BANDAT KRIMINALE, ATENTAT FJALËS SË LIRË

557
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Bandat kriminale janë kaq të fuqishme, sa godasin me kallashnikov gazetarët, për të vrarë Fjalën e Lirë

Shumë herë publikisht edhe kryeministri Rama i ka fyer, tallur, kërcënuar gazetarët, kur e kritikojnë, duke iu kujtuar edhe emrin e pronarit të medias

Sulmohet me breshëri automatiku shtëpia e prindërve të gazetares së Neës24, Klodiana Lala

Sulmohet me breshëri automatiku shtëpia e prindërve të gazetares së Neës24 Klodiana Lala. Ngjarja e rëndë është shënuar rreth orës 03:00-04:00 të mëngjesit të djeshëm, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të banesës së babait të saj. Siç duket edhe në foto, plumbat kanë prekur muret e banesës, si edhe kasën e derës së jashtme te saj, ndërsa në vendngjarje janë gjetur 10 gëzhoja kallashnikovi. Autorët e dyshuar janë pozicionuar pranë murit te jashtëm të banesës dhe kanë hapur zjarr. Në momentin e ngjarjes brenda banesës kanë qenë 8 persona, prindërit, motra, vëllai, të afërm të familjes dhe 2 vajzat e gazetares Lala përkatësisht 2 dhe 5 vjeç. Vetë gazetarja dhe bashkëshorti i saj nuk ndodheshin në banesë. Krismat kanë zgjuar të terrorizuar familjarët të cilët tentuan të dalin jashtë banesës ende pa u ndalur sulmi, pa kuptuar se shtëpia e tyre ishte shënjestra e agresorëve. Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk pati të lënduar. Nëse kësaj here, Policia e Shtetit nuk gjen autorët e këtij akti terrorist ndaj familjes së gazetares, atëherë, duhet të japin dorëheqjen të gjithë drejtuesit e institucioneve të Rendit Publik, duke filluar nga Ministri e deri tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Protestë e gazetarëve para kryeministrisë: “Plumbat mbi shtëpinë e Lalës janë plumba mbi ne”

Sulmi ndaj gazetares ka tronditur mbarë opinionin publik, sakaq gazetarët kërkojnë drejtësi dhe liri në profesionin e tyre. Gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile protestuan mbrëmjen e sotme në shenjë solidarizimi me gazetaren Klodiana Lala. Gazetarët shprehen solidaritetin e tyre dhe thonë se sulmi ndaj Klodiana Lalës është sulm ndaj gjithë gazetarëve në Shqipëri. “Plumba mbi shtëpinë e gazetares Klodiana Lala, janë plumba mbi ne. Ndaj mos pyet se për kë bien këta plumba?! Ato bien për ty”, – shkruhej në një pankartë e mbajtur nga një prej protestuesve.

Erion Kristo: “Kemi dalë sot në shesh të kërkojmë nga kryeministri i vendit të harxhojë më shumë sesa një status në Tëiter, të shkojë atje ku ka ndodhur ngjarja, të tregojë se është shërbëtor i këtij populli, shërbëtor i paguar shtrenjtë nga taksat tona. Ne kërkojmë nga organet ta zbardhë ngjarjen sa pa dalë në të gjitha mediat ndërkombëtare, të gjithë raportet ndërkombëtare ku ne mërzitemi kur Shqipëria nuk quhet më vend i fjalës së lirë. Ju ftojmë të gjithëve ta mbrojmë fjalën e lirë, Klodiana është gjithëkush nga ne.”

Reagon gazetarja Klodiana Lala: Jemi të tronditur, dyshoj se vjen si rezultat i punës time

Gazetarja Klodiana Lala ka reaguar pas sulmit në banesën e prindërve të saj, ndodhur mëngjesin e sotëm. Gazetarja Lala shkruan se ajo dhe familja e saj janë të tronditur, ndërsa thotë se nuk kanë asnjë konflikt personal me askënd: “Të dashur miq! Po ju flas në emrin tim dhe të familjarëve të mi. Jemi mirë, asnjëri prej nesh nuk është lënduar. Megjithatë, jemi të tronditur nga ngjarja. Duke i lënë institucionet të bëjnë punën e tyre, ju siguroj se unë dhe familjarët e mi, nuk kemi asnjë konflikt personal. Dyshoj se sulmi vjen si rezultat i punës time si gazetare. Këtë profesion e kam ushtruar me ndershmëri e profesionalizëm ndër vite, e do vazhdoj këtë detyrë me të njëjtin përkushtim, pavarësisht gjithçkaje. Falënderim Ministrit të Brendshëm dhe Policisë së Shtetit, që u angazhuan maksimalisht për zbardhjen e ngjarjes. Ju jam mirënjohës secilit prej jush që po më gjendet pranë në këto momente!” – shkruan gazetarja Klodiana Lala në postimin e saj.

