Kryemadhi: Rama fle vetëm 1 orë e 45 minuta, po ta shohësh tani është në WhatsApp online

526
Sigal

Intervista e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, për emisionin ‘5 Pyetje nga Babaramo’ 

Në shtator do të niste një cikël protestash. Ato u shtynë dhe më në fund e keni përcaktuar për në datën 16 shkurt. Përse i keni shtyrë? Ndiheni të pasigurtë në një mbështetje popullore?

Nuk kemi shtyrë asnjë protestë. Ju kemi thënë që kemi një axhendë shumë të ngjeshur me aktivitete, denoncime, protesta. Por asnjëherë nuk kemi thënë se cila ka qenë axhenda e opozitës. Duke pasur parasysh që efekti surprizë e ka efektin më të madh se çdo efekt tjetër. Mos të harrojmë se në 27 vite tranzicion, me përjashtim të zgjedhjeve midis viteve ’96-’97, kemi rastin e rrëzimit të një qeverie, por ndërkohë në të gjithë këto vite të tjera, që nga ’91 e këtej, për herë të parë kemi që në mandatin e saj të dytë qeverisë, një qeveri brenda 12-13 muajsh, ndryshon 90% të qeverisë së saj. Vetëm Kryeministri pra nuk ndryshon. Kjo mos mendoni se ka ardhur si rezultat i punës së mirë të qeverisë, as si rezultat i punës së mirë të mediave, por ka ardhur si rezultat i një axhende të ngjeshur dhe të organizuar të opozitës në bashkëpunim edhe me faktorë të tjerë, qoftë me grupe interesi, qoftë me shoqëri civile apo edhe me individë të caktuar që kanë qenë pjesë e kësaj axhende për të denoncuar krimin dhe korrupsionin e qeverisë.

Rama ju ka akuzuar ju si LSI, si parti e tepsisë. Tani që jeni prej gati dy vjetësh në opozitë, a është tkurrur anëtarësia juaj?

Ka një problem se tepsi Rama ka quajtur gjithmonë tepsinë e tij. LSI-ja nuk e ka quajtur ndonjëherë tepsi pushtetin, por përkundrazi ato vite që ajo ka qenë, në ato mandate që ajo ka pasur, qoftë në ato 4 vite me PD-në, qoftë në ato 4 vite me Rilindjen, LSI nuk i është shmangur asnjëherë përgjegjësisë së saj dhe e ka marrë përsipër çdo angazhim të saj. Ndoshta mund të them që ka bërë më shumë se çfarë mund të pritej, për shkak të shkopinjve nën rrota që fusnin elementë të caktuar, duke filluar që nga vetë Kryeministri. Përsa i përket tkurrjes së LSI-së, përkundrazi nuk më duket e tkurrur, më duket e pastruar LSI-ja nga ajo pjesë e atyre që lëpijnë tepsia, të cilët për hir të së vërtetës erdhën në LSI në kohën që ishte në pushtet dhe ikën përsëri te pushteti, pra te pronari i tepsisë. Kështu që nuk kam asnjë fjalë rreth kësaj që mund të thotë Kryeministri, por mund të them këtë që është shumë e rëndësishme për hir të së vërtetës: Sot LSI-ja në numrat e saj qëndron shumë më lart se çdoherë tjetër. Jo vetëm LSI-ja, por edhe strukturat e saj. Ndërkohë nga ana tjetër kemi edhe një zgjerim apo hapje të LSI-së, kemi figura të reja që vijnë qoftë nga bota e biznesit, qoftë nga të rinjtë, që në fakt nuk na duken më risi, sepse ne LRI-në e kemi pasur shtyllën kryesore të partisë, por edhe nga të rinjtë që kanë mbaruar studimet jashtshtetit dhe janë kthyer në Shqipëri, të cilët e shikojnë si një mungesë shprese apo angazhimi. Por themi që gjejnë një lloj tërheqje drejt LSI-së në mënyrë të tillë që të ndryshojnë këtë realitet.

A janë shumë ata që kanë lëpirë tepsinë dhe kanë qëndruar te tepsia?

