INTERVISTA/ Prof.Dr. Artan Shytaj tregon se, ritmi dhe ekuilibri janë bukuria e këtij kampionati
Agron KAJA

Në këndvështrimin tuaj, si ishte paraqitja e skuadrave të Superiores në ndeshjet e javës së 20-të?
Do të thoja se ishte një javë ku skuadrat bënë paraqitje të mira, ndoshta edhe surprizuese. Sepse, Teuta e Dinamo nuk ishin mirë, por mirë ishin Vllaznia e Partizani. Pra, për disa ekipe që dolën nga pritshmëri me rezultate surprizë, habia vjen normalisht.
Në pesë ndeshjet e luajtura, cilin nga rezultatet e quani në pritshmëri, dhe cilin jashtë pritshmërive?
Mendoj se Dinamo City-Vllaznia 0-2 ishte supriza më e madhe e kësaj jave. Vllaznia ishte mirë, se të fitosh në Tiranë me Dinamon e spikatur në dy fazat e para, nuk është e lehtë. Por edhe Flamurtari që fitoi 3-0 me Bylisin, ishte e tillë.
U shënuan 14 gola, ishte kjo një javë ndryshe nga 5 golat që u shënuan në javën e 19-të?
Kështu është futbolli, statistikat e golave nuk janë të qëndrueshme. Të gjitha rezultatet sepse u luajt një futboll më itensiv, dhe kjo besoj se bënte të veçantën.
Me gola normalë dhe me prioritet sulmin, 14 gola në një javë është mesatare e kënaqshme.
Kishte ndonjë dukuri ndryshe në ndeshjet e javës së 20-të të Superiores?
Nëse i referohemi kronikave të ndeshjeve, krahasuar me javën e 19-të, këtë javë të 20-të pamë më shumë futboll me ritëm. Ndërsa sfida Egnatia-AF Elbasani ishte më e vaktë nga të tjerat, sepse kryesisht nga Egnatia kampione pritej më shumë.
Kampionati luhet në një periudhë me merkaton, u evidentua këtë javë ndonjë lojtar i ardhur rishtaz?
U dukën disa lojtarë tek tuk, por nuk është se bënë ndonjë të veçantë, sepse është shpejt për të ardhurit që të tregojnë vlerat e tyre të plota. Ata duhet që të orientohen me skuadrën, dhe në këtë këndvështrim them se duan kohën e tyre.
Në ndeshjen Dinamo-City-Vllaznia u ndëpre energjia elektrike në stadium 40 minuta, ndikoi kjo në vazhdimin e ndeshjes?
Patjetër që ndikoi, kryesisht në anën psikologjike, por edhe në ritmin e ndeshjes. Kishim menduar se ishte kohë e largët kjo, sepse këto incidente nuk duhet të ndodhin. Por edhe pse nuk mund tu shpëtosh, duhet thënë se janë pjesë e realitetit.
Ndeshjet e javës së 21-të do të luhen të shtunën dhe të dielën, mbetet kjo periudha e fundit për merkato?
Nuk mendoj se do ketë ndonjë pritshmëri tjetër në merkato deri në mbylljen e saj. Ndoshta te Tirana mund të ketë ndonjë emër tjetër, sepse ajo po kërkon të shpëtojë sezonin, ndërsa tek ekipet e tjera nuk presim më tepër sa tani.
Nga 14 janari e deri më 31 janar, Superiorja po luan katër javë kampionat, është një ngjeshje kjo hapësirë?
Këto ndeshje janë edhe një test i rëndësishëm në ngarkesën e lojtarëve. Nëpërmjet këtij testi matet cilësia e perfomanca, se sa janë të gatshme skuadrat ta përballojnë sezonin. Ato me organikë më të plotë do jenë më të avantazhuar.
Si e parashikoni ju gjysmën e dytë të sezonit në Abissnet Superiore, në rezultate dhe në renditje?
Nëse ka ndonjë gjë për parashikim, unë them se është i paparashikueshëm. Sepse skuadrat nuk kanë shumë diferenca mes tyre, dhe kjo nuk lë shumë vënd për prognoza. Ky kampionat është shumë i ekuilibruar, nuk shoh një ekip që spikat mbi të tjerët.
E kishim harruar fikjen e dritave, jo gjestin e Martinit!
Ditën e hënë, në sfidën përmbyllëse të javës së 20-të të Superiores, kishim tre të veçanta. Së pari, dy asistente femra me kryesor Enea Jorgjin; e dyta, në nisjen e pjesës së dytë ikën energjia në stadium për 40 minuta, e treta i takon trajnerit shkodran Edi Martini, i cili pas golit të dytë shpërtheu në një gjest të turpshëm për statusin e kulturën e tij. Kjo sfidë u mbyll me rezultatin 0-2 për Vllazninë.

ABISSNET SUPERIORE
SEZONI 2025-2026
Ndeshjet-Java 21
E shtunë, 24 janar 2026
Bylis-Egnatia 13:30
Tirana-Flamurtari 13:30
Vllaznia-Partizani 16:30
Të dielën, 25 janar 2025
Teuta-Vora 13:30
(Në stadiumin e Vorës)
AF Elbasani-Dinamo C 16:30
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Egnatia 20 38
2.Vllaznia 20 36
3.AF Elbasani 20 35
- Dinamo City 20 33
- Partizani 20 26
6.Teuta 20 26
7.Vora 20 23
8.Flamurtari 20 18
9.Bylis 20 18
10.Tirana 20 14
Formacioni i javës 20-të, Dinamo C, Teuta e Bylis jashtë

Dje, trajnerët e ekipeve kombëtare kanë përzgjedhur formacionin dhe trajnerin më të mirë të javës së 20-të të Abissnet Superiore. Formacioni është vendosur me skemën 1-4-4-2 dhe përfshin lojtarë nga shtatë skuadra të ndryshme, ku Dinamo, Teuta dhe Bylis janë jashtë këtij formacioni. Në portë Tafas i Tiranës, në mbrojte Ndong i Tiranës, Gurishta i Vllaznisë, Repaj i Vorës dhe Lila iAF Elbasani. Në mesfushë Human i Partizanit, Marku i Flamurtarit, Aleksi i Egnatias e Kastrati i Vllaznisë. Në sulm, Maksuti i Flamurtarit dhe Toma i Partizanit, ndërsa trajneri më i mirë i javës së 20-të është shpallur Edi Martini i Vllaznisë.
Java e 21-të jo në mbrëmje, më shumë ndeshje pa drita

Për javën e 21-të të Superiores, tri ndeshje janë planifikuar të luhen pa dritat e prozhektorëve, ndërkohë që do kemi sërish edhe ndryshim stadiumi. Kështu, sfidat e e së shtunës 24 janar nisin në 13:30 me ndeshjet Bylis-Egnatia dhe Tirana- Flamurtari që do luhet në stadiumin “Selman Stërmasi”. E shtuna do të mbyllet me supersfidën Vllaznia-Partizani, ndërsa të dielën ka ndryshim stadiumi pas marrëveshjes së arritur më parë, ku Teuta-Vora do të luhet te stadiumi i Vorës në ora 13:30. Java mbyllet me kryendeshjen AF Elbasani-Dinamo City, dy ekipe të zonës “Final Four” nw tabelwn e renditjes.






















