Astrit Patozi për Reformën Zgjedhore: Po shpiken arsye që të mos bien dakord në tryezë Oerdi me Damianin

484
Sigal

Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka komentuar polemikat e ditës së sotme për Reformën Zgjedhore.

Në një postim në facebook, Patozi shkruan se shqiptarët duhet të përgatitën për më të keqen, që të mos ketë reformë fare, ndërsa polemikat e sotme i sheh si një arsye që shpiket nga palët që të mos bien dakord në tryezë Oerd Bylykbashi dhe Damian Gjiknuri.

Përveç kësaj, Patozi thotë se propozimi i kreut të demokratëve, Lulzim Basha për “parlamentin me dy dhoma”, nuk u shërben qytetarëve sepse shqiptarët nuk e kanë problemin se si t’i strehojnë deputetët, por se si t’i zgjedhim ata.

Reagimi i Patozit:

Po kërkohet një “kopil” për dështimin e Reformës

Qofsha i gabuar, por duket sikur po bie që tani era e keqe e dështimit të reformës zgjedhore. Debati që ka nisur mes sherrxhinjve të përhershëm nuk ka të bëjë me çështje të Kodit Zgjedhor apo të sistemit politik, por me sa duket po zhvillohet për t’i ngecur kundërshtarit faturën. Ose me popullorçe “kopilin” në prehër.

Dhe këtu nuk është fjala për 15 marsin, sepse është e sigurt që atëherë nuk do të ketë ndonjë produkt, por kam frikë se duhet tëë përgatitemi për më të keqen, që të mos ketë reformë fare, ose parlamenti të votojë ndryshime të papërfillshme, të cilat nuk e prishin qetësinë e statuskuosë.

Edhe polemikat e sotme në këtë dritë duhen parë. Është e qartë se po shpiken arsye për të mos rënë dakord në tavolinë Oerdi me Damianin, ndërkohë që Edi dhe Luli janë në të njëtën gjatësi vale, kur vjen puna për mosndryshimin, edhe pse në distancë.

Sa për këtë propozimin e parlamentit me dy dhoma, mund të thuhet vetëm kaq: ne nuk e kemi problemin se si t’i strehojmë dhe ulim në sallë deputetët, por se si t’i zgjedhim ata. Në rast se do të ruhet ky sistem i shpifur, ku njerëzit votojnë vetëm për kryetarin e partisë, edhe me 140 dhoma po ta bësh Kuvendin e Shqipërisë, nuk do të kishte asnjë vlerë, sepse do të ishte e njëjta gjë.