10 shtete të BE-së fusin në karantinë qeverinë e Tiranës

277
Sigal

Kancelarja Merkel dhe 10 vendet kryesore të BE-së deklaruan se Qeveria Rama po mban peng shqiptarët drejt rrugës europiane. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese, Reforma e njëanshme Zgjedhore dhe dënimi për vjedhësit e votave, janë kushte të panegociueshme për Integrimin. Vendimi i djeshëm i liderëve europianë është një shuplakë edhe për hipokritin e zyrës së BE-së në Tiranë, Luigi Soreca

 Holanda dhe Franca kërkuan dje në takimin e ambasadorëve të BE-së, ndarjen Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut. Ndërsa Bullgaria ka bllokuar Maqedoninë e Veriut për shkak të përplasjeve për gjuhën dhe historinë. Ndryshe nga të gjitha pritshmëritë e qeverive në dy vende, Konferenca e Parë Ndërqeveritare nuk do të zhvillohet brenda muajit dhjetor, por në mars. Në dokument thuhet se ajo do të mbahet, sapo të jetë miratuar kuadri negociues dhe për Shqipërinë, pra pasi i të jenë plotësuar dy kushtet e mbetura, plotësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe miratimi i Ligjit Anti-shpifje. Burime diplomatike të BE-së konfirmojë se ambasadorët e BE-së nuk kanë arritur dakordësi për draft-konkluzionet për zgjerimin. Ata duhet të mblidhen sërish për të riformuluar draftin për Maqedoninë e Veriut, duke qenë se nuk figuron më mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare me vendin, në dhjetor dhe gjithashtu, të shohin nëse do të përfshijnë Turqinë në draft-konkluzione ose jo. Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Europian i përkushtuan kohën më të madhe të diskutimeve të tyre gjatë këtyre gjashtë muajve metodologjisë së re të zgjerimit. Lidhur me Shqipërinë, shtetet anëtare nuk kanë rezerva për aprovimin e kuadrit negociues me vendin. Kushtëzimi i shteteve anëtare nuk lidhet me kuadrin negociues, por me fillimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, që realizohet përmes mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në. Së paku, pesë shtete anëtare konsiderojnë, se Shqipëria nuk ka përmbushur ende dy parakushtet kyçe ndër gjashtë parakushtet që kërkohen