MASH: Programi i “Gjuhës shqipe dhe Letërsisë”, ku duhet të mbështeten shkollat me drejtim gjuhësor

1323
Sigal

ZYRTARE/Programi orientues për provimin e detyruar të Maturës Shtetërore për shkollat e mesme

 Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar programet për provimet e Maturës Shtetërore për t’u ardhur në ndihmë maturantëve për marrjen e provimeve. Gazeta “Telegraf” ditën e sotme po publikon programin e lëndës “Gjuhë shqipe dhe Letërsi”. Lënda “Gjuhë shqipe dhe Letërsi” është provim i detyruar i Maturës Shtetërore për të gjithë nxënësit që mbarojnë arsimin e mesëm. Për këtë, ata i nënshtrohen një testimi, në përbërje të të cilit janë njohuritë dhe aftësitë e fituara në këtë lëndë, gjatë gjithë viteve të shkollës së mesme. Ky testim zhvillohet mbi bazën e programit orientues. Programi orientues është mbështetur në:

  • programet e  gjuhës shqipe dhe të letërsisë për shkollat e mesme;
  • udhëzimin e MASH-it, nr. 35, datë 27.11.2012 “Për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2013”.

Programi orientues i lëndës “Gjuhë shqipe dhe Letërsi” përfshin njohuritë dhe aftësitë më të rëndësishme të kësaj lënde. Ai përbën një dokument të vlefshëm për:

  • nxënësit e shkollave të mesme artistike, sportive, profesionale dhe gjimnazeve me kohë të shkurtuar;
  • mësuesit e gjuhës shqipe dhe të letërsisë;
  • specialistët e përfshirë në procesin e vlerësimit për provimet e Maturës Shtetërore.

Programi orienton nxënësit për njohuritë dhe aftësitë kryesore që duhet të zotërojnë për të përballuar me sukses testimin në Maturën Shtetërore.

Ky program gjeneron informacionin e nevojshëm për mësuesit që do të përgatitin maturantët për provimin e gjuhës shqipe dhe të letërsisë në Maturën Shtetërore.

Programi përbën, gjithashtu, një dokument zyrtar, që duhet zbatuar me korrektesë nga specialistët e përfshirë në hartimin e testit të gjuhës shqipe dhe të letërsisë për Maturën Shtetërore.

Testi i Maturës Shtetërore:

  • do të ketë në përbërje dy fragmente nga tekste të ndryshme (tekst tregimtar, tekst poetik, tekst dramatik, tekst bindës/argumentues, tekst përshkrues, tekst shpjegues, tekst informativ, tekst eseistik, tekst kulturologjik), jo domosdoshmërish të punuara në klasë;
  • do të ndërtohet në mënyrë të tillë, ku të jenë të përfshira të tri nivelet e vështirësisë. Peshat specifike për çdo nivel do të jenë:

niveli bazë – 40%;

niveli  mesatar – 40%;

niveli i lartë – 20%.

Programi i gjuhës shqipe dhe i letërsisë nuk paraqitet me tema mësimore, por me objektiva (për 5 aftësitë që kanë të bëjnë me format e ndryshme të ligjërimit, si: të lexuarit, të shkruarit, të folurit të dëgjuarit, të vështruarit), të cilat e vënë theksin në rezultatet e të nxënit. Objektivat e programit të lëndës së gjuhës shqipe dhe letërsisë realizohen nëpërmjet teksteve (teksti tregimtar, teksti poetik, teksti dramatik, teksti bindës/argumentues, teksti përshkrues, teksti shpjegues, teksti informativ, teksti eseistik, teksti kulturo-logjik). Fakti që nxënësi përballet dhe ushtrohet në tekste të ndryshme, e bën më të lehtë “transferimin” dhe përdorimin e koncepteve, njohurive, aftësive edhe në tekste të tjera.

       STRUKTURA E TESTIT

•      Pjesa e parë: tekst letrar (45%)

•      Pjesa e dytë: tekst joletrar (55%)

Kjo do të thotë që në përgatitjen e maturantëve për provimin e Maturës Shtetërore, do të punohet për përvetësimin e aftësive dhe teknikave zbuluese, shpjeguese, zbatuese, analizuese, sintetizuese dhe vlerësuese. Këto aftësi dhe teknika nxënësit do t’i demonstrojnë dhe do t’i zbatojnë në tekste tregimtare, poetike, dramatike, bindëse/argumentuese, përshkruese, shpjeguese, informative, eseistike, kulturo-logjike, të punuara apo të papunuara më parë në klasë.

