Ambasada holandeze në Tiranë: Holanda pro mbajtjes së konferencës ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

207
Sigal

Parlamenti i Holandës diskutoi të mërkurën në lidhje me nisjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që paraprakisht qeveria i ka dhënë dakordësinë dy shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Dhe pikërisht për këto qëndrime të institucioneve më të larta të Holandës, ka reaguar edhe ambasada holandeze në Tiranë, e cila sqaron se vendimet për hapat e mëtejshme që duhen ndërmarrë në lidhje me pranimin në BE janë të bazuara në meritat individuale të vendeve.

Reagimi i Ambasadës së Holandës në vendin tonë: 

Politika e qeverisë hollandeze në lidhje me procesin e zgjerimit është strikte, e drejtë dhe mbështetëse/e angazhuar. Vendimet për hapat e mëtejshme që duhen ndërmarrë në lidhje me pranimin në BE janë të bazuara në meritat individuale të vendeve.

Në mars 2020, Këshilli Europian vendosi të hapë negociatat me Shqipërinë dhe të mbajë Konferencën e Parë Ndër-Qeveritare të 27 vendeve anëtare të BE-së me Shqipërinë, sapo të ishin plotësuar një sërë kushtesh në fushën e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës.

Qeveria hollandeze bie dakort me gjetjet e Komisionit Europian sikurse theksohet në përditësimin e raportit për Shqipërinë.

Shqipëria ka bërë progres në fushat prioritare si reforma në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu ‘track record’-i ka shënuar progres, megjithëse një numër më i lartë dënimesh për zyrtarët e lartë mbetet një çështje e rëndësishme për t’u mbajtur në vëmendje.

Qeveria hollandeze mundet kësisoj të bjerë dakort për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndër-Qeveritare me Shqipërinë, sapo kuadri negociator të jetë miratuar.

Sot, shumica e parlamentit ra dakort që të mbahet Konferenca e Parë Ndër-Qeveritare me Shqipërinë, pas miratimit të kuadrit negociator. Procedura do të finalizohet nesër me votimin e mocioneve të mundshme të ngritura nga partitë apo grupet parlamentare.

Qeveria hollandeze është e kënaqur që është krijuar një kuadër negociues i qartë dhe i qëndrueshëm për negociatat e pranimit midis BE-së dhe Shqipërisë.

Qeveria pret me kënaqësi mbajtjen e të parës Konferencë Ndër-Qeveritare si një nisje zyrtare e negociatave, një trajektore intensive në të cilën reformat në fushën e sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe fuqizimit të mëtejshëm të institucioneve demokratike do të mbeten prioritete kyçe.