Prof. Dr. Elmaz Leci: Dy veprat ushtarake të feudëve të mëdhenj Ali Pashës dhe Hoxhës në Porto Palermo, në shërbim të turizmit?

Prof.Dr. Elmas LECI
Drejtor Ekzekutiv
Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

Pothuajse përballë njëra tjetrës qëndrojnë në Gjirin e Palermos, dy vepra madhore mbrojtëse, dy fortifikata, dy kala; kalaja e Ali Pashë Tepelenës dhe Tuneli i nëndetëseve të Enver Hoxhës. E para qendër muzeale prej vitesh, e dyta sapo hapi portat e mëdha të beton armesë. Të dyja konceptuar si qendra muzeale, e para prej vitesh dhe e dyta sapo shpallur. Të dyja  përbëjnë një kompleks nëse konceptohet drejt edhe vepra e dytë Tuneli i nëndetëseve. Të dyja janë me vlera të mëdha turistike, ndonëse vendimi për Tunelin e nëndetëseve, perceptohet si një vendim i vonuar.

Sigal

Kush nuk do i lakmonte për t’i shikuar ato, Kalanë e Ali Pashës vepër mbrojtëse për të shoqen dhe Tunelin e nëndetëseve vepër mbrojtëse për regjimin e Enver Hoxhës, qoftë turistë të huaj apo edhe të vendit, dhe pse ndofta edhe nga nostalgjikët për atë kohë, të cilët përse të mos i shikojnë e të meditojnë, mjafton që të ardhurat të vijojnë për buxhetin. Madje organizimi për shikimin vizual e praktik, si i Kalasë dhe i Tunelit të ishte i programuar i përbashkët, duke bërë edhe shëtitje me varka të posaçme brenda tunelit nga hyrja e Gjirit të Palermos në daljen e tij në Detin Jon.

Fantazistët mund të punojnë me opsionet e tyre për ta bërë vizitën e turistëve sa më joshëse e  njohëse dhe interesante, si me funksionimin e Kalasë në kohën e Ali Pashës edhe me opsionin e ndërtimit e të funksionimit të Tunelit të nëndetëseve shqiptare në një periudhë të caktuar historike. E kjo bëhet me njerëz të ditur, që e kanë pasion historinë e jo të ndodhi si disa vjet më parë në Muzeun Apoloni, ku “ciceroni” ishte roja i muzeut, që kishte mbaruar për zooteknikë. Sinqeriteti i tij ishte se “shyqyr” që e kishte siguruar atë punë si aktivist apo patronazhist, ishte mëse i respektueshëm, veçse ishte akuzë sinqeriteti i tij ishte akt akuzë për ministrinë tonë të Kulturës, që flet mbi mjerimin e qendrave tona historike.
Në këtë kuadër nuk bën përjashtim as Kalaja e Ali Pashës në Palermo, me një histori interesante, por që empiriokisht është po në atë gjendje. Tek e viziton, ndonëse paguan tarifën, nuk të thotë njeri Historinë e saj dhe të Ali Pashës, ndonëse në Kalanë e Janinës që është po e Ali Pashës, të thonë “që Ali Pasha ishte pasha turk”. Po po, ashtu ishte pasha turk, por ishte shqiptar e luftoi dhe mbrojti deri në fund pashallëkun e tij shqiptar me synimin e shkëputjes nga perandoria osmane. Në Kalanë e Palermos sheh bedenat, por nuk të thotë asnjeri se përse dhe cili ishte objekti strategjik i saj. Thuhet në Histori se Ali Pasha e ndërtoi në shërbim të së shoqes së tij Vasiliqisë, ku veç Kalasë, që ia kushtoi Aliu muhamedan të shoqes, asaj i ndërtoi apostafat edhe një Kishë. Sa histori interesante të një pashai shqiptar, që me Kalanë Ali Pasha synonte të mbrohej e të qeveriste si feudal mesjetar shqiptar.
Turisti, sapo shkel në këtë vepër të vlerësuar inxhinjerike të kohës, në Kalanë Ali Pashes kërkon të dijë si u ndërtua Kalaja, përse u ndërtua ajo, përse këtu në Gjirin e Porto Palermos, kur filluan punimet, sa zgjatën ato, si jetonin njerëzit në atë Kala, a vinte Ali Pasha atje, si ishte e pajisur ajo, a pati dyer, po dritare, ujë etj etj? Këto deri më sot nuk i gjen dot e nuk i mëson me zooteknikë si në Apoloni.
Ndërsa për Tunelin e nëndetëseve veç hapjes “ceremoniale” të dyerve gjigande, është thënë se do jetë edhe një Muze i Luftës së Ftohtë. Të tilla ide, si Muze i Luftës së Ftohtë, apo i “luftës së nxehtë”, as nuk ia rrit e as nuk ia ul vlerën Tunelit, veprës inxhinjerike mbrojtëse të Shqipërisë së diktaturës. Ajo që tërheq vëmendjen për turistët do të ishte paraqitja e kësaj vepre ashtu siç ishte, një çmenduri e politikës së Enver Hoxhës.

