Albana Shtylla:Lojëra në prapaskenë me zbatimin e numërimit elektronik në Qarkun e Fierit

445
Sigal

INTERVISTA/Albana Shtylla, anëtare e KQZ-së: “KQZ-ja ka shkelur transparencën me procedurën për përzgjedhjen e fituesit të numërimit elektronik”

Edhe pse kanë mbetur pak ditë nga 23 Qershori, përsa i përket projektit të zbatimit të numërimit elektronik në Fier ende çdo gjë është në prapaskenën e Kryetares së KQZ-së. Askush nuk di asgjë, madje kompania që ka fituar tenderin, ende është një fantazmë. Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi mban top-sekret akoma çdo të dhënë për kompaninë që do të zbatojë numërimin elektronik në Qarkun e Fierit, në kundërshtim flagrant me Kodin Zgjedhor, madje nuk ka informuar për asgjë as vetë opozitën. Anëtarja e KQZ-së, Albana Shtylla, në intervistën për “Telegraf” pohon se, qëndrimi i KQZ-së në mosinformim, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor është në dëm të transparencës. Por, më kryesorja është se zonja Shtylla pranon se KQZ-ja ka shkelur transparencën  me procedurën për përzgjedhjen e fituesit në numërimin elektronik.

– Zonja Shtylla, sipas  bashkëhartuesit të reformës zgjedhore, z.Bledar Çuçi, kompania INDRA e përzgjedhur nuk përmbush dy kritere për veçimin e fletëve të votimit në të vlefshme dhe të pavlefshme.  Çfarë dijeni keni ju për këtë?

– Procesi i përzgjedhjes së kompanisë që do të zbatojë projektin teknologjik për numërimin elektronik në Qarkun e Fierit (SEN), është një proces, i cili kryhet nga Administrata e KQZ dhe jo nga trupa e KQZ. Pra, në përputhje me rregullat dhe procedurat e prokurimit publik, komisioni i prokurimeve i ngritur pranë KQZ-së shqyrton dokumentacionin tekniko-ligjor, si dhe ofertën financiare, dhe bën përzgjedhjen e kompanisë fituese. Pavarësisht kësaj, në vazhdimësi, ne, si anëtarë të KQZ-së, kemi kërkuar informacion sipas dispozitave ligjore në fuqi, për zhvillimin e procedurave për kryerjen e këtij prokurimi, sipas afateve dhe kërkesave të Kodit Zgjedhor. Gjithashtu, kemi zhvilluar dhe një takim me komisionin e prokurimeve pranë KQZ-së, për të marrë shpjegime dhe siguri lidhur me faktin nëse kompania e përzgjedhur për zbatimin e projektit SEN, me projektin e saj teknologjik i përmbush të gjitha kriteret teknike dhe ligjore të parashikuara, për këtë projekt në Kodin Zgjedhor. Ajo çfarë ne kemi bërë është këmbëngulja e vazhdueshme dhe sjellja në qendër të vëmendjes së faktit që kompania të plotësojë kriteret teknike dhe ligjore sipas Kodit, pavarësisht se nuk jemi pjesë e vendimmarrjes në përzgjedhjen e fituesit.

Kjo firmë është përzgjedhur nga KQZ-ja pa marrë mendimin e opozitës. Atëherë,  përzgjedhja a ka qenë transparente, apo e njëanshme?

– Unë mendoj që transparenca, por edhe konsultimi paraprak i projektit teknologjik të propozuar nga kompania fituese, me ekspertët teknik të palëve të interesuara, i shërben garantimit të suksesit në zbatimin e tij. Në dijeninë time, ka patur shkëmbim mendimesh me ekspertë teknik të palëve të interesuara.

Por KQZ-ja, deri tani, nuk ka vënë në dispozicion procesverbalet, apo edhe dokumentacionin e përzgjedhjes, sipas kërkesës së paraqitur nga përfaqësuesi i PS-së në KQZ?

Sipas ligjit për prokurimin publik, çdo person i interesuar ka të drejtë të kërkojë informacion dhe kopje të dokumenteve të parashikuara në nenin 12 të tij. Pra, kërkesa e përfaqësuesit të PS-së ka qenë në përputhje me ligjin e prokurimit publik, ndërkohë që, KQZ-ja tashmë ka shkelur afatin e sipërcituar (pra brenda 5 ditëve), në dërgimin e informacionit dhe dokumentacionit. Mendoj që, këto veprime nuk i shërbejnë transparencës lidhur me procedurën e ndjekur për përzgjedhjen e fituesit.

Procesi i numërimit elektronik, kërkon që të jetë i vëzhgueshëm me sy të lirë, ndërkohë, sipas z.Çuçi kjo nuk realizohet nga projekti teknologjik i propozuar nga INDRA?

