Gëzim Zilja: Mos na zëntë nëma jote

340
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Në kujtesë të ngjarjeve të vitit 199

Duke ecur rrugëve të Vlorës në ditët e shkurtit të vitit 2002 dëgjova një këngë polifonike fjalët e së cilës më lanë pa frymë. Nuk po u besoja veshëve.

– Ktheje nga e para – i them “tregëtarit” me ngjyrë, që shiste kasetat në anë të rrugës. Njoha një nga jevgjit e lagjes “Partizani”, shumë aktiv në ngjarjet e vitit ’97 që ato ditë bridhte me kallash në krahë dhe mblidhte firma në një letër kartoni gjithë njolla vaji, për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Vrimat e pantallonave në gju, xhupi treçerekësh  këllirë, që dikur kishte qenë i kuq dhe këpucët e vjetra të kohës së Enverit me kambalet e grisura, nga të cilat dukeshin dy kavilje të palara s’dihet që kur, tregonin qartë se ushtari i ditëve të revolucionit të vitit’ 97, kishte ngelur po aq i varfër ndoshta edhe më keq.

– Kushton 2.500 lekë – gënjeu, duke parë interesimin tim të madh. Ndërkaq kënga kishte shpërthyer nga të dy autoparlantët e magnetofonit të vjetër. Mendja ime u kthye vetëtimthi pas, kur turmat ulërinin për kthimin e parave dhe në krye të tyre ishin gjithfarë vagabondësh, aventurierësh, vrasësish, kontrabandistësh e politikanësh të karrierës.

– Do e blesh apo jo?- më përmendi jevgu, duke më kapur nga brryli. Dhashë paratë dhe u largova. Fjalët e këngës i dëgjova me dhjetëra herë të tjera, ua tregova fëmijëve të mi, të afërmve dhe dashamirësve, të majtë e të djathtë. Ndikimi qe e njëjtë për të gjithë: tronditje dhe pendesë. Po i shkruaj fjalët e këngës pa hequr e shtuar asnjë fjalë:

Sa ke hequr e ke vuar
Pesëqind vjet sundim i huaj
Po ti prapë i gjallë erdhe
Nëpër gjakun tënd që derdhe

Ne të dogjëm dhe të vramë
Ne të mbytëm e të ndamë
Ne të zhvatëm ne të zhveshëm
Të plaçkitëm dhe të qeshëm

Ne të mbuluam me helme
Ne të bëmë kurban të djemve
T’u shaluam mbi kurriz
Dhe të vumë vellon e zisë

Ne që do të merrnim hakën
Të rralluam dhe të mpakëm
O Atdhe o babë e nënë
Të qëlluam me pëllëmbë

Sido që ta bëmë ti mbete
Veç ke zënë e flet me vete
I pamposhtur nëpër mote
Mos na zëntë nëma jote.

Në librin tim “Vrasës dhe Shpëtimtarë” botuar në vitin 2000, në pasthënie kam shkruar: Për ngjarjet e vitit ’97 kurrkush nuk ka guxuar të krijojë një vjershë apo të këndojë një këngë pendese. Në ato kohë të çmendur kur urrejtja shitej për atdhetarizëm, para universitetit  “Ismail Qemali”, këndoheshin këngët e urrejtjes e të vdekjes së shqiptarëve, kundër shqiptarëve.