Tuneli i Porto Palermos është një vepër gjigante nga ato që nuk janë të dukshme, por që vlera e tij është sa tri hidrocentrale të kaskadës së Drinit të marra së bashku. Ky tunel ka qëndruar i fshehur për vite me radhë në brendësinë e një mali dhe nuk u shfrytëzua kurrë. Kjo sepse në momentet e përfundimit të tij regjimi komunist ra. Kjo vepër nuk u pa kurrë nga njerëzit, me përjashtim të atyre që ishin të përzgjedhur me kujdes për ndërtimin e saj. Tuneli është 980 metra i gjatë, 11 metra i lartë dhe 8 deri në 11 metra i thellë, 12 metra i gjerë dhe që shoqërohet me disa ndërtime deri në 4 kate. Kjo vepër, sipas kalkulimeve të asaj kohe, ka kapur shifrën 418 milionë dollarë ose e konvertuar me vlerën e sotme sipas një kalkulimi që bëhet në internet 1.8 miliardë euro.

Për ndërtimin e tij kanë punuar rreth 1000 persona në kushte ekstreme. Sipas të dhënave të procesverbaleve të mbajtura në bazën ushtarake, vetëm një prej menteshave, ardhur nga Kina, kushtonte 75 mijë euro. Dyert e vendosura në tunel ishin llogaritur t’i rezistoni çfarëdolloj shpërthimi, madje edhe shpërthimeve atomike. Gjatë ndërtimit të tij kanë humbur jetën rreth 100 punonjës, por vetëm 93 prej tyre janë dokumentuar. Shifrat mbeten kaotike pasi jo të gjitha vdekjet brenda tunelit raportoheshin, pra ai hëngri sa e sa koka njerëzish ushtarë e oficerë, që gjetën vdekjen në bedenat e saj tokësore e ujore detare dhe më së fundi kur u ndërtua Lufta e Ftohtë kishte pothuajse mbaruar së bashku me nëndetëset tona të shekullit të kaluar. Aq më shumë që rezultoi që prurjet detare në dalje të Tunelit ishin në disfavor të lundrimit e si rezultat as që patën as fatin ta provonin nëndetëset tona “sulmuese”.

Njëzetetre vjet për një punë megallomane politike për të çelur atë vrimë me të cilën do të mbronim socializmin vetizolacionist shqiptar. “Çmenduria politike”, kjo duhet të jetë deviza e vizitës në atë vepër “gjigande” pa sens, qoftë edhe në kohën e Luftës së Ftohtë. Eh ç’më kujtoi vite e vite të shkuara të 1985-s, kur ne luftonim me mullinjtë e erës. Si përgjegjës për sektorin e jashtëm të gazetës së Ushtrisë, një bashkëpunëtor në atë që ne e quanim “rubrika e ushtrive të huaja”, kishte shkruar një artikull për një lloj nëndetëseje amerikane. Botimi u bë një problem i madh se “përse është shkruar, ç’qëllim kishte autori (ish një ish gazetar i ditur i ATSH-s) dhe përse ja kisha botuar artikullin?! Çështja u bë e madhe dhe me porosi nga lart u urdhërova që së bashku me autorin e artikullit për nëndetëset e huaja, të bëja ballafaqim me Komisarin e Flotës Detare Ushtarake, që ishte edhe anëtar i Komitetit Qendror. Të dy me autorin e shkrimit, sipas porosisë shkuam te Komisari anëtar i KQ të PPSH-së. Na priti vëngër e menjëherë nga sirtari i tavolinës nxori gazetën me artikullin e nëndetëseve e kishte nënvizuar me laps të kuq. Ky ishte takimi i parë që bëja me atë njeri. Po e shikoja e psikologjisja me vëmendje si “njeri të madh”, anëtar i Komitetit Qendror… Që kur e nisi bisedën rreth nëndetëses që përshkruhej në gazetë, kuptova se ai ishte komplet një nul, dmth një nivel mediokër. Shoku im gazetar dhe autor i artikullit njohës, po i ndiqte argumentet e tij me indiferentizëm. Pasi broçkulliti sa mundi se “ne paskeshim sabotuar vijën mbrojtëse të PPSH etj, autori i artikullit e ndërpret e i thotë: “Me fal shoku Komisar, për çfarë nëndetësesh e keni fjalën ju”?! -“Ja, për ato si tonat,- ja pret shkurt Komisari “i madh”. “Jo jo, -ja kthen bashkëpunëtori im, -kjo që flas e kam shkruar unë është nëndetëse bërthamore”. Komisari u zu ngushtë e nuk dinte nga të dilte. Nejse, dhe kështu u mbyll kjo historia e nëndetëseve të armikut dhe tonat me atë rrotull Komisar. Ja këta njerëz që jo vetë harxhuan miliardat në 23 vjet punë skllavërore në Palermo, por as nëndetëset nuk patën kënaqësinë të na i strehonin atje e t’i “shërbenin Luftës së Ftohtë”, që mori ujë e u ftoh nga koha e ndryshimeve madhore.
Pra bëra një intermexo se më nxiti njoftimi se “në Palermo dhe tamam në Tunelin e nëndetëseve do bëhet një Muze i madh i Luftës së Ftohtë”. Hane Shane e hane Bagdad! Ku Lufta e Ftohtë e ku Shqipëria! Gjithnjë duam të matemi me hijen e mëngjesit në vend që ta kishim çelur me kohë atë tunel e të kishim marrë lekë me kuriozitetin që mbart se si u ndërtua, sa vetë punuan për 23 vjet, sa i kushtoi ekonomisë se rrënuar socialiste shqiptare, që me ato fonde marramendëse e rrënoi keq e më keq ekonominë e këtij vendi të mjeruar, etj etj., duke dalë në konkluzionin se ajo si vepër, Tuneli i nëndetëseve ishte një vepër e çmendurisë politike të një feudali të kohës së re, siç ishte Enver Hoxha.