Vangjel Mile: Skuadrat të shikojnë më shumë nga futbolli i akademive

95
Sigal

SUPERIORE/ Specialisti i futbollit Vangjel Mile, analizon garën që u mbyll, ka edhe një këshillë!

Agron KAJA

Agron Kaja

Edhe pse Abissnet Superiore e mbylli sezonin një muaj më parë, disa skuadra janë ende në përgatitje, ndërsa ka edhe të tjera që nuk kanë dhënë sinjale për nisjen e fazës përgatitore verore. Për ecurinë e garës në sezonin e kaluar, specialisti i futbollit Vangjel Mile u shpreh dje për gazetën “Telegraf” se nga disa skuadra kishte oshilacione, por skuadrat morrën atë që dhanë në fushën e lojës. “Mendoj se fitoi ekipi që e meritoi titullin kampion, ndërkohë që edhe ekipet që do luajnë në Europë e merituan atë renditje në fundin e kampionatit. Por kishte edhe ekipe që treguan oshilacione, ku në zonën “Final 4” më dukshëm ishin Tirana e Partizani. Sepse Tirana nuk kishte stabilitet në gjithë ecurinë e saj të garës, ndërsa Partizani vuajti ndryshimet e shumta në gjysmën e dytë të sezonit. Por mund të ndodhte që të kishim një renditje ndryshe, por kjo pa prekur ekstremet e tabelës. Sepse duke parë Partizanin me Elbasanin në duelin mes tyre, kryesisht në fazën e katërt, vetëm 1 pikë i ndau që ishte vëndi i katër. Në fakt, renditja e tregon se ku je, atë që meriton e merr”, kështu e nisi dje bisedën Drejtori i Akademisë së Futbollit të Tiranës, Vangjel Mile, i cili mendon se të gjitha skuadrat duhet që të kishin nisur përgatitjet për sezonin e ri, ndërsa për ato që luajnë në Europë, Mile ka kritika. “Në momentin që ekipet përgatiten tani për Europën, janë prapa, sepse ato duhet të fillonin që në janar. Parapërgatitjet janë të rëndësishme, me plane afatgjata e minimuni afat mesme, jo afatshkurtra. Vetëm Egnatia e ka ruajtur grupin, ndërsa të tjerat i mendoj të vonuara, madje edhe ato që nuk kanë impenjime në Europë. Sepse sa më shpejt që nisin përgatitjet, aq më mirë rekuperohen gabimet, duke e parë realisht shikon gjendjen aktuale. Më shpejt krijon mundësi seleksionimi, por merr edhe nga sektori i të rinjve. Unë mendoj se me më shumë orë pune, produkti është më i mirë. Është e domosdoshme që skuadrat e Superiores të shikojnë më shumë nga futbolli i moshave. Te Akademia e Tiranës, 60% e U19 do zhvillojnë fazën përgatitore me ekipin e parë, që të njohë më nga afër lojtarët që mund të grumbullojë”. Për skemën me 10 skuadra dhe “Final 4”, Mile është dakord, me mendimin se përderi sa e fitoi ekipi që e udhëhoqi kampionatin, dhe të katër ekipet kryesuese ishin komode me këtë formulë, është në rregull. “Katër të parat e ulën ritmin e garës, ndërsa me vëndet e tjera funksionoi si formulë, sepse gara u luajt deri në javën e fundit”, ishte kjo biseda me specialistin e futbollit Vangjel Mile.

“Blindohet” Tirana, dy mijë forca policore për sigurinë

Sot në kryeqytet do të ketë masa të rrepta sigurie në drejtim të qarkullimit rrugor, të kontrollit të tifozëve në hyrje për në stadium, por edhe të atyre që s’do të mund të hyjnë dot. “Blindohet” Tirana për mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë në ndeshjen Shqipëri-Serbi, ku do të jenë të angazhuara dy mijë forca policie për garantimin e rendit, përfshirë njësinë RENEA, FNSH, Antiterrorin dhe SHISH-in. Siguria më e madhe do të jetë me skuadrën përfaqësuese serbe, e cila do të shoqërohet me forca të shumta policore dhe me masa të rrepta sigurie, nga momenti i mbërritjes në Rinas në Tiranë, dhe deri në largim pas përfundimit të ndeshjes. Në të tilla kushte, të gjithë qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm, ndërsa ata që do shkojnë në stadium do kenë kontrrolle të rrepta.