Me sa duket ky merak i imi më në fund e paskish patur një përgjigje. Dhe ja ku kishte dalë  kjo këngë pesë vjet pas çmendurisë kolektive shqiptare. Ata shtatë lebër këndonin, duke e parë të vërtetën në sy, ata këndonin e qanin: “Ne të vramë, ne të qëlluam me pëllëmbë. Ne, ne.” dhe në fund “ O Atdhe o babë e nënë”. Në historinë e popujve të mëdhenjë e të vegjël, vështirë të mos gjesh shembuj të çmendurisë kolektive, të luftërave civile vëllavrasëse, deri të atyre për pushtimin e botës, që nga Alesandri i Madh e Çinghiz Khani e deri Frankua, Hitleri e Musolini. Dhe natyrisht nuk kanë munguar vargjet për lavdinë por edhe krimin. Sa këngë u kënduan te në për diktatorin?! Por gjëkundi nuk ka vargje të tilla, ku çasti i pendesës të ketë një forcë të tillë, që të shkaktojë dhembje, që dërrmon jo vetëm shpirtin por edhe kockat e njeriut. Shumë lart qëndron poeti anonim, krahasuar me politikanët e vjetër dhe të rinj. Ndoshta ky poet, ka shumë mundësi të jetë një nga ata që bënte sehir kur ju vihej flaka institucioneve të shtetit, pjeswtar i vjedhjes së magazinave ushqimore apo plaçkitës i depove dhe reparteve ushtarake. Ai thes me grurë që grabiti “Ditët e Kiametit” apo lënia e qytetit në duart e banditëve dhe të aventurierëve atij i përvëlon trupin dhe zemrën. Dhe i vjen turp, nuk ndihet mirë dhe thotë: “Ne të vodhëm, ne të vramë, ne të mbuluam me helme, o atdhe, o babë e nënë, ne që do të merrnim hakën.” Në këngë ndihet një pendesë e përmasave homerike. Vargjet e papërsëritëshme të padëgjuara kurrë më parë, dalin nga shpirtra të tronditur dhe të penduar të atyre njerëzve, që për një çast u çmendën dhe e qëlluan me pëllëmbë atë, “Atdheun e Pavdekshëm”, vendin që na lanë të parët, ku jetojmë ne sot e nesër do të jetojnë pasardhësit tanë. Mos na zëntë nëma jote! Sepse Atdheu edhe të mallkon edhe të nëm, të bën lanet. Mallkimi i atdheut qëndron në emrat e nxirë dhe të damkosur përjetësisht të atyre që shkaktuan mënxyrën e vitit 1997. Ne do të ikim një ditë nga kjo botë, sepse kështu e ka caktuar Zoti. Protagonistët e shkatërrimeve dhe vrasjeve të atij viti, do ta kenë emrim e shkruar brez pas brezi në librin e zi të historisë shqiptare sepse e vëteta nuk mbytet dot as në një det gjaku. Kësaj ja ka frikën poeti anonim. Kjo është  “Nëma” që mund t’i japë atdheu,  kësaj nëme, këtij mallkimi ai i druhet. Jo emrat e tyre dhe të pasardhësve në librin e zi të vitit ’97. Sepse ata gabuan e tashmë kërkojnë falje, kërkojnë ndjesë. Sado i rëndë të jetë faji apo gabimi është shumë njerëzore të thuash: Më fal! Dhe kjo nuk është pak. Ndoshta nuk do të ketë një monument turpi apo kujtese për ngjarjet e vitit 1997. Por për shumë e shumë kohë do të ketë një njollë turpi për ata shqiptarë, veçanërisht vlonjatë, nga qyteti e fshati, që ranë viktimë e lojërave të ndyra të politikës së egër shqiptare dhe segmenteve antishqiptare. Pa iu dredhur qerpiku ata terrorizuan e vranë vëllezërit e tyre, morën në dorë urën e zjarrit dhe i vunë flakën qytetit, flakë që më vonë do të përpinte gjithë Shqipërinë.

BALSH, ALBANIA, 15 MARCH 1997 — Albanian militiamen hold a piece of road linking Albania’s south with the capital Tirana. Anarchy broke out in the troubled Balkan nation after pyramide schemes collapsed earlier last month. Tens of thousands of AlbaniNorthfoto have taken the law into their own hands, demanding the government step down and their money be returned.
(C) Photo Credit: Mark H. Milstein/ Northfoto

P.S: Politikanët dhe gazetarët e të gjitha krahëve, që shkaktuan atë mënxyrë ia hodhën paq, vazhdojnë të jetojnë sot si pashallarë dhe të drejtojnë Shqipërinë. Asnjë deri sot nuk ka guxuar të kërkojë falje.