Janë drejtorët që ke pasur, me përjashtime të vogla. Kush nuk ka pranuar që të bëjë kompromis me Ramën, ose i kanë futur në burg, ose i kanë krijuar incidente nga më të ndryshmet, ose i kanë hequr familjarët nga puna, etj. Por unë i kam kuptuar nga ana tjetër ata anëtarë të LSI-së që kanë dashur të ruajnë vendin e tyre të punës dhe kjo nuk ka asnjë gjë të keqe, sepse është normale sot që ti heqësh tjetrit bukën e kalamajve, është shumë e vështirë për ta siguruar në këto kushte që është sot Shqipëria, ku faktikisht nga një vend që ne mendonim që do të kishte 300 mijë vende të reja pune, jo vetëm që nuk i ka 300 mijë vende pune, por përkundrazi i ka të mbyllura dhe mund të themi që edhe po i largon të rinjtë. Ndërsa nga ana tjetër mund të themi që ka njerëz që kanë ardhur në LSI si servila që i sorollateshin ministrave të partisë në atë kohë, dhe po ashtu siç erdhën ashtu edhe ikën. I servilosen dhe janë kthyer në shushunja të Kryeministrit të Rilindjes.

Publiku kurrë nuk e ka kuptuar plotësisht si ka funksionuar marrëveshja juaj qeverisëse me PS-në në kontekstin e punësimeve… Si ka funksionuar ajo?

Në fakt është shumë folur për këtë lloj marrëveshjeje le të themi, por më shumë është abuzuar. Po të shohësh sot se çfarë ka ndodhur me historinë e punësimeve? Është bërë një marrëveshje që në 100 mijë vende pune të administratës, 30 mijë do t’i merrte LSI-a dhe 70 mijë do t’i merrte Partia Socialiste. Por nuk është kështu. Sepse nuk mund të heqësh nga puna një mjek që ka 25 vjet apo 30 vjet që është mjek në spital dhe të vendosësh dikë që sapo ka dalë nga bangat e shkollës apo dikë tjetër që vjen nga një klinikë private, etj, etj. Apo të heqësh nga puna një mësues që ka mbi 20 vjet mësues në shkollat e Tiranës dhe në vend të tij të sjellësh dikë që vjen nga bangat e shkollës. Në fakt kjo nuk është e vërtetë, por investimi në të cilin u investua jashtëzakonisht shumë qoftë tek njerëzit, apo qoftë edhe për të krijuar një lloj konflikti midis bazës së Partisë Socialiste dhe LSI-së, ishte një strategji e mirëmenduar nga Rama dhe grupi i tij që të s’fokusonte vëmendjen ndaj gjërave të tjera më me rëndësi siç ishte kanabizimi, kapja e Policisë së Shtetit, fikja e radarëve të Ushtrisë  dhe krijimi i një strukture të fortë kriminale, e ndërkohë vëmendja e gjithë medieve dhe ndërkombëtarëve apo edhe e opinionit publik tek punësimet që bëheshin në administratën publike. Po të bëjmë një bilanc të gjërave, në fakt me përjashtim të drejtorive politike, të gjitha të tjerat kanë qenë të pamundura.  Dua të sqaroj diçka. Në momentin që LSI ka bërë marrëveshjen me PS-në besoj se shqiptarët e kanë harruar, para se Ilir Meta të firmoste marrëveshjen me Partinë Socialiste, kushti i vetëm që i ka vënë Edi Ramës ka qenë që duhet të vinte në parlament të votonte 3 ligjet që ishin për fillimin e procesit të hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe një nga këto ka qenë ligji i Administratës Publike. Dhe ky ligj në fakt kthente në administratë publike gati 80 për qind të administratës. Dhe duke e bërë këtë gjë, e kishte shumë të vështirë për të hequr dikë e për të vendosur dikë tjetër. Ministrisë që kishte LSI-a ishin Ministria e Transportit, e Mjedisit, e Integrimit, e Bujqësisë dhe e Drejtësisë. Në të pesta ministritë, mund të kishim ndonjë rast të veçantë përveç drejtorëve të përgjithshëm apo të politikave që nuk donin të bashkëpunonin me ministrat e ardhshëm apo Sekretarët e Përgjithshëm, pjesa më e madhe e tyre nuk kanë lëvizur nga puna. Ndërkohë, në 4 vitet që LSI ka drejtuar këto ministri, kanë qenë mbi 600 vende të administratës publike bosh për të cilën ministrat i kanë kërkuar Albanës, drejtoreshës së DAP-it, e cila ishte mike e ngushtë me Engjëll Agaçin që të hapte garën që njerëzit të konkurronin për të hyrë në punë. Kjo duhej sepse duhej fuqia punëtore për të kryer punën. Jo vetëm që nuk u hapën asnjëherë ato vende, por edhe sot e kësaj dite ata vazhdojnë e mashtrojnë duke thënë se do të hapim vende të reja pune, do të marrim studentë të ekselencës.

