Agim Çiraku
Kryetar i Shoqatës “Labëria”
Takimi me anëtarë të Shoqatës së Lavdishme – Atdhetare Kulturore me emrin e Shenjtë “Labëria”, miq dhe të ftuar në Vranisht të Vlorës, ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë kishte një veçanti. Si pjesë e familjes që luftoi dhe derdhi gjak gjatë LANÇ, për çlirimin e vendit, kisha dy herë detyrime për të qënë i pranishëm: E para si kryetar i Shoqatës “Labëria” dhe së dyti si pasardhës të LANÇ, duhej të nderonim në një ceremoni të veçantë dhe të dhimbshme promovimin e librit “Klithmat e Brengës” të autorit lab Namik Jahaj, në kujtim të 3 gjeneralëve që u pushkatuan në Tiranë në vitin 1975, u varrosën në fshehtësi në Vranisht të Vlorës, dhe u zhvarrosën në korrik të vitit 2000.
E për këtë aktivitet të rëndësishëm dhe tepër të veçantë merita shkon pa dyshim përveç autorit, edhe për organizatorin, kryetarin e Shoqatës “Labëria” dega Vlorë, mikun tonë të nderuar e me vlera të veçanta Ahmet Demaj! Roli i Shoqatës “Labëria”, që nga krijimi i saj deri në ditën e sotme ka qënë është dhe do të mbetet promovimi dhe kujtesa për historinë dhe figurat e shquara të trevës sonë. Kthimi i saj në një Institucion Fondamental dhe Bazament për Shtetin dhe vlerat Patriotike e Atdhetare. Pikërisht Shoqatat dhe më shumë se kushdo tjetër Shoqata “Labëria” ka luajtur një rol të rëndsishëm në orjentimin e qeverive në interes të Shtetit për Historinë, Traditën, Gjuhën, Kulturën dhe Polifoninë që duan të na i tjetërsojnë, të cilat në tërësi përbëjnë identitetin tonë kombëtar. Qeveritë venë e vinë, por Shteti mbetet Një. Ai është Shteti i Themeluar në 1912 nga biri i Labërisë, Ismail Bejë Vlora. Ndaj sa më të forta të jenë shoqatat, aq më e fuqishme dhe më i bashkuar do jetë Kombi Shqiptar, sipas amanetit që na ka lënë Skënderbeu ynë i madh: Bashkimi bën fuqinë…! Në këtë kuadër, Shoqata “Labëria”: Nderi i Kombit, Dega Vlorë, si gjithmonë është nismëtare në promovime dhe aktivitete me karakter kombëtar. Edhe sot, ajo na ka mbledhur për të promovuar librin “Klithmat e Brengës” të autorit lab Namik Jahaj. Një libër që sjell në kujtesën e të gjithëve që kanë jetuar në periudhën moniste pushkatimin e tre gjeneralëve të Ushtrisë Popullore: Beqir Balluku nga Tirana, Petrit Dume nga Korça dhe Hito Çako nga Progonati. Libri trajton një histori të pabesueshme deri në kufijtë e legjendës.
Buzë lumit të Kaurit me porosi të Kadri Hazbiut, ish kryetari i kooperativës Alush Majko i njohur për instiktin e tij të fortë varrosi të 3 gjeneralët, Beqir Ballukun, Petrit Dumen dhe Hito Çakon në kopshtin e tij. Trupat e gjeneralëve i mbështollën me qese plasmasi aty ku i pushkatuan në Dajt dhe me një makinë frigoriferike i çuan në Vranisht të Vlorës. Ishte viti 1975 kur 3 gjeneralët i fshehën në nëntokën shqiptare në mënyrën më të pamerituar. Ishin 3 gjeneralë që kishin luftuar për Atdhe, që kishin dhënë shumë për ushtrinë shqiptare pas vitit 1944. Ky ishte fati i tyre tragjik që shtjellohet aq bukur në libër. Të gjitha veprimet janë bërë natën dhe u punua në atë mënyrë, që të mos mbetesh asnjë shenjë dallimi. Për afro 3 dekada varret e tyre u ruajtën nga një lab, me fanatizëm si një amanet shpirtëror! Në korrik të vitit 2000 u zhvarrosën trupat e 3 gjeneralëve. Labëria i ruajti në gjirin e saj 3 heronjtë e Luftës. I ruajti si mishërim të virtytit më të lartë njerëzor dhe kultit të respektit ndaj heronjve që i shpëtuan plumbave të pushtuesve, por jo vdekjes nga konfliktet brenda llojit. Kjo është një ngjarje që nxjerr edhe njëherë në dritë ato veti të larta të karakterit Lab që në heshtje ruan çdo sekret dhe në kohën e duhur vërteton ndershmërinë. Të angazhohesh për të ruajtur dhe promovuar vlerat e trevës së LABËRISË, së vendlindjes, djemve dhe vajzave, që bënë historinë, që lindën në vendin ku kanë lindur paraardhësit tanë, jo të gjithë e bëjnë. Mirnjohje dhe respekt për Ju që u angazhuat në këtë event me shpirt dhe me zemër për vendlindjen tonë. Edhe njëherë më duhet të falenderoj publikisht autorin e librit Namik Jahaj dhe kreun e Shoqatës Labëria Vlorë Ahmet Dema për këtë organizim dhe promovim që na sjell virtytet më të larta të krahinës së Labërisë.