Vlerësimi i projektit duhet të jetë bërë nga specialistët teknik të komisionit, bazuar në kërkesat teknike dhe ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor. Pra, nëse nuk realizohet kjo kërkesë e ligjit, mendoj se do të ishte një shkelje e tij, dhe konkretisht germës “b”, të pikës 2, të seksionit 2, shtojca II e Kodit Zgjedhor. Nga komisioni i prokurimeve në takimin e zhvilluar, për një pyetje që kam parashtruar personalisht, nëse kompania plotëson me projektin teknologjik të propozuar të gjitha kërkesat teknike dhe ligjore, specialistët teknik të komisionit u përgjigjën që i plotësonte 100% ato. Nëse verifikohet gjatë testimit ndryshe, çdo person teknik i përfshirë në procesin përzgjedhës do të mbajë përgjegjësinë e vet.

– Përzgjedhja e kompanisë INDRA është bërë nga projektet e paraqitura në letër prej saj, apo në bazë të testimeve konkrete?

Përzgjedhja e kompanisë, siç jemi informuar ne si anëtarë të KQZ, është bërë në bazë të projektit të propozuar në letër nga kompanitë ofertuese, i cili duhej t’i përgjigjej gjithë kërkesave bazë të vendosura në dokumentacionin e tenderit, sipas Kodit Zgjedhor. Testimi/prova e plotë i/e projektit teknologjik të kompanisë fituese do të zhvillohet, duke simuluar një proces real, jo më vonë se 90 ditë nga dita e zgjedhjeve, pra 23 marsi 2013. Në të, sipas Kodit, do të ftohen përfaqësues të partive politike, vëzhguesve dhe medias. Nëse gjatë testimit do të konstatohen defekte të riparueshme të projektit, atëherë kompania, sipas Kodit, duhet t’i rregullojë ato brenda periudhës së përcaktuar nga KQZ-ja deri në zhvillimin e zgjedhjeve. Në rast të kundërt, nëse defektet e konstatuara nga testimi, cenojnë integritetin e teknologjisë që aplikohet, apo e bëjnë të pamundur zbatimin e tyre, KQZ-ja mund të vendosë zbatimin e numërimit me dorë në Qarkun e Fierit.

– Pohimi që thoni, do të thotë që Kodi nuk ka parashikuar mundësi të tjera, që të përzgjidhet një tjetër kompani që të zbatojë numërimin elektronik?

Kodi nuk ka parashikuar mundësi të tjera, pasi vetë periudha e kryerjes së procedurave, apo edhe e përgatitjes së këtyre projekteve është e shkurtër, pra nuk mund të ketë një ripërsëritje të procedurës apo ndonjë mundësi tjetër.

Kemi kërkuar  nga KQZ-ja të informohemi mbi procedurën praktike të numërimit elektronik.  Përse nuk informohemi?

– E thashë edhe pak më lart transparenca lidhur me zbatimin e këtij projekti, i shërben informimit jo vetëm të palëve të interesuara, por edhe vetë zgjedhësve. Nga ana tjetër, informimi apo edhe transparenca i shërbejnë krijimit të bindjes që gjithçka është kryer në përputhje të plotë me ligjin. Në këtë kontekst, mendoj që administrata e KQZ-së, në përputhje edhe me dispozitat ligjore, duhet të jetë e hapur për të informuar këdo që ka paraqitur kërkesë.

Verifikimi i listave zgjedhore përse është vonuar?

KQZ-ja për verifikimin e listave ka një instrument të ri në dorën e saj, audituesit teknicien. Bazuar në raportet e paraqitura prej të dy audituesve, u vu re se ka probleme në listat e zgjedhësve lidhur me dublikimet, regjistrimin e personave pa adresë të përcaktuar, çregjistrimin e personave mbi 100 vjeç, vonesa në publikim e tyre etj. Të gjitha këto gjetje janë përshkruar në raportet përmbledhës të audituesve, por janë detajuar më tej në statistika dhe listat bashkëlidhur këtyre raporteve. Mosdërgimi në kohë, ashtu siç e kërkon edhe Kodi, (brenda 48 orëve), i statistikave dhe listave të përgatitura nga njëri prej audituesve, mendoj se do të ketë patur ndikim në mospërpunimin dhe pastrimin e plotë të ekstraktit të listave që duhet të ketë dalë në 3 mars, ndoshta ditën e hënë në datën 4 mars. Kjo ka ndikim gjithashtu edhe tek zgjedhësit dhe veprimet administrative që ata duhet të kryejnë, për përfshirjen në lista, apo edhe korrigjimin e tyre, kur janë përfshirë në qendrën e votimit të gabuar, duke iu lënë në këtë mënyrë vetëm një rrugë, atë gjyqësore.

 – Faleminderit!