Afganët në Shqipëri, Rama: I kam kërkuar unë t’i strehojmë, s’mund t’i lemë në mëshirën e fatit

390
Sigal
Kryeministri Edi Rama në një postim të gjatë në rrjetet sociale ka pranuar lidhur me bisedimet për pranimin e afganëve në Shqipëri, ndërsa u shpreh se Shqipëria nuk do t’i thotë “Jo” kërkesës së aleatit të saj strategjik, SHBA.Por Rama mes rrjeshtash ka pohuar se ka qenë ai që ka ngritur i pari shqetësimin në një Samit të NATO-s dhe ka shprehur gadishmërinë e Shqipërisë për të pritur dhe strehuar përkohësisht afganët, jetët e të cilëve rrezikohen nga talebanët.
“Bëj me dije se në Samitin e NATO-s isha unë që e ngrita këtë shqetësim, për jetët e bashkëpunëtorëve afganë të Aleancës pas tërheqjes së saj nga Afganistani. Madje iu referova si shembull eksperiencës tragjike të kundërshtarëve të regjimit komunist në vendin tonë, që vrau, burgosi, torturoi, shkatërroi çdo armik të brendshëm pasi triumfoi mbi armiqtë e jashtëm dhe mbylli totalisht Shqipërinë, siç do të bëjnë së shpejti tanimë, talebanët me Afganistanin.

Thashë në samit se pas tërheqjes së ushtrive të saj, bashkësia e qytetërimit demokratik të NATO-s nuk mund t’i lerë në mëshirën e barbarëve triumfatorë, njerëzit e ekspozuar si mbështetës të afërt të misioneve paqeruajtëse atje. Dhe nënvizova me gojën plot, se Shqipëria ishte e gatshme të merrte pjesën e saj të barrës, të cilën të gjitha vendet e NATO-s duhet ta ndajnë mes tyre.

Kjo është bindja ime, jo vetëm si njeri i një populli që ka shpëtuar hebrenjtë nga nazistët e shekullit të XX, po edhe si kryeministër i një vendi që i njeh mirë të dyja anët e medaljes, qoftë kur të lënë vetëm në duart e një regjimi xhelatësh në atdheun tënd, qoftë kur kërkon një jetë të re si i huaj në vendet e të tjerëve”, shkruan Rama.