Pra, nxënësit duhet të aftësohen për objektivat e programit orientues. Ata duhet të jenë të aftë të demonstrojnë arritjet e tyre në të gjitha llojet e teksteve.

Objektivat e programit orientues, sipas linjave dhe nënlinjave

Nënlinja

Objektivat

Njohuritë mbi fjalën

 

a)  Të kuptuarit dhe përdorimi i drejtë i kuptimit të fjalës.

 

b) Interpretimi dhe vlerësimi i kuptimeve të figurshme të fjalëve.

 

Nxënësi duhet të jetë i aftë:

 

  • të zbulojë origjinën e fjalës si një mjet për të kuptuar domethënien e tekstit;
  • të interpretojë kuptimet e figurshme të fjalëve si pasuri e shprehjes artistike në një tekst letrar;
  • të vlerësojë kuptimet e figurshme të fjalëve si pasuri e shprehjes artistike në një tekst.

 

Strategjitë e të lexuarit

 

a)  Përdorimi i strategjive të të lexuarit për të kuptuar një tekst.

 

b) Identifikimi i veçorive të teksteve.

 

c)  Evidentimi i veçantive të llojeve të ndryshme të teksteve dhe krahasimi mes tyre.

 

d) Zbulimi dhe vlerësimi i  pozicionit të autorit.

Nxënësi duhet të jetë i aftë:

 

  • të zbatojë strategji të tilla të të lexuarit si: strategjia  e hartës së tekstit, e problemzgjidhjes, e përmbledhjes dhe e diagramit të Venit;
  • të përdorë informacionin e tekstit për të zbuluar nëntekstin dhe për të nxjerrë përfundime;
  • ttë perifrazojë informacionin e marrë nga tekste të llojeve të ndryshme;
  • ttë bëjë përmbledhjen e një teksti;
  • ttë zbulojë tipare të përbashkëta dhe dalluese ndërmjet teksteve të ndryshme në lidhje me: personazhet, temën, problemzgjidhjen, lidhjen e ndërmjetme dhe  relacione të tjera;
  • ttë vlerësojë stilin e autorit në tekste të ndryshme.
Pasurimi i fjalorit

 

a)  Zbulimi dhe përdorimi i dukurive gjuhësore si: polisemia, homonimia, sinonimia, antonimia, shprehjet frazeologjike.

 

b) Vlerësimi i figurshmërisë së përdorur në tekste të ndryshme, përmes burimeve gjuhësore të shprehësisë.

Nxënësi duhet të jetë i aftë:

 

  • të përdorë gjerësisht dhe me efikasitet dukuritë semantike, si: polisemia, homonimia, sinonimia, antonimia;
  • të analizojë figurshmërinë e përdorur në tekste të  ndryshme, përmes burimeve gjuhësore të shprehësisë (fonetike, morfologjike, leksikologjike, sintaksore), për të pasuruar fjalorin;
  • të vlerësojë përdorime të gjuhës së figurshme nga tekste të ndryshme dhe vepra letrare.
Aftësitë e të kuptuarit të tekstit dhe reflektimi ndaj tij

 

a)  Përdorimi i njohurive dhe  aftësive për të kuptuar tekstin.

 

b) Evidentimi i rolit të fjalëve në krijimin e tonit dhe atmosferës së veprës.

 

c)  Interpretimi i një vepre në  drejtim të arritjes artistike gjuhësore, filozofike, shoqërore  e psikologjike.

 

Nxënësi duhet të jetë i aftë:

 

  • të analizojë tekstin (letrar dhe joletrar) si forma të larmishme të ligjërimit;
  • të tregojë sesi teksti pasqyron artistikisht marrëdhënie historiko-shoqërore të një periudhe kohore të caktuar;
  • të identifikojë karakteristika përmbajtjesore të teksteve (tema, tematika, motivi, karakteret);
  • të zbulojë qëndrimin e autorit ndaj “lëndës” që  trajton dhe ndaj lexuesit të cilit i drejtohet;
  • të zbulojë sesi përdorimi i fjalëve të autorit krijon tonin dhe atmosferën e përgjithshme të  veprës;
  • të interpretojë një vepër në drejtim të arritjes artistike gjuhësore, filozofike, shoqërore e psikologjike;
  • të zbulojë tipare të përbashkëta dhe dalluese midis një teksti të traditës letrare dhe një shkrimi bashkëkohor, duke i vendosur në marrëdhënie krahasuese.

