Blushi: Socialistët e vrarë në 21 janar i nxori në pritë Edi Rama

505
Sigal

 Replikat e plota
të deputetetë Balla-Blushi në seancën e djeshme të parlamentit

Fjala e
deputetit Ben Blushi në Kuvend i shqetësoi disa deputetë të PS, por me të
replikoi vetëm Balla. Ai tha se PS është forca që po e rilind Shqipërinë dhe i
kërkoi Blushit që të dorëzojë mandatin. I tha, se e ka fituar nën siglën e PS.
Por Blushi e sfidoi të tregonte se kujt duhet t’ia dorëzonte mandatin e tij.
“Kujt t’ia jap këtë mandat, Elvis Roshit, Armandos, Arben Ndokës? Kujt t’ia jap
këtë mandat? Banditëve që të vijnë këtu dhe të gjejnë një strehë vorfnore që të
mos i kapë ligji? Kujt t’ia dorëzoj mandatin, Taulant, “Rilindjes”, që të
sillni këtu ndonjë kanabist? Ndonjë kanabist që i shpëton policisë me ndihmën
tuaj? Me kë, pra, ta shkëmbej mandatin tim?” ishte përgjigjja e Blushit. Ai i
kujtoi Ballës edhe arsyen, përse është ai që i del në mbrojtje “Rilindjes”: “Ka
nja dy vjet që në PS bëhet një tender që vazhdon përditë. A e dini si quhet ky
tender? Se çdo tender ka një kërkesë: “Kush shan më shumë Blushin”. Dhe
sigurisht Taulant, ti e ke fituar këtë tender vazhdimisht. Dhe unë të nxis ta
vazhdosh dhe ta fitosh. Në fund sigurisht që ti do të jesh i pasur, por do jesh
më shumë i shpifur”. “Telegraf” po e sjell të plotë replikën mes Blushit dhe
Ballës, pas fjalimit që Blushi mbajti duke sqaruar arsyet, se përse kishte
vendosur bashkë me deputeten Mimoza Hafizi të largohej përfundimisht nga grupi
parlamentar i PS.

Replikat
Blushi-Balla

Balla: Dy deputetë të
grupit parlamentar të PS, me dëshirën e tyre vendosin të largohen nga grupi ynë
parlamentar dhe unë në emër të grupit tonë parlamentar u uroj: udhë të mbarë.
Shkofshi ku të doni. Madje po të doni hajdeni uluni edhe këtu, meqë Saliu dhe
Jozefina nuk janë sot, mund të zini vendet e tyre. Një gjë në emër të grupit
parlamentar po e them me shumë zemër. Unë nuk jam budist, jam myslyman, por sot
po ju kujtoj vetëm një shprehje të Budës: Mos u shqetëso kurrë nga sulmet që të
vijnë nga i ligu, sepse janë si rëra e hedhur në erë, i shkojnë po të ligut.
Keni vendosur të ikni: rrugë të mbarë. Po ti që fole këtu, nuk u solle kurrë si
socialist. Asnjëherë. Edhe atë karrige që ke aty, e ke qyl. Sepse ke mandatin e
socialistëve dhe ke për detyrë, që mandatin e socialistëve ta respektosh deri
në fund. Nuk e ke mandatin tënd. Mandatin tënd provoje dhe merre në 2017-n.
Mandatin e socialistëve, o kthejua socialistëve, o mos e mbaj pandershmërisht.
Ti ke braktisur socialistët në të gjitha betejat. Nuk ke bërë asnjë betejë me
socialistët. Kur socialistët luftonin në 20090-n për të ruajtur mandatet e
socialistëve, ti nuk e kishe mendjen tek mandatet e socialistëve, sikur po bën
edhe sot. Por e kishe mendjen se si të merrje PS. Kur socialistët vriteshin në
bulevard, ti flisje njëlloj si Saliu, njëlloj. Mua më vjen shumë keq, që një
jetë, një jetë e një fmiu… është ndërprerë në mes. Jeta e Arditit. Por ti nuk
gjete asnjë minutë kohë që të flisje për katër socialistët e vrarë në bulevard.
Ti që pretendon se përfaqëson socialistët dhe ne qenkemi “Rilindja”. “Rilindja”
është PSSH. Ka marrë përsipër të rilindur Shqipërinë dhe po e rilind atë. Po
ti, t’i ka zënë sytë urrejtja për PS dhe Ramën dhe nuk sheh dot. Po të ishe, po
të kish… po të kishin bërë ty ministër, “Rilindja” do të ishte shumë e mirë,
socialistët do të ishin burra dhe vajza të mira. S’u bëre ti ministër,
socialistët dhe “Rilindja” nuk bëjnë. Ti ke dy vjet që prisje të të hiqnim ne.
Ne nuk të heqim. Sot ike vetë. Le të hecë Beni vetë dhe ta provojë se sa, se sa
të duan dhe të respektojnë shqiptarët. Sa për çështjet e performancës së
qeverisë, bëre një gabim të madh që edhe kur fole për kanabisin, fole si Saliu.
Ne nuk e kemi kanabizuar Shqipërinë. Përkundrazi, ministri i Brendshëm ka bërë
një punë të shkëlqyer, me ato përpjekje që ka pasur mundësi me policinë e
shtetit për ta dekanabizuar… kanabizuar Shqipërinë. Sa ia kemi arrritur, ky
është vetëm fillimi i procesit. Por ti vetë ke pasur mundësinë të verifikosh se
ç’punë të shkëlqyer ka bërë policia e shtetit. Sa keq që sot edhe ato që ke
thënë vetë me gojën tënde në këtë sallë, i mohove për 5 minuta. Kjo nuk tregon
që je serioz, kjo nuk tregon që ke një projekt serioz. Megjithatë udhë të mbarë
paç! Në emër të grupit tonë parlamentar kërkojmë që socialistëve t’u kthesh
mandatin që ua ke marrë padrejtësisht.

