Basir Çollaku: Doshi, fushata për Ramën e Yuri Kim, lista “non grata” që nuk thuhet

361
Sigal

Ambasada amerikane në Tiranë ka pohuar vitet e fundit, publikisht së paku tre emra, të cilët Sekretarët e Shtetit, i kanë firmosur si persona “non grata” për në USA, me argumentin se janë përfshirë në afera të mëdha korruptive dhe kanë shkelur procedura ligjore në shtetin amerikan. Tomë Doshi, Vangjush Dako, Adriatik Llalla. Zëra informal dhe publikë për një listë të gjatë në Ambasadën Amerikane, dikush apo disa e freskojnë shpesh me dendësi të lartë përpara zgjedhjeve. Bëjnë shumë mirë.

Por, Ambasadorja amerikane Yuri Kim është përfshirë në fushatë elektorale në krah të Edi Ramës. Ajo ka lënë të kuptohet në tekstin e saj të çuditshëm për një qeveri të formuar prej Ramës, ku Doshi nuk do të marrë pjesë. Ky nuk është problem. Kjo anon disi nga fyerja e inteligjencës.

Në deklarimet e saj të përsëritura, Kim ka kërkuar mosregjistrimin e kreut të Patisë Socialdemokrate, Tom Doshi, si kandidat për deputet. E si siguri për mos’hapje problemesh paska marrë garanci nga Edi Rama, se Toma është përjashtuar nga PS dhe nuk do të jetë në qeveri. Kjo puna e qeverisë së Ramës pa Doshin, është kompromentuese për Ambasadoren, e cila na paska paralexuar rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Mbase kompania e dyshuar në USA, degëzimet e së cilës janë dhe në procesin elektronik në Tiranë, kanë printuar pa dashje rezultatin për Ambasadën. Çfarë nuk bën vaki !

Tom Doshi nuk është dënuar në Shqipëri. Në ngarkim të tij nuk ka një dosje të hapur për vepra të rënda penale, as nga Krimet e Rënda dje, apo Prokuroria e Posaçme, SPAK, sot. As ndonjë çështje për afera korruptive, një procedim penal sot të thënë nga Prokuroria jonë e shtetit, nuk gjendet. Ka pasur një kallzim nga ana e Doshit për një përpjekje për ta vrarë atë dhe në këtë akuzë konkrete, kanë qenë emra të rëndë të qeverisë e politikës. Kjo histori ka pasur shumë të vërteta, të cilat u fikën si gëlqere me ujë në hetimet e komplikuara.

Nuk po dyshojmë aspak në informacionin e hollësishëm amerikan. Korrupsioni i konsumuar, sigurisht kërkon në këto nivele përfshirjen lejuese të Kryeministrit, ministrave të tij dhe kryebashkiakëve. Më së paku ! Dihet se Rama ka një përkulje politike elektorale ndaj Doshit, mandatin e të cilit e ka përfituar më së pari Kryeministri. Duke besuar se amerikanët thonë të vërtetën, atëherë Tom Doshi ka bërë korrupsion me Edi Ramën, ministrat e tij, bashkiakët e tij, vartësit e tij, por ai nuk është funskionar. Atëherë janë favorizuar punët dhe bizneset e tij?  ….se gjurmë të tjera nuk është se dalin kund. Por halli fle tjetër vend, në trevat elektorale e mbase Doshi nuk do të shkojë më në aleancë me Ramën!!

Një histori e madhe afër Ramës.

Nuk e dëgjoj askund Ambasadoren, zonjën Kim, të flasë për Vangjush Dakon, meqë ishte dhe në Durrës, në çifligun e tij, një tjetër person “non grata” për afera të mëdha korruptive. Gjushi, garanti firmëtar për rehabilitimin e Lul Berishës, të cilin do ta ndihmonte të gjente punë pas burgut, sigurisht është dhe person në hetim për dosjen 339, dosje trafiku dhe krim të madh elektoral. Janë përgjimet e publikuara ku Gjushi me Niçen, e ndanin bashkë tepsinë elektorale, caktonin emrat garues për t’i dhënë rezulatet dhjetë me zero të gjatit, shefit të tyre Edi Rama. Në aktivitetin e tij me bandat, Gjushi, edhe penalisht është dhjetëra herë më i rrezikshëm se Doshi, e shumë herë më me leverdi për Ramën, sepse sjell rezultat dhjetë me zero. Zonja Ambasadore e di këtë. Ta përmendë se mbase do e kemi në listat dhe në qeverinë e re edhe Gjushin. Kim duhet të kujtojë sa besnik e dëgjues është Edi Rama ndaj Ambasadës, kur cënohet pushteti i tij. Sa ia dëgjoi ultimatumin paraardhësit Donald Lu, kur ai kërkonte moskandidimin e të akuzuarit për trafik droge e përdhunime, Elvis Roshi dhe Rama firmosi kandidimin e tij?!

A kanë bërë më pak korrupsion dhe krim në këtë qeverisje, të paktën, Sajmir Tahiri, Fatmir Xhafa, Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, Ilir Beqja, Erion Veliaj?

Dy ish-ministrat e Brendshëm, Tahiri dhe Xhafa, u larguan njëri për akuzën e përfshirjes në trafikun ndërkombëtar të drogës, tjetri për vëllanë e dënuar për trafik ndërkombëtar të drogës. Për njërin vijon gjykimi. Ahmetaj me Gjiknurin dhe Beqen, kanë pasur dosje hetimi dhe  kanë ende. Tre ministra të tjerë me dosje, Ahmetaj e Gjiknuri e kanë nisur me inceneratorët, ku gjenden jo pak të përmendur në dosjen “Zoto” me tej Gjiknuri me “Unazën e re”, pa harruar miqësinë e dyshuar financiare me Gurunë Indian. Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja nuk dihet si e ka shkrirë një dosje te Krimet e Rënda dje, përgjimet brenda së cilës, flasin për gjëra aspak të padënueshme. Për të mos ndaluar në dosjen e fundit, procedimin penal nr.17 të Prokurorisë së Posaçme, “Ndranghetën” e Tiranës. Këtu janë Edi Rama dhe Erion Veliaj në hall të madh, sepse përgjimet e deritanishme i kanë përfshirë sigurisht. Me leje ndërtimi për kullat ku pastrohen miliona euro, me policët shefa lejedhënës të mafiozëve për të punuar të qetë, gjithnjë sipas antimafias italiane. Ndaj ky njeri, zonja Ambasadore, nuk mundet të formojë qeveri tjetër në Tiranë, sepse ka punët e përziera tmerrësisht me keqbërës të mëdhenj. Si për shaka elektorale, Tomë Doshi si kryetar i Partisë Social Demokrate ka anëtar dhe ish-kryetarin, sot kreun e Akademisë së Shkencave. Thua ta ketë emëruar Rama për hatër të Tomës?!  Mbase ! Shqipëria është vend çudirash… Lista non-grata, është bërë si Llampa e Aladinit, fërkohet vetëm aty ku nxjerr xhinde.