KATEGORIA E PARË/ Specialisti i futbollit Shpendi Kumbarçe analizon kampionatin në tregues të veçantë
Agron KAJA

Specialisti i futbollit Shpendi Kumbarçe, dje për gazetën “Telegraf” i bëri një analizë teknike futbollit në Kategorinë e Parë 2025-2026, kryesisht ndeshjeve të javës së 18-të dhe ecurisë së kampionatit deri tek merkato. Në këndvështrimin e tij, ai i vlerëson si ndeshje të forta, mes tyre edhe delicate. Por në tërësi, një ecuri gare me ulje e ngjitje nga pjesa më e madhe e skuadrave. “Kategoria e Parë ka luajtur 18 javë ku ka patur edhe ndeshje të bukura, të luftuara dhe me grintë sportive, por ka patur edhe ndeshje ku niveli ka qënë nën mesataren e kësaj kategorie. Dhe po ti referohemi javës së 18-të, do të thoja se ndeshjet ishin të forta, me përjashtim të Skënderbeut që barazoi 1-1 me Luftëtarin, ndeshje e cila doli jashtë pritshmërive. Ndërsa kryendeshja e javës së 18-të, Pogradeci-Besa, sikundër u zhvillua loja, ishte një garë e fortë ku kavajasit u shprehën më mirë dhe morri pak në fushë. Ndërsa Pogradeci në këtë sfidë ishte jashtë pritshmërive. Ndërsa ndeshjet e tjera ishin të vështira, ku Laçi edhe mund të barazonte. Kukësi po mundohet, por mundet të ketë qënë një ndeshje që e humb shpresën e mbijetesës”, kështu e nisi dje bisedën specialist i futbollit Shpendi Kumbarçe, i cili në këtë vështrim profesional shpreh edhe disa dukuri, që i quan si mangësi të skuadrave. “Duke ju referuar ndeshjeve në 18 javë, shohim se ka ekipe që nuk kanë patur ecuri të mirë dhe me luhatje. Këto i treguan edhe këtë javë të 18-të, përjashtuar Besën, e cila me ndryshimin që ka bërë në bankinë, po tregon se përmirësimi është real. Ndërsa skuadrat e tjera treguan edhe problematika, të cilat nuk i kishin shfaqur në gjysmën e parë të këtij kampionati. Ndoshta merkato, por edhe ndryshimet nuk i kanë dhënë zgjidhje reale problemeve që kanë vetë skuadrat”. Ndërsa për ndeshjet e javës së 19-të, Kumbarçe veçon sfidën Besa-Skënderbeu. “Natyrshëm që vëmëndje në ndeshjet e javës së 19-të merr sfida Besa-Skënderbeu, të cilën do ta vlerësoja si një kryendeshje të kësaj jave. Ndeshje domethënëse për të dyja skuadrat, ku fitorja e Besës i jep shpresë edhe për Play-off, ndryshe ia shuan këto shpresa. Laçi ka një ndeshje force, është i vështirë në fushën e tij. “Derbi Myzeqesë” Apolonia-Lushnja është vendimtar për të dyja skuadrat, ndërsa në Gjirokastër ndahet skuadra që do zbresë nga kategoria. Do jetë një javë me ndeshje të vështira, ndoshta edhe me surpriza”, ishte kjo analiza e specialistit të futbollit Shpendi Kumbarçe.
LEGJIONARËT
Silvinjo nuk e ka preferuar, Seferi përgjigjet me gola