Blushi: Në dilemë jam
në fakt, ta prish solemnitetin e kësaj dite, për aq sa mund të quhet solemne…
duke u marrë me një rilindas. Ka nja dy vjet që në PS bëhet një tender që
vazhdon përditë. A e dini si quhet ky tender? Se çdo tender ka një kërkesë: “Kush
shan më shumë Blushin”. Dhe sigurisht Taulant, ti e ke fituar këtë tender
vazhdimisht. Dhe unë të nxis ta vazhdosh dhe ta fitosh. Në fund, sigurisht që
ti do të jesh i pasur, por do jesh më shumë i shpifur. Por vazhdo merr pjesë në
tender, ti dhe gjithë shokët e tu. T’iu them diçka. Padyshim, ikja nga një
parti pas 20 vjetësh nuk është gjë që ndodh përditë dhe unë nuk hyj tek
njerëzit që kanë shumë keqardhje për atë që ikën. Kam më shumë keqardhje për atë
që vjen. Dhe nisur nga keqardhja për atë që vjen, vendosa të iki. Por padyshim,
duke e pasur dilemën, se çfarë bëhet me mandatin tim, në kushte normale do ua
kisha dhënë. Absolutisht!  Po, ç’e dua
unë këtë mandat? Padyshim do ua kisha dhënë, në qoftë se do besoja me të
vërtetë që mandati im do të mund të vlente për ndonjë gjë. Por pyetja që kam
për ju sot dhe për të gjithë shqiptarët: Kujt t’ia jap këtë mandat, Elvis
Roshit, Armandos, Arben Ndokës? Kujt t’ia jap këtë mandat? Banditëve që të
vijnë këtu dhe të gjejnë një strehë vorfnore që të mos i kapë ligji? Kujt t’ia
dorëzoj mandatin, Taulant, “Rilindjes”, që të sillni këtu ndonjë kanabist?
Ndonjë kanabist që i shpëton policisë me ndihmën tuaj? Me kë, pra, ta shkëmbej
mandatin tim? Përkundrazi, përkundrazi, si njeri i cili nuk po shkon, siç është
bërë zakon në këtë parlament prej 25 vjetësh… keni parë ndonjë njeri që shkon
nga pushteti në opozitë? Përkundrazi. Po qeverisni me dy parti që ishin me
Saliun dhe janë sot me ju dhe do jenë prapë me Saliun pas 2 vjetësh apo 10
vjetësh, nuk ka rëndësi. Ne po shkojmë për nderin tonë, nga pushteti në
opozitë. Por jo në opozitë me këta (PD), sepse këta janë në pushtet me ju. PD
dhe “Rilindja” janë në pushtet, të dyja bashkë. Ne po shkojnë në opozitë me
mashtrimin elektoral, i cili voton për të hequr mbetjet dhe importon mbetjet.
Ne po shkojmë më opozitë me mashtrimin që thotë që, e hoqëm Lazaratin, por e
mbollëm çdo cep të Shqipërisë si politikë ekonomike shtetërore e përcaktuar. Ne
po shkojmë në opozitë me të gjithë ata që e rritën e varfërinë dhe e rritën
mjerimin në 3 vjet, duke marrë 1 miliardë e gjysëm borxh për arsye që sot nuk
dihen dhe për të furnizuar feudalët e Rilindjes nga Elbasani në Durrës, në
Dibër dhe në të gjithë Shqipërinë, për ta mbushur Shqipërinë me pllaka
majolike. Për këto i keni harxhuar 1 miliardë e gjysmë euro.  E si mund ta pranoja unë këtë gjë? Jam në
opozitë me këtë, pra. Jam në opozitë me çdo mashtrim, me kanabizimin e vendit,
me degradimin e arsimit, të gjitha gjëra që i përfaqësoni ju pikë për pikë. Më
përmende ti mua 21 janarin këtu. Kam folur shumë për 21 janarin, por po ua them
dy fjalë juve që nuk keni guxim të mbroni Arditin. Nuk keni guxim të mbroni
Arditin, sepse ajo që ndodhi në Sharrë është 21 janari i mbetjeve, i mbetjeve
të riciklueshme politike. Çfarë ndodhi më 21 janar? Ju qe keni kurajon të ma
thoni mua. I vrau Saliu, por i çuat ju në pritë. I çuat ju në pritë dhe keni 3
vjet që keni ardhur në pushtet, ju që qanit për 21 janarin dhe nuk patët guxim
