Braçe: Diktatura “triumfon” edhe një herë tjetër në Shqipëri

352
Sigal

Nga Arben Braçe

Sot herët në mëngjes, në gjëndje të jashtëzakonshme prej Pandemisë, në kulmin e ërrësirës, në befasi të plotë, sikur hienat, në të vetmin shesh ku kishte mbetur pak shpresë lirie, aty ku Teatri Kombëtar i lodhur nga balta dhe shpifjet që ishin hedhur mbi shpinë mbartëte atë pak liri vrastare për armiqtë e saj, barbarët rrafshojnë përfundimisht shpresën dhe fijen e lirisë që kishte mbetur.
Diktatura “triumfon” edhe një herë tjetër në Shqipëri. Për ne qytetarët, e pa ambientuar mirë me demokracinë, kishim kujtuar se ajo kishte rënë në gjumë letargjik, por nuk paska qënë e vërtetë. Ajo paska qënë përherë aty, zgjuar dhe në vigjilencë të plotë, e mbushur me uri për pushtet dhe dhunë dhe gjak, që gëlltit çdo jetë dhe çdo lloj vlerë tjetër që i del përpara për realizimin e qëllimeve të saj. Ata që nuk kemi qënë në gjëndje të parashikonim këtë gjë, natyrisht ishim ne, qytetarët, që gjithë këto kohë patëm frikë ta shikonim përbindëshin në sy.
Teatri nuk ishte vlera e parë e trashëgimisë kulturore, por ndër të fundit që kanë mbetur nga barku i pangopur i oligarkisë që jep urdhërat dhe bën llogaritë sa para fitohen nga pronat trashëgimi kulturore të shqiptarëve që nuk dinë nga të ruhen më parë, nga dhuna, nga Covid, nga varfëria, por edhe një sehir i ndërkombëtarëve që kujdesen vetëm për trashëgiminë e tyre, për të provuar se vetëm aty ka qytetërim, ndërsa këtu, kanë sunduar dhe do të sundojnë përherë barbarët.
Për europianët që qëndrojnë indiferentë sot, kur goditet për vdekje kultura dhe liria shqiptare, në vendet e tyre kultura është përfytyruar përherë si guri themeltar i modernitetit, jo më kot ata e quajnë veten “Komb i Gëtes, apo i Shilerit” etj.
Aty ku nuk ekziston Gjykata Kushtetuese, drejtësia është paralizuar, media ka mbyllur sytë, tregojnë më së miri se, ai që është i predispozuar për Diktator, nuk e vret mendjen për trashëgiminë dhe as për ekologjinë. Ruajtja e vlerave të trashëgimisë dhe e ekologjisë është bërë përherë nga poshtë lart dhe asnjëherë nga lart poshtë, prandaj duhet të dalin të gjithë për t’i mbrojtur.
Procesi i ç’qytetërimit që vendosi vulën e fundit sot, provon qartazi reflekset e Diktatorit, sikur Hitleri, Musolini, dhe të gjithë Cezarët e kuq që kërkuan fillimin e historisë nga zero, nëpërmjet revolucionit, pra ku i gjithë zhvillimi të marrë fytyrën dhe “vizionin” e tyre, të bëhet sipas dëshirës së tyre, që përjetësisht të mbahen mend se si ata kanë bërë histori dhe kombe. Banalitet i madh në fakt të mendosh në këtë formë arkaike në kushte postmoderniteti, të shkatërrosh vlera të patjetërsueshme, memorje të gjalla dhe histori për ëndrra boshe, diktatorucës që përfundojnë në mbushje xhepa diktatorësh dhe oligarkësh…?!
Nën këtë frymë u shkatërrua dhe bulevardi kryesor, një arkitekturë idioteske që nuk mbart asnjë vlerë. Për atë që është rritur në këtë kryeqytet të vjen turp të kalosh në atë bulevard i projektuar si një metastazë e korrupsionit dhe të idiotllëkut, në zemrër të qytetit që për ironi të qytetarëve që duhet të ishin “të parët” provon: antiliri-piramidë, bunker-dhunë, zhveshje-zbrazësi, reflektim-nxehtësi, bllokim-ndotje, arrogancë-paharmoni, korrupsion-barbari, dhe shumë paudhësi të tjera që simbolizohen në prishjen e “Ballkonit të demokracisë” të atij ballkoni para Pallatit të Kulturës që qëndron tashmë i strukur para bunkerit të madh që e kërkcënon gjithë qytetin me dhunë.
