Ramazan Fejzo: Mbipopullimi i nxënësve në “Shkollën e kuqe“

752
Në “Shkollën e kuqe” në Tiranë nuk zbatohet Udhëzimi nr.44, datë 16.10.2014 i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit “Për normat e punës mësimore-edukative dhe numrin e nxënësve për klasë”. U bë viti i dytë që në këtë shkollë nuk zbatohet ky udhëzim i MAS. Drejtoresha e shkollës (që siç flitet as mësuese nuk ka punuar) nuk dëshiron ta zbatojë, me gjithë kërkesat e disa mësuesve. Klasat e I-ra, II-ta, III-ta, VII-ta, dy të teta dhe dy të nënta janë të mbingarkuara. Tavolinat e nxënësve vijnë deri tek tabela, mësuesi e ka të vështirë për të lëvizur. “Shkolla e kuqe” i ka edhe mjediset e klasave të vogla, ndryshe nga ndonjë shkollë tjetër. Në këtë shkollë nuk zbatohet as neni 14 i dispozitave normative për regjistrimin e nxënësve sipas zonave. Këto probleme kanë ekzistuar vazhdimisht, por jo deri në këtë masë. Megjithëse numri i nxënësve nëpër klasa është rritur me shpejtësi këto 2 vitet e fundit, drejtoresha nuk bën as ndarje klasash, as rregullim të normës së mësuesve sipas udhëzimit të ri. Shumë shkolla të Tiranës kanë bërë ndarje klasash duke sistemuar nxënësit dhe mësuesit. Kjo drejtoreshë kërkon të emërojë dy mësuese për klasat e V-ta, kur ka mësues të ciklit të lartë me mungesë orësh.
Përse nuk e zbaton udhëzimin nr. 44, datë 16.10.2014 të MAS?
Po të ndaj klasat, disa klasa të ciklit fillor dalin pasdite. Drejtoresha nuk e di se në shumicën e shkollave të Tiranës cikli fillor është pasdite. Nuk është ndonjë rast i veçantë, madje shkolla jonë është Qendër Komunitare dhe është e hapur pasdite. Kjo gjë nuk i pëlqen sepse detyrohet të dalë edhe vetë pasdite ndonjëherë për monitorim. Nuk e kupton drejtoresha se me 38-40 nxënës në klasë cenohet rendimenti dhe cilësia e mësimit?! Që nuk ka përvojë kjo dihet, por që mund të ketë edhe ndonjë qëllim të keq, mbetet për t’u parë. Nuk shikohet rehatia personale në kurriz të nxënësve dhe mësuesve. A ka mundësi që një mësues matematike të japë mësim në dy shkolla (brenda ditës), kur shkollat nuk janë shumë afër? A ka ndodhur ndonjëherë? Duke bërë vrap sa tek njëra tek tjetra, a është në kushte normale për të zhvilluar mësimin? Si mësues i kësaj shkolle kam vënë në dijeni DART dhe MAS me anë të një mesazhi me postë elektronike, por mbase ato nuk i kanë marrë ende statistikat e numrit të nxënësve për çdo klasë dhe shkollë. Besoj se do të bëhet më e mira për të gjithë, pas informimit të DART dhe MAS.
Mësues matematike, shkolla “E kuqe”, Tiranë
Sigal