Perceptimi publik është krijuar i tillë. Kemi një administratë në përmasat anekdotike të paaftësisë së saj që vjen një parti e caktuar, heq ata që kanë qenë më parë, fut militantët e vet e kështu me radhë. Ndërkohë kemi dy administrata, një që paguhet sepse ka fituar gjyqet dhe një tjetër që është në punë e që i përket njërës apo tjetrës parti… Si zgjidhet kjo? Cila është zgjidhja që keni ju?

Shumë mirë që thotë nga studentët e ekselencës, mirë do ishte që studentët e ekselencës të merreshin në intershipe, në administratën publike, të cilët e kanë të pamundur për tu marrë, e dyta, pse duhet të bëjë diskriminim z. Rama, se merr student të ekselencës të vitit 2018-2019 dhe nuk merr student të ekselencës të 2015-2016, të 2017, përdorimi i përmendjes së emrit student ekselentë për mua përveçse vazhdon mashtron, abuzon në mënyrë të padenjë tituj e të tjerëve dhe vazhdon gënjen akoma më shumë me dëshpërimin  e njerëzve, sidomos studentët e ekselencës që janë njerëzit më të dëshpëruar sot në Shqipëri për shkak se, puna e tyre nuk vlerësohet. Pra si puna e asaj kur e kap gruan mat me dashnorin dhe i thotë më fal se po luaja doktorësh, nuk po bëja gjë, kjo është edhe historia e tij në të gjithë historinë e mashtrimeve që ndodh me qeverinë tonë, megjithatë unë nuk mendoj që nuk është vetëm problem i perceptimeve të punësimit sepse sot administrate publike për mua është kthyer në një sorrogato të një sistemi të degraduar. Çfarë dua të them me këtë? Dua të them që sot kemi një administratë publike që vlerësohet ndërmjet like-ve dhe share që merr drejtori i tyre, pra nëse ju jeni ministër i Arsimit dhe në facebook-un tënd keni 100 like dhe 100 share, ju konsideroheni ministër i mirë, nëse ju keni 10 like dhe asnjë share, ju konsideroheni ministër i dështuar, pra ju nuk konsideroheni për shkak të punës, të politikave apo të angazhimeve që bëni. Kjo nuk është legjendë urbane, kjo është e vërtetë, sot pot ë shikosh kemi një Kryeministër që rri gjithë kohës online në rrjete sociale edhe po ta hapni whatsapp-in do ta shikoni se është online, është duke komunikuar me të gjithë dhe është një njeri që fle vetëm 1 orë e 45 minuta në ditë, gjë që tregon që gjatë gjithë kohës ky njeri rri në rrjete sociale. Edhe 15 minuta më pak pot ë flejë, sipas një mikut tonë që na ka bërë shpjegimin, edhe 1 orë e 30 minua pot ë flejë ai nuk do të jetë i vullnetshëm në vendimmarrjet e tij. Është një personazh i cili e ka ndërtuar të gjithë karrierën e tij dhe jo vetëm karrierën e tij, tashmë ka future edhe institucionet e shtetit në bazë të propagandës.

Ju keni qenë 4 vjet në qeveri me të, keni pasur 5 ministra të qeverise Rama1, gjykoheshin nga numri i like-ve dhe share-ve?

