe liritë akademike, degradoi standardet e vetëqeversisjes, dobësoi statusin e pedagogëve, injoroi interesat e studentëve. Ne angazhoheni për një sistem arsimor të depolitizuar e meritokratik që të sigurojë arsimim të barabartë, jo diskriminues e cilësor. Universitetet do të jenë pasuri kombëtare dhe gjenerator i dijes, kërkimit shkencor dhe inovacionit për zhvillimin e vendit. Ligji  i ri arsimit të lartë do të sigurojë autonomi të plotë universitare, por më së pari do të respektojë të drejtat dhe liritë e studentëve e pedagogevë.

“Vetëm Lulzim Basha ka përvojën dhe njohjet e duhura për ta kthyer Shqipërinë në drejtim nga rruga e BE, ndërkohë që Rama na ka çuar në drejtim të paditur. Ai ka treguar që di të bëjë punë të mëdha për vendin, si liberalizimin e vizave, futjen në NATO.”

Gjithë këto premtime që ju keni, kanë mbrapa edhe një faturë financiare, e cila duket shumë e lartë për t’u përballuar. Ku do i gjeni paratë?

– Paratë janë aty, por kanë shkuar për incenerator, për check up, për PPP pa asnjë vlerë për qytetarët. Këto janë paratë që qytetarët shqiptarë do të kursejnë nga abuzimet e tmerrshme të  qeverisë së dështuar të Ramës. Ne këto para do t’i investojmë tek qytetarët, te krijimi i vendeve të punës dhe tek ndihma ekonomike për ata që janë në nevojë. Ne nuk do hedhim para për të rritur rrogat e pushtetarëve, për tendera luksi, për udhëtime me miqtë dhe për darka luksoze në restorantet e Dubait. 7 miliardët që ne do të investojmë do ta transformojnë vendin dhe do sjellin rritjen ekonomike.

“Partia Demokratike ka në gjirin e saj gjithë kapacitetet njerëzore intelektuale, që mund t’i ndryshojnë faqen Shqipërisë dhe mund të vihen në shërbim të vendit”

– A do ketë Basha një ekip për të fituar në këto zgjedhje parlamentare të 25 prillit?

– Partia Demokratike ka në gjirin e saj gjithë kapacitetet njerëzore intelektuale që mund t’i ndryshojnë faqen Shqipërisë dhe mund të vihen në shërbim të vendit. Ekipi jonë do jetë fitues pa asnjë dyshim. Lulzim Basha e ka treguar vullnetin e tij që asnjë njeri i lidhur me krimin, me drogën, me paligjshmërinë nuk do jetë pjese e ekipit të tij. Pikërisht dekriminalizimi ka qënë një nga betejat e fituara të Bashës. Ne kemi bërë një proces ku vetë anëtarësia është shprehur me votë për kandidatët e mundshëm për deputet. Gjithashtu ju mund ta shikoni edhe vetë drejtuesit tanë politik në qarqe, nuk krahasohen largësisht me ata të qeverisë në ikje. Nuk mund të krahasosh një intelektual, djalë Vlore, si Bujar Leskaj, me anëtarin e dosjes 339, Damian Gjiknurin. S’mund të krahasosh Tomor Alizotin, një patriot antikomunist, pedagog me Blendi Klosin e muzikës infektuese. S’mund të krahasosh Edi Palokën, gazetar, politikan karriere me Ard Çelën e masakrës së OSHEE. S’mund të krahasosh profesorin e ekonomisë, burrin me dinjitet Edmond Spaho me Nikon e vajit të palmës. S’mund të krahasosh ekipin e drejtuesve të Tiranës me ekonomist, biznesmen, të rinj të shkolluar, me Elisën, Erjonin apo Ballukun etj.

“Keqmenaxhim i plotë i pandemisë e tregon edhe fakti që sot një vit pas nisjes së infektimeve në vend, ende s’ka një plan masash konkrete për t’u përballuar me pandeminë, vetëm gjoba dhe burg për qytetarët”

– Zonja Zhupa, ju jeni njeri i afërt i kryetarit Basha dhe e zgjedhura e tij prej 7 vitesh si zëdhënëse e PD, pse mendoni se njerëzit duhet të votojnë Lulzim Bashën për kryeministër?

– Pikërisht se jam pjesë e ekipit të tij dhe e njoh nga afër Lulzim Bashën mund të them me bindjen e plotë që ai është i vetmi që mund të sjellë ndryshimin që kaq shumë kemi nevojë të gjithë pas 8 viteve dështim të qeverisë Rama. Vetëm Lulzim Basha ka përvojën dhe njohjet e duhura për ta kthyer Shqipërinë në drejtim nga rruga e BE, ndërkohë që Rama na ka çuar në drejtim të paditur. Ai ka treguar që di të bëjë punë të mëdha për vendin, si liberalizimin e vizave, futjen në NATO, rrugën e Kombit etj. Ju e keni parë sesi kryeministrat e vendeve anëtare të BE po e presin si kryeministër të ardhshëm që do vazhdojë axhendat europiane. Ndërkohë, që Ramën nuk e takon asnjë nga përfaqësuesit e vendeve europiane. Lulzim Basha ka ndërmarrë një  mision: t’u kthejë qeverisjen shqiptarëve dhe t’u kthejë mirëqenien shqiptarëve!! Është i vetmi që mund ta bëjë këtë dhe do ta bëjë këtë. Ndaj shqiptarët do e kthejnë 25 prillin në një referendum popullor, ku i vetmi që do të humbasë do jetë Rama dhe gjithë shqiptarët do fitojnë me Lulzim Bashën kryeministër.