të bënit një gjyq për ata. Nuk patët guxim të vinit drejtësi për ata. Kush i
çoi në pritë ata, Taulant? E kam thënë të nesërmen e 21 janarit; unë nuk mund
të marr pjesë kurrë në një miting që e thërras vetë, por vetë rri në shtëpi,
vetë fshihem në zyrë, vetë fshihem poshtë Lanës, kurse njerëzit që unë thërras
i çoj në pritë që t’i vrasin, duke e ditur që do t’i vrasin. Kush e ka bërë
këtë? Kujt i rëndon kjo? Mua jo! Mua jo! Kam qenë kundër jush atëherë. Për
çfarë kam qenë kundër jush? Ju thashë që të mos bojkotojmë parlamentin se nuk
vlen. A e di çfarë ndodhi? Këta që ishin në pushtet, hoqën rrogët tuaja, edhe
timen sigurisht, për 6 muaj. E di çfarë keni bërë, ju që ishit më fanatikët për
të bojkotuar? Dhe unë që thoja të shkojmë në parlament se aty bëhet politika.
Keni shkuar dhe keni marrë rrogat, pafytyrësisht. Kur njeriu bën një akt moral,
nuk shkon të marrë pagesën për atë që ka bërë. Keni shkuar të gjithë në gjyq,
duke marrë nga 6 e 10 milionë lekë rroga të prapambetura. Për çfarë? Për një
bojkot që e kishit bërë me ndërgjegje? Kam shumë vjet që ua them këto. Dhe për
fatin tim të keq, por edhe për fatin tuaj të keq, por për fatin e mirë të
Shqipërisë, shumica e gjërave që kam thënë po dalin. Nuk ka kalbëzim më të madh
moral se ai që përfaqëson “Rilindja”. Dhe ligji i mbetjeve ishte i fundit,
ishte i fundit me të cilin të gjithë u bindën se çfarë ndërmarrje private jeni
kthyer. Unë nuk kam arsye të jem një aksioner në një ndërmarrje private, aq më
pak një punëtor. Unë nuk mund të jem një punëtor si ju. Më vjen keq për shumë
prej jush. E bëni se doni një punë, se mendoni që parlamenti është një
burokraci që mund ta hapësh në ora 8 dhe mund ta mbyllësh në ora 3. Keni fëmijë
në punë. Po nder a keni ju? Çfarë nderi keni ju kur pranoni se në PS nuk ka
zgjedhje? Keni votuar të gjithë pa përjashtim. Më thoni një që ka votuar
kundër. Çfarë nderi keni ju që votuar vetëm dy vjet përpara për të hequr
mbetjet nga Shqipëria, të gjithë pro. Si ka mundësi? Dhe pyetja që kanë
shqiptarët nuk është pse e bëj unë këtë gjë, nuk është kjo. Pyetja që kanë
shqiptarët është: Pse vetëm unë edhe Moza? Pse vetëm ne? E dini pse? Se jemi
njerëz të lirë! Nuk vijmë në punë në parlament, vijmë për të folur. Nuk vijmë
për të marrë një rrogë, vijmë për të bindur njerëzit. Dhe sigurisht vijmë për
të qenë në opozitë me të gjithë ju, edhe me të gjithë këta, deri ditën e fundit
që do të jemi këtu. Dhe kjo është arsyeja që do t’i hyjmë një projekti politik,
i cili padyshim, nuk do të jetë kaq i pasur sa ju, nuk do të harxhojë më shumë
lekë sesa harxhoni ju për të bërë fotografi në ‘Instagram’, por sigurisht do të
jetë një projekt i njerëzve të zakonshëm. Çfarë ka në këtë parlament që nuk
shkon? Ka tre parti të të pasurve, PD, PS, LSI – “Rilindje” janë të gjithë
bashkë. Çfarë bëjnë këta këtu? Mbrojnë çdo ditë interesat e të pasurve. Prandaj
u votua ligji i mbetjeve. Prandaj iku Arditi nga kjo jetë, se ishte i varfër
dhe nuk ka guxim njeri ta mbrojë. Dhe thonë që, e vranë jashtë kampit, jashtë
territorit publik. Po për çfarë do të vrisnin një fëmijë 17 vjeç? Kishte
hakmarrje me dikë ai i shkretë? Babain polic. Si ka mundësi…askush nga ju nuk e
mbrojti. Nuk kërkoi njeri të mbronte, se nuk ke ç’i mbron një njeriu që iku,
për fat të keq. Të thonit një fjalë të mirë. Unë nuk mund të jem më me ju.