Besart Xhaferri: Raporti dramatik i PISA-s, kriza për arsimtarë do jetë si kriza për mjekë!

37
Sigal

Prej një dekade kam ngritur zërin për degradimin e arsimit shqiptar, që ka mbetur peng i mungesës së vizionit dhe babëzisë së pa fre të Rilindjes.

Pasojat janë dramatike, teksa në të ardhmen do jenë edhe më ndjeshme për vendin, pasi kriza e arsimtarëve do jetë e njëjtë si kriza e mjekëve sot.

Në testin e PISA 2022, instanca me serioze ndërkombëtare që monitoron performancën e nxënësve në nivel parauniversitar rezulton se Shqipëria ka shënuar rënien më të madhe.

Sipas raportit Shqipëria ka humbur plot 47 vende në lexim, 41 vende në shkencë dhe 69 vende në matematikë në krahasim me rezultatet e viti 2018.

Shqipëria regjistron përkeqësimet më të mëdha në krahasim me të gjitha vendet e marra në konsideratë në nivel global veçanërisht në matematike duke humbur 69 pikë dhe duke u renditur krah Autoritetit Palestinez dhe Xhamajkës.

Edhe kur bie fjala te shkenca, Shqipëria është ndër vendet e fundit, njësoj si Jordania apo El Salvadori dhe Guatemala, duke humbur 41 pikë në këtë drejtim.

Ky realitet nuk duhet parë i shkëputur nga degradimi i arsimit të lartë, ku Universitetet Publike në rrethe që në dekada kanë qenë vatër arsimi si Shkodra, Elbasani Korça dhe Gjirokastra janë drejt mbylljes.

Shumë degë të shkencave ekzakte në Universitetin e Tiranës janë drejt mbylljes, çka do pasohet me mungesë arsimtarësh për arsimin parauniversitar.

Si një person i angazhuar në sektorin e mësimdhënies me keqardhje e them degradimi i arsimit është emergjencë kombëtare, ndaj sot më shumë se kurrë duke nisur nga Parlamenti, ekspertët dhe arsimtarët duhej të jenë në alert para se dëmi të jetë i pariparueshëm.