Nëse e kujtojm ardhjen e trajnerit të Kombëtares sonë Silvinjo, tre vite më parë ai e kishte në preferncat e tij sulmuesin Taulant Seferi, Por në më shumë se dy vite ai nuk është preferuar nga braziliani, madje as në grumbullime. I harruar prej tij, sulmuesi i Kombëtares vazhdon rrugëtimin me golat e tij, ku në javën që u mbyll shënoi golin e tij të 11-të sezonal në kampionat. Taulant Seferi vijon të shënojë për Bodrumspor në Turqi, ndërkohë që mbetet enigmë fakti se pse ai nuk po ftohet nga trajneri Silvinjo, që nga nëntori 2024. Ky duket se është një prej edicioneve më të mira në karrierë, ndaj edhe enigma në këtë mes e kalon topin në fushën e Silvinjos.
Moment i mirë për Mario Mitajn, trajneri merr vendimin
Al Itihad do e luajë ndeshjen e radhës përballë Al Qadisijah, të enjten ora 18:30. Kampionët e Arabisë Saudite do të kërkojnë të kthehen te fitorja në këtë transfertë, e trajneri Konseisao po planifikon ndryshime në formacion për këtë sfidë. Edhe Mario Mitaj kthehet në skuadër, pas periudhës prej katër ndeshjesh në tribunë, më e gjata që mbrojtësi i Kombëtares ka provuar si zgjedhje teknike e trajnerit. Konseisao është shprehur se kjo lidhet me numrin e lojtarëve të huaj që lejohet të luajnë.
Gjimshiti lë pas dëmtimin, gati ndaj Athletiko Bilbaos

Lajme të mira për Kombëtaren, kapiteni i kuqezinjve lë pas dëmtimin dhe i bashkohet grupit te Atalanta. Berat Gjimshiti ka lënë pas dëmtimin tek Atalanta, pas dëmtimit në sfidën me Torinon në datën 10 janar. Kapiteni i Kombëtares shqiptare po stërvitet tashmë me pjesën tjetër të grupit. Nuk përjashtohet mundësia që ta nisë nga minuta e parë, pikërisht në ndeshjen e radhës së Atalantës me Atletik Bilbaon që luhet të mërkurën. Për Kombëtaren janë po ashtu sinjale mjaft pozitive. Kjo pasi edhe Ardian Ismajli u rikthye te Torino. Problemet me dëmtimet po shfaqeshin shqetësuese në fillimin e muajit. Fatmirësisht, asgjë nuk rezultoi serioze.
Pogradeci në merkato, Dragoshi përforcimi nga Superiorja
Për merkaton e janarit, dje skuadra e Pogradeci ka bërë edhe afrimin e radhës, mbrojtësin Redon Dragoshi, i cili do të jetë më i riu në këtë skuadër. Me sa duket, klubi pogradecar synon që të përforcojë edhe më shumë repartin e mbrojtjes, pasi Dragoshi vjen nga klube si Kukësi, moshat e Tiranës dhe Vllaznia. Liqenorët, zyrtarisht i kanë uruar suksese në rrugëtimin e tij te Pogradeci.

KATEGORIA E PARË
SEZONI 2025-2026
Ndeshjet-Java e 19-të
E shtunë, 24 janar 2026
AF Luftëtari-Kukësi 13:30
Besa-Skënderbeu 13:30
Burreli-Laçi 13:30
Kastrioti-Pogradeci 13:30
Korabi-Iliria 13:30
E dielë, 25 janar 2026
Apolonia-Lushnja 13:30
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 18 41
2.Laçi 18 36
3.Pogradeci 18 33
4.Kastrioti 18 27
5.Burreli 18 26
6.Besa 18 24
7.Apolonia 18 22
8.Iliria 18 22
9.Korabi 18 20
10.Lushnja 18 19
11.AF Luftëtari 18 12
12.Kukësi 18 9
Kastrioti njeh vetëm rritje nën drejtimin e Ndreut
Skuadra e Kastriotit fitoi minimalisht “derbi”-i ndaj Ilirisë, ku kjo ndeshje u luajt në fishën e Luzit të Vogël, për shkak të dënimit displinor të skuadrës së Ilirisë. Në këtë sfidë, radhët e krutanëve spikati paraqitja e Hodos dhe kjo ishte fitorja e dytë rradhazi për krutanët, të cilët nën drejtimin e trajnerit Ramadan Ndreu janë në rritje të rezultateve. Tashmë Kastrioti renditet në vëndin e 4-t me 27 pikë, duke qënë më afër zonës Play-off, ndërkohë që gjatë fazës së parë ishte skuadra që mendonte më shumë për mbijetesën. Prova e radhës është Pogradeci ditën e shtunë.





