Serbia nga dje në Tiranë, në masa të forta sigurie

Skuadra e Serbisë mbërriti dje në Shqipëri, dhe po atë pasdite dolën në konferencën për shtyp trajneri dhe kapiteni, ndërsa zhvilluan seancën e fundit zyrtare në stadiumin “Arena Kombëtare”, ku do të luhet ndeshja Shqipëri-Serbi. Ekipi dhe delegacioni i Serbisë janë akomoduar në hotel “Hilton”, edhe pse federatës serbe i ishte sugjeruar që skuadra të qëndronte te hoteli “Marriot”, i cili ndodhet në kullën e stadiumit. Por për arsyet e tyre, diçka e tillë nuk është pranuar. Kombëtarja shqiptare do të presë mbrëmjen e së shtunës, në stadiumin “Arena Kombëtare” përfaqësuesen e Serbisë, me ndeshjen që do të fillojë në 20:45.

“Arena Kombëtare” për pesë vjet rikthehet në “Air Albania”

Marrin fund dilemat, “Arena Kombëtare” për 5 vitet e ardhshme transformohet përsëri në “Air Albania”. Pak muaj pas përfundimit të marrëveshjes së parë mes palëve, FSHF dhe kompania në fjalë, kanë nënshkruar për 5 vitet e ardhshme marrëveshjen e re, duke emërtuar kështu stadiumin kryeqytetas me emrin që ka mbartur që pas rindërtimit të tij në vitin 2019. Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur marrëveshjen e re për të drejtat e emërtimit të Stadiumit Kombëtar në Tiranë, dhe për pesë vitet e ardhshme stadiumi do të vijojë të mbajë emrin “Air Albania Stadium”, në kuadër të një partneriteti të ri me kompaninë ajrore kombëtare. Marrëveshja u firmos në Shtëpinë e Futbollit nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe nga Administratori i kompanisë “Air Albania”, Sinan Isik.

Nga dje, nisi axhenda e re bardheblu

Data 10 qershor 2025 është dita e ndryshimeve bardheblu. Në klubin kryeqytetas bëjnë me dije se presidenti Refik Halili nuk do të bëjë asnjë lëvizje deri të martën. Kështu duket sikur Tirana po nis revolucionin për sezonin e ri, ku edhe zyrtarizoi largimin e Agim Ibraimit nga detyra e drejtorit sportiv. Pasuesi i tij do të jetë Tefik Osmani, i cili do të ndërtojë skuadrën 2025-2026. Në këto pesë ditë do të ndajnë gjërat me lojtarët aktualë, dhe pastaj nist starti për sezonin e ardhshëm.

Rikthimi në shtëpi, Skuka tre vite me Partizanin

Me ardhjen e tij, Skuka konfirmon edhe largimin e sulmuesit Eleke nga Partizani. Duke qënë lojtari më i ri i Partizanit, 26-vjeçari bëhet kështu përforcimi i parë për merkaton e verës, dhe klubi nuk ka vonuar ku edhe e ka prezantuar me video përmes rrjeteve sociale. Kontrata e firmosur nga Skuka është e vlefshme për tre vite me Partizanin, e cila njëherësh konfirmon edhe largimin e Elekes. Ai do të mbajë numrin 10 në fanelë, ndërkohë që më parë ka mbajtur numrin 9.

Te Flamurtari vendoset afat, më 15 qershor trajneri ri

Nga mbyllja e sezonit të kaluar, ku ishte pjesë e Kategorisë së Parë dhe u ngjit në Abissnet Superiore, skuadra e Flamurtarit është pa trajner. Drejtuesit e klubit kanë qënë në lëvizje dhe dje është përfolur se do ta ketë trajnerin i ri brenda 15 qershorit. Ky është afati që është vendosur nga bordi i klubi vlonjat, i cili po shqyrton kandidaturat. Por një tjetër emër si kandidat i mundshëm po qarkullon në Vlorë, bëhet fjalë për Shpëtim Duron, i cili mund të rikthehet te kuqezinjtë.

Lushnja i beson Xhafës, bëhen rinovime dhe afrime

Pasi e konfirmoi trajnerin Erion Xhafa për sezonin e ri, dje klubi i futbollit të Lushnjës ka njoftuar dy rinovime lojtarësh, si dhe një afrim të ri. Bëhet fjalë për sulmuesin Ibrahim Romeo Olola, protagonist në sezonin e kaluar, i cili së bashku me Uillifred kanë rinovuar kontratën me ekipn lushnjar deri në vitin 2027. Por klubi lushnjar ka afruar në ekip edhe ish-mesfushorin e Vorës, Odirah Ntephe, i cili do të vijojë një aventurë të re te skuadra lushnjare.