Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati tha se shtensionimi i raporteve qeveritare të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare duhet të ndodh sa më parë. Gjatë një interviste televizive në rtk, ish-diplomati u pyet nëse kryeministri Rama duhej të kishte dorëzuar draftin për asosacionin pa u konsultuar me Prishtinën zyrtare por Bushati tha se pa u konsultuar kjo gjë nuk duhet të ndodhte. Për Ditmir Bushatin Shqipëria duhet ta shohë Serbinë me sytë e Kosovës, ndërsa Kosova duhet ta shohë Shqipërinë si derë të parë për të trokitur. “Ne duhet ta shohim Serbinë përmes syve të Kosovës. Fakti që them, do të thotë se ka vend për përmirësim në këtë pikë. Sikundër që Kosova duhet ta shohë Tiranën, Shqipërinë, si derën e parë ku troket për të marrë një opinion apo për të marrë një ide. As e para e as e dyta nuk ka ndodhur. Fakti që nuk ka ndodhur as e para, as e dyta do të thotë që ka nevojë për kapilarizim shumë më të madh të këtij raporti, ka nevojë për shtensionim të raporteve ndërqeveritare”, deklaroi Bushati, derisa shtoi se marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri janë të shkëlqyera, sepse jemi degë të një trungu.” – tha Bushati. Për ngjarjen e ndodhur në veri të Kosovës ai tha se që nga momenti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës e deri me 24 shtator të këtij viti, të sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ka qenë një pikë kulmore në situatën e tensionuar, jo thjeshtë të marrëdhënies së Serbisë dhe të Kosovës, por edhe në kontekstin e sigurisë në Kosovë dhe në impaktin që ka për të gjitha vendet e rajonit. “Është një fazë më e avancuar, ky sulm ky agresion në Kosovë siç jemi mësuar të shohim në të shkuarën apo siç kemi parë në rastin e Malit të Zi, ku ka pasur gjithmonë tentativa për të kundërshtuar apo sabotuar pushtetin e Gjukanoviçit, në forma nga më të ndryshmet, por nga ana tjetër ky episod i fundit shpresoj, i agresionit në veri të Kosovës, nuk duhet të na surprizoj, pasi e dimë që Serbia nuk ka hequr dorë nga veprimet minuese për shtetin e Kosovës”. Sipas tij, nuk ka punë më të rëndësishme për shërbimin e jashtëm të Bashkimin Evropian se sa konsolidimi dhe evropianizimi i këtij territori, i këtij rajoni, që quhet Ballkan Perëndimor, prandaj mesazhi politik është i gabuar, në emrin e përfaqësuesi special për këtë çështje. Duke folur për marrëveshjen e Asociacionit në Bruksel dhe aneksi i Ohrit, sikundër edhe për marrëveshjet e 2013-ës dhe 2015-ës, ai tha se pikënisja për Asociacionin duhet të nis me njohjen e autoritetit të shtetit të Kosovës, nga komuniteti serb. “Për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, logjika ime thotë se pikënisja duhet të vij nga njohja e autoritetit të shtetit të Kosovës dhe këtu kemi precedentin e Kroacisë, pra duhet të njihet autoriteti i shtetit nga njerëzit e komunitetit, në rastin në fjalë serb, që do të përbëjë këtë asociacion dhe mënyra se si kjo gjë do të përkthehet në tërësinë e angazhimeve”. Bushati sqaroi më në hollësi elaborimin e çështjes së Asociacionit. Ai tha se për t’iu shmangur gabimeve, duhet marrë mësim nga pësimet e të tjerëve. “Gjëja më e rëndësishme është pika më përcaktuese për të ardhmen e funksionimit, jo thjesht të Asociacionit, por në radhë të parë të shtetit të Kosovës. Pse them pikërisht Kroacinë, sepse ne duhet të mësojmë nga gabimet që janë bërë në rajonin tonë, si kundër edhe komunitetit ndërkombëtar, duhet të nxjerrim mësime nga gabimet që janë bërë në këtë drejtim”, tha ish-Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.