Jo. Ministrat tanë nuk kanë patur një komunikim të tillë sepse e kishin të ndaluar për të komunikuar në këtë drejtim sepse komunikimin Rama e mbante me ish kryetarin në atë kohë. Di të them që zëvendësit nuk do të bën dot deklarata për mediat nëse nuk do të merrnin leje tek zyra e medias së kryeministrit, por në anë tjetër ne e kemi dubluar me anë të aktivitete partiake ku i kemi dhënë mundësinë ministrave tanë për tu shprehur në round table dhe me strukturat partiake sepse nuk i jepej koha televizive. Megjithatë ajo që më bën përshtypje dhe nuk është këtu problem, se çfarë mendojmë ne sot për administratën publike, problem është se sa është kjo administratë në funksion të qytetarëve dhe në funksion të njerëzve, unë mendoj që këtu duhet të ndalemi të gjithë, në fakt kur ne e shajmë njëri tjetrin ose kur prononcojmë diçka, njerëzit janë më të prirur për ta dëgjuar sepse është ideja e të marrit, edhe vetë subkoshienca e njeriut priret për të dëgjuar një lajm negative, sepse duke dëgjuar një lajm negative ai merr masa për tu mbrojtur, është në përpjesëtim të drejtë, sa më i keq lajmi, aq më shumë karakterizohesh ti për të për të mbrojtur të drejtën tënde. Kështu që ajo që mendoj unë është që ne duhet të mendojmë sesi të dalim nga ky kolaps që ne jemi futur, e cila çdo ditë e më shumë i merr frymën jo vetëm jetës  politike shqiptare, se jeta politike shqiptare tashmë me thënë të drejtën ka vetëm një rrugëdalje, por i ka marrë frymën edhe ekonomisë së vendit. I ka marrë frymën jetës shoqërore, i ka marrë frymën jetës sociale të shqiptarëve, gjë që e cila dashje pa dashje sot ne na duket si normale që drejtor mund të kthejë përgjigje mbas një muaji, mbas dy muajsh, mbas tre muajsh, mbas katër muajsh. Le të themi që kjo është normale se unë kam punë të tjera ku ndërkohë rri gjithë kohës në Facebook apo në Instagram apo nëpër rrjetet e tjera sociale, kështu që ajo që mendoj unë është që duhet gjetur një zgjidhje përsa i përket administratës publike, një administratë publike e tkurrur mund të themi, e tkurrur për shkak të vetë-angazhimit për të krijuar një liri e funksionimit të institucioneve po themi, të cilat prodhojnë politika ekonomike, prodhojnë ekonomi për vendin në mënyrë të tillë që sot, Shqipëria dhe çdo vend tjetër ka nevojë për një administratë, e cila nuk është peng e politikës, por ka nevojë për një administratë, e cila funksionon në bazë të sistemit sepse nëse ne nuk do të kemi një sistem, do ta kemi shumë të vështirë për ta menaxhuar. Sot je në pushtet dhe te duket vetja zot i vendit, por mbas disa ditësh nuk je askush dhe do të shohësh që ky sistem i kalbur që ti ke ngritur në funksion të njëshit, nuk do të shërbejë më ty, por do t’u shërbejë të tjerëve. Unë mendoj që përgjegjësia politike e secilit nga ne vjen në radhë të parë duke menduar si një njerëzor, pra jo duke menduar si një njeri i mbi pushtetshëm, duke menduar si një njeri që nesër do të jesh si të gjithë të tjerët dhe mendoj të ndërtojmë një sistem të tillë që të shërbejë ty.

Dy muajt e fundit zonja Kryemadhi janë karakterizuar nga një përballje e juaja me Kryeministrin. Sulme deri në fyerje, fyerje personale, përse?

Kë quani fyerje juve?

Doktoresha, çizmet, i droguari.

Vetëm unë nuk do ta merrja fjalën doktoreshë si fyerje. Doktoresha është nj titull shumë me vlerë për mua sepse doktorët janë ata që kujdesen për shëndetin e njerëzve dhe nuk ka absolutisht gjë të keqe, të gjithë në fund të ditës, duam apo s’duam sidomos kur të plakem të shkojmë në dorë të doktorit dhe do vdesim në dorë të doktorit, në mos do të ngelim vetëm në shtëpitë tona në mos do të na harrojnë dhe do të na gjejnë të vdekur pas ditëve të tëra, por në fund të fundit unë mendoj që titulli doktoreshë është shumë i mirë, ndërsa përsa i përket fjalës i droguar, unë nuk i kam thënë i droguar, unë i kam thënë mos pi mall bëj palestër sepse me problem që ke të frymëmarrjes përdorimi i drogave të forta nuk të bën mirë pavarësisht që për momentin të jep një iluminim të mendjes duke menduar që po zgjidh probleme e mëdha, por në të ardhmen ajo krijon probleme shumë të mëdha sepse nga ana kimike mund te flasim atë që është tani s’mund ta mohoj dot që kjo s’është e vërtetë, e vërtetë energjinë e një jave ta jep në një orë, por do të thotë që mbas një jave tjetër ti këtë energji që e ke konsumuar në një orë duhet ta zëvendësosh me diçka tjetër, gjë që ia merr ditëve të tjera që janë në vazhdim. Kështu pavarësisht se përdorimi i masave, përdorimi i drogave apo i lëndëve narkotike apo drogave të ndryshme mund të krijojë një element sigurie, një element force.

Ju duket normale kjo që po thoni sepse po akuzoni njeriun më të rëndësishëm të vendit, Kryeministrin e Republikës që është përdorues lëndësh narkotike.

Unë jam e gatshme që të pres që zoti Kryeministër ka barrën e provës dhe ta vërtetojë që ai nuk merr lëndë narkotike dhe këtë mund ta bëjë çdo njeri.