Presidenti Meta telefonon gazetaren Lala: Ngjarje e rëndë, solidaritet dhe inkurajim për misionin e gazetares!

Pas sulmit ndaj gazetares Klodiana Lala ka reaguar edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta, i cili dënon me ashpërsi sulmin me armë të kryer ndaj banesës së prindërve të gazetares së mirënjohur investigative, Klodiana Lala. Edhe përmes një bisede telefonike, ku shprehu solidaritet të plotë me gazetaren Lala, dy vajzat e saj të mitura dhe prindërit e saj, Presidenti Meta e inkurajoi të vijojë misionin e saj, pa u trembur dhe shantazhuar nga askush. “Po kështu inkurajoj organet e sundimit të ligjit të hetojnë në mënyrë të plotë dhe shteruese, këtë ngjarje të rëndë, e të venë para ligjit këdo që qëndron pas saj. Liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”, – nënvizoi Presidenti Meta.

Kryeministri Rama: E patolerueshme barbaria mbi shtëpinë e gazetares Lala!

Kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar menjëherë pas publikimit të lajmit se shtëpia e gazetares investigative Klodiana Lala ishte qëlluar me breshëri plumbash gjatë natës. “E patolerueshme barbaria mbi shtëpinë e gazetares Klodiana Lala! – ka shkruar Rama në Tëiter. – Ngjarja duhet zbardhur sa më parë dhe strukturat e shtetit janë të angazhuara maksimalisht. Mbështes e inkurajoj Klodianën në këtë moment kritik dhe pres me padurim ndëshkimin e keqbërësve.” 

Kryetari i Opozitës, Basha: Mesazh mafioz, Rama do mbajë përgjegjësi, nëse preken gazetarët

Mesazhi mafioz është i qartë: Kush nuk i bindet krimin, e ka fundin të shpejtë! Dua të shpreh mbështetjen time për çdo gazetar të palëkundur nga krimi, u them atyre dhe çdo shqiptari që nuk do të qeveriset nga krimi: Duhet të luftojmë, duhet të përballemi! Sa herë media hesht, krimi triumfon! Sulmi me armë ndaj gazetares Klodiana Lala, e cila së fundi nxori në dritë lidhjet e deputetit të Ramës Jurgis Çyrbja me bandën e Shullazit… Prej pesë vitesh krimi triumfon se bashkëqeveris me Edi Ramën. Krimi kontrollon kupolën e Ministrisë së Brendshme. Prej Edi Ramës sot shteti nuk ka prokurori, nuk ka qeveri, ndaj qëllohen me armë gazetarë e shantazohen gjyqtarë, grabiten e rrëmbehen qytetarë. Edi Rama të lërë lotët e krokodilit dhe të gjejë autorët e sulmit me armë. E ka fare të thjeshtë: të flasë me banditët e vet dhe horrat brenda e jashtë burgut që t’i gjejë. Sot kam dhe një mesazh për Edi Ramën. Do të mbash ti përgjegjësi i vetëm, nëse gazetares Klodiana Lala dhe çdo gazetari që nuk ha bukën tënde u preket qoftë edhe një fije floku nga banditët dhe horrat që ke në urdhrat e tua! Sa kohë që kryeministri i vendit është i lidhur me krimin, vendi do të jetë në qeverisjen e bandave. 

Ambasada e SHBA në Tiranë: Dënojmë me forcë sulmet ndaj gazetares, akte frikacake të kriminelëve

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë sulmin ndaj gazetares Klodiana Lala dhe familjes së saj. Ne nxisim autoritetet shqiptare të kryejnë një hetim tërësor dhe transparent për të nxjerrë autorët përpara drejtësisë. Si gazetare, Klodiana ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbulimin e reformës në drejtësi, çështjeve të gjyqësorit dhe veprimtarisë kriminale. Fakti që ajo u vu në shënjestër demonstron rëndësinë e punës së saj – sjellja e së vërtetës tek populli shqiptar. Një media e pavarur është frymëmarrja e një demokracie të fortë. Akte frikacake si ky tregojnë se kriminelët kanë frikë sa më shumë Shqipëria i afrohet një drejtësie të vërtetë.