Të shkruarit

 

Nënlinja

Objektivat

Shkrimi si proces

 

a)  Përfshirja në hapat e domosdoshëm të procesit të të shkruarit.

 

b)Njohja dhe përdorimi i elementeve të sistemit të vlerësimit.

Nxënësi duhet të jetë i aftë:

 

  • të përfshihet në të gjitha hapat e procesit të të shkruarit: parashkrimi, draftimi, rishikimi (redaktimi e korrektimi);
  • të përdorë elementet e sistemit të vlerësimit (ideja kryesore, nënidetë, organizimi, drejtshkrimi, fjalori, saktësia gramatikore, referencat) për shkrimin e tij.
Shkrimi si produkt 

 

a)  Realizimi i një shkrimi për tema, qëllime dhe audienca të caktuara.

 

b) Përdorimi i elementeve të domosdoshme për të përfunduar një shkrim.

Nxënësi duhet të jetë i aftë:

 

  • të  shkruajë tekste me disa paragrafë duke zhvilluar një ide kryesore;
  • të përdorë gjuhë të saktë, detaje specifike, përshkrime, shembuj, përkufizime, analogji;
  • të zgjedhë fjalët dhe format gjuhësore për të shprehur ngjyrime emocionale personale etj;
  • të  përdorë stil vetjak dhe autorial për të tërhequr vëmendjen e audiencës;
  • të përdorë struktura të tilla, si: kronologjia, sekuenca, titujt, nëntitujt etj.
Format e shkrimit, audienca dhe qëllimet

 

a) Demonstrimi i aftësive për të shkruar në forma të ndryshme, për një shumëllojshmëri audiencash dhe qëllimesh si dhe duke zbatuar kriteret e domosdoshme për çdo formë.

 

Nxënësi duhet të jetë i aftë:

 

  • të shkruajë lloje të ndryshme tekstesh, të cilat:

−      zhvillojnë një ide;

−      kanë një organizim strukturor të përshtatshëm me qëllimin, audiencën dhe kontekstin;

−      përfshijnë informacione të rëndësishme, duke përjashtuar informacionet më pak të rëndësishme;

−      mbështesin gjykimet me të dhëna të përshtatshme e thelbësore, si dhe me detaje të përzgjedhura;

  • të vlerësojë si ndikojnë mbi audiencën elemente të tilla, si: stili, mjetet letrare, përzgjedhja e fjalëve, toni, përmbajtja e këndvështrimi.
Drejtshkrimi dhe pikësimi

 

a)  Zbatimi i rregullave të drejtshkrimit dhe të pikësimit.

 

b) Zbatimi i njohurive të gjuhës standarde shqipe.

 

Nxënësi duhet të jetë i aftë:

 

  • të përdorë rregullat drejtshkrimore të gjuhës standarde në të gjitha shkrimet;
  • të përdorë njohuri të gjuhës standarde për të redaktuar punët me shkrim;
  • të përdorë rregullat e pikësimit të gjuhës standarde në të gjitha shkrimet e tij.

Lista e veprave nga do të përzgjidhet fragmenti i tekstit letrar në testimin kombëtar

Poezi

Homeri “Iliada”; Populli “Këngë të epikës legjendare shqiptare”; N. Frashëri “Lulet e verës”; Jeronim de Rada “Këngët e Milosaos”; Bajron “Çajld Harold”; Poradeci “Lirika”; Migjeni “Vargjet e lira”; Kadare “Ca pika shiu ranë mbi qelq”.

Prozë

M. Servantes “Don Kishoti”;  V. Hygo “Katedralja e Parisit”; E. Koliqi “Vepra”; K. Trebeshina “Odin Mondvalsen”; I. Kadare “Kronikë në gur” dhe “Prilli i thyer”; P. Marko “Nata e Ustikës”.

Dramë

Eskili “Prometeu”; Shekspir “Romeo dhe Zhuljeta” dhe “Nata e dymbëdhjetë”; Molier “Mizantropi”; Ibsen “Shtëpia e kukullës”; F. Noli “Izraelitë dhe filistinë”.