Amendamentet e PE-së, mbi 6 parakushtet për konferencën e parë ndërqeveritare BE-Shqipëri

180
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Harrojeni Europën, pa zgjedhje të lira në 25 prill 2021

Grupimet politike të Parlamentit Evropian kanë prezantuar 267 amendamentet  për draft-raportin e eurodeputetes Isabel Santos mbi vlerësimin e progresit të Shqipërisë në integrimin evropian për vitin 2020. Amendamente evidentojnë mos përmbushje ose përmbushje të pjesshme të parakushteve për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Amendamentet më të shumta kanë të bëjnë me 6 parakushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare BE-Shqipëri. “Parlamenti mbështet mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare pa shtyrje të mëtejshme,  kur të jenë përmbushur të gjitha kushtet e vendosura nga Këshilli i Bashkimit Europian në vijim të aprovimit të kuadrit negociues”.

Parakushti i parë është reforma zgjedhore

Parakushti i parë është reforma zgjedhore. Zbatimi i reformës zgjedhore nuk mund të konsiderohet i përmbushur për Parlamentin Evropian pa ndjekur dhe evidentuar procesin e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit në Shqipëri. Zgjedhjet e 25 prillit konsiderohen nga të gjitha grupimet politike si një test për pjekurinë politike të vendit.

Gjykatë Kushtetuese pa ndikim politik

Lidhur me parakushtin e dytë, amendamentet evidentojnë nevojën për funksionimin e plotë dhe eficent të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Lartë, si dhe funksionimin e qëndrueshëm dhe pa shkëputje të Gjykatave të Apelit. “Parlamenti inkurajon Shqipërinë të plotësojë procesin e ndërmarrjes së hapave të duhura drejt rifitimit të kapacitetit për funksionimin e plotë dhe eficent të Gjykatës Kushtetuese dhe të sigurojë që Gjykatat e Apelit të mos ndërpresin punën e tyre”.    “Përshëndet arritja e kuorumit minimal të gjykatësve në Gjykatën Kushtetuese për të vendosur mbi pranimin e rasteve”.  “Mirëpritet fakti, që Gjykata e lartë ka rifituar pjesërisht kapacitetin për të funksionuar dhe ka trajtuar me më shumë se 1000 dosje dhe nxitet progresi për emërimin e gjykatësve të tjerë. Nënvizohet nevoja e mbështetjes për funksionimin eficent të këtyre institucioneve përmes burimet të duhura financiare dhe humane”.

 

Luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Për parakushtin e tretë, bëhet thirrje për përshpejtim të hapave për funksionimin e plotë të organeve të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Bëhet thirrje që të hetohen rastet e korrupsionit të nivelit të lartë,  të ruajë pavarësia dhe eficenca në luftën kundër pandëshkueshmërisë. Për byronë kombëtare të hetimit nënvizohet nevoja e vazhdimit të procesit të rekrutimit të stafit të hetimit. “Mirëpritet ngritja e organeve anti-korrupsion dhe fakti që po kryhen hetime nga struktura speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) dhe akuzat që po trajtohen nga Gjykatatat anti-korrupsion dhe anti-krim i organizuar. Nënvizohet nevoja për të ruajtur pavarësinë dhe efiçencën e tyre dhe nevoja për të goditur korrupsionin e nivelit të lartë në të gjitha nivelet e shoqërisë, kryesisht në nivelin e qeverisë shqiptare. Shprehet kënaqësia për ngritjen e byrosë kombëtare të hetimit, që drejtoresha po kryen detyrën e saj dhe që stafi i hetimit është aktualisht në procesin e rekrutimit. Nënvizohet nevoja e ofrimit të rezultateve të prekshme nga hetime të pavarura dhe të paanshme që çojnë në ndjekje penale të suksesshme të krimit të nivelit të lartë përfshirë korrupsionin.”

Policia e Shtetit jo donacione private

Amendamente të tjera, shprehet shqetësimi, se policia e shtetit mund të marrë donacione private dhe sponsorizime. Bëhet thirrje për vlerësim adekuat dhe rregullat strikte për të kufizuar rreziqet e korrupsionit dhe konfliktit të interesit. Shqetësime shprehen edhe për dhunën disproporcionale të ushtuar nga forcat e rendit në disa raste.

Luftë kundër pastrimit të parave

Lidhur me parakushtin e katërt për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit përfshirë goditjen e aseteve të krimit të organizuar, bëhet thirrje për shtimin e hetimeve kundër pastrimit të parave. Amendamenti 125 identifikon problemin e pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit dhe shitjes së pronave, ndërkohë që amendamenti 127 rikujton, se Shqipëria që prej marsit të 2020 është përfshirë në rit ë rit ë Task Forcës për Aksionin Financiar. Duke përshëndetur bashkëpunimin me autoritetet italiane për luftën kundër lëndëve narkotike, bëhet thirrje për përpjekje serioze dhe tërësore për të goditur trafikun ndërkombëtar të drogës.

Azilantët ekonomikë

Eurodeputetët kanë paraqitur amendamente edhe për progres të shpejtë në ndalimin e numrit të kërkesave të azilit të pabazuara dhe kthimin e personave në fjalë në Shqipëri, që përbën dhe parakushtin e pestë.

Media e Lirë

Për parakushtin e gjashtë, eurodeputetët shprehin shqetësim të thellë për draftin e medias audiovizive dhe mirëpresin angazhim për të aprovuar amendamente vetëm nëse ato janë në përputhje me rekomandimet e Komisionit te Venecias dhe në proces konsultimi me shoqërinë civile, gazetarët dhe organisatat e mediave. I bëhet thirrje autoriteteve  shqiptare që të kryejnë një hetim lidhur me dhunën e kohës së fundit dhe ndalimit të pajustifikuar nga forcat e rendit të gazetarëve dhe t’i përgjigjen akuzave të ngritura nga gazetarët për cënim nga policia, përfshirë edhe gjatë mbajtjes nga forcat e rendit. “Shprehet shqetësim të thellë për draft-ligjin për mediat, kryesisht të ashtuquajturin “ligji anti- shpifje” dhe i bën thirrje qeverisë që të aprovojë amendamente që janë tërësisht në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.”

Çështja e pronës, të Drejtat e Njeriut

Amendamente janë depozituar edhe për procesin e kompensimit për çështjen e pronave, çështjet ekonomike, të mjedisit, të drejtave të njeriut dhe minoriteteve. Javën e ardhshme, raportuesja për Shqipërinë, Isabel Santos do të zhvillojë takime me grupimet politike për të gjetur kompromise për këto amendamente.

Nga Erisa Zykaj.