OSBE dënon sulmin ndaj Klodiana Lalës: Dhuna ndaj gazetarëve, shenjë negative, përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri: Dënojmë me forcë sulmin e sotëm kundër gazetares Klodiana Lala dhe i nxitim autoritetet të nxjerrin para drejtësisë personat përgjegjës. Media e lirë luan rol thelbësor në demokraci dhe dhuna kundër gazetarëve është shenjë shumë negative për shëndetin dhe lirinë e shoqërisë.

BE dënon sulmin ndaj gazetares: Autoritetet të hetojnë plotësisht ngjarjen

Dënojmë sulmin kundër gazetarit investigative Klodiana Lala dhe përsërisim mbështetjen tonë më të fortë për gazetarët në vijën e frontit të raportimit mbi krimin e organizuar në Shqipëri. Ne ftojmë autoritetet që të hetojnë plotësisht dhe menjëherë ngjarjen”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE.

Unioni i Gazetarëve: Policia të zbardhë ngjarjen

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon me forcë sulmin e kryer në banesën e reporteres së njohur Klodiana Lala në mëngjesin e ditës së sotme. Vetë gazetarja Klodjana Lala, i tha zyrës së shtypit të UGSH-së se sulmi është një tentativë e pastër për të frikësuar atë dhe ka ndodhur për shkak të detyrës së saj si reportere. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka mësuar se ngjarja është e rëndë dhe serioze, pasi ndaj banesës së koleges sonë është derdhur një breshëri me plumba, duke rrezikuar jetën e pjesëtarëve të familjes së saj prindërore. UGSH i bën thirrje Policisë së Shtetit që urgjent të hetojë ngjarjen dhe të dërgojë autorët para drejtësisë, pasi çdo vonesë do të ndikojë edhe më shumë në acarimin e klimës së lirisë së shprehjes në Shqipëri. Policia nuk duhet të merret me detaje që çorodisin më shumë opinionin por të gjejë autorin ose autorët e kësaj ngjarjeje shumë të rëndë. Kur sulmohet lajmësi, rrezikohet rëndë një nga të drejtat themelore kushtetuese. UGSH është në kontakt intensiv me organizmat ndërkombëtare në Shqipëri për të kërkuar një angazhim sa më aktiv në mbrojtje të gazetarëve. Ne u bëjmë thirrje institucioneve shqiptare që nga Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe veçanërisht Ministria e Brendshme të reagojnë menjëherë duke dënuar ashpër sulmin dhe të merren në mbrojtje reporterët.

Berisha: Sulmi ndaj Lalës, i porositur nga familjet mafioze të lidhura me qeverinë e Ramës

Narkoqeveria mesazh mafioz me breshëri kallashi gazetares investigative Klodiana Lala! Të dashur miq, sot falangat e krimit të narkoqeverisë së Noriegës ndërmorën një sulm të armatosur terrorist ndaj shtëpisë dhe prindërve të gazetares Klodiana Lala! Ky akt i porositur dhe organizuar nga familjet e mëdha mafioze të narkoqeverisë së Noriegës, përbën një përshkallëzim të ri tepër të rrezikshëm të diktatit të mafies qeveritare, përpjekjeve mafioze e kriminale të saj për t’i mbyllur gojën një gazetareje investigative, e cila po investigonte me guxim dhe vendosmëri mbi kokainën, krimin dhe trafiqet kriminale të niveleve më të larta të familjeve qeveritare mafioze, ndër të cilat edhe vet të Noriegës. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë sulm të hapur, primitiv, mafiozë terrorist ndaj gazetares që po heton me vendosmëri lidhjet mafioze të organizatave kriminale me nivelet më të larta të narkoqeverisë shqiptare, le të paralajmërojmë të dashur miq Noriegën se vrimë miu nuk do gjesh të futesh dhe se fatin e diktatorit panamez do të pësosh, por jo nga marinsat e SHBA, por nga qytetarët dhe aleanca antikrim e Shqipërisë në rast se vazhdon me këto akte hakmarrje primitive ndaj Klodiana Lalës, familjes së saj, apo çdo gazetari në këtë vend! sb