Në atë ballkon lindi demokracia shqiptare dhe pikërisht aty fillon edhe zilia me ata që sollën këtë demokraci të brishtë që kishim, sikur sot zilia me kulturën, që simbolizohet me rrafshimin e teatrit. Zelli për të shkatërruar kulturën, elitat, larine, deri në zhdukjen e tyre nuk është gjë tjetër veçse një sundim i përgjithshëm i zilisë, është inferioritet dhe ç’qytetërim harbut, është pranim i frymës së turmës karshi vlerave të memorjes së trashëgimisë për dikë që pretendon që ka ardhur në krye nga bota e kulturës…!?
Është urrejtje karshi njerzve të kulturës, që janë qënie të papërsëritshme, individë të mëvetësishëm, që nuk janë skllevër tru shplarë, të nënshtruar prej oligarkëve dhe parasë. Është një Cezarizëm pa asnjë shije estetike dhe pa asnjë lloj ndjeshmërie ndaj kulturës që nuk kupton kurrë që demokracia dhe kultura nuk kanë qënë në të njëjtin rang. Fryma e demokracisë udhëhiqet nga barazia, pra nga pragmatizmi, etja për të fituar që gjëndet në thelb të mendjes së KM, ndërsa kultura udhëhiqet përherë nga liria, ajo nuk mund të drejtohet nga pragmatizmi sepse ndryshe do të katandisej në një argëtim të thjeshtë, në një mjet për të kaluar kohën.
Pikërisht për këtë De Gol asnjeherë nuk pranoi të arrestonte Sartrin, megjithëse ai dhunonte dekretet e qeverisë duke i dhënë prioritet lirisë dhe prerogativës së intelektualit të shquar që mbron vlerat dhe lirinë publike, pavarësisht se ato shprehen me mos bindje civile, ndërsa këtu shëmbja bëhet kur artistët ndodhen brenda.
Moderniteti nuk mund të jetojë pa kulturën, sepse ajo përbën fokusin e modernitetit perëndimor i cili i ka rrënjët shumë të hershme. Vagneri mbështetej në demokracinë greke, kur kompozonte në krijimtarinë e tij, Gëte frymëzuesi i epokës së tij, Gotfid Keleri, ndjehej i lidhur me demokracinë zviceriane kur kritikonte si të pamjaftueshme demokracinë, Hajne ishte i bindur që ideologët komunistë me faqet e veprave të tij do të mbështillnin salçiçe, Brehti në veprën e tij teatrore ka ndriçuar dhe stigmatizuar më mirë se kushdo tjetër dramën e fashizmit, Sartri ka qënë përherë heroi kulturor i kohës së vet, etj.
Dekadenca kulturore që ka kapluar KM, llogjika prej oligarku e ka tharë shpirtërisht, aq sa i ka dhënë një kurajë mjerane për rrafshimin e Teatrit Kombëtar, një vlerë e patjetërsueshme e trashëgimisë, një arkitetkturë unikale botërore prishja e së cilës ngjan njësoj sikur shkatërrimi me ekspoziv i vlerave të perëndive budiste në Afganistan, duke e parë atë si një vlerë ndërmjet punës dhe kapitalit si një raport ndërmejt sendesh, ku do të fitohen disa para të ndyra që shumë shpejt do të bëhen asete të bankave ndërkombëtare antikorrusion dhe të agjencive të pastrimit të parave. Shpirtërat e të gjithë atyre që luajtën aty me aq shumë pasion do t’i ndjekin tërë jetën si fantazmat, kudo ku do të jenë fshehur duke rrojtur me para të vjedhura.
Por një gjë është shumë e sigurtë, që brezi i ri, ata që do të jenë pinjollë të projektit të modernitetit, nuk do të jenë në gjëndje të jetojnë pa trashëgiminë kulturore, teatrin, traditën kulturën, sepse lënda djegëse e demokracisë është gjithmonë kultura dhe si sfidë të saj do të ketë mbi shpinë çbërjen e madhe, atë të rikthimit në vend të vlerave që janë shkatërruar nga etja e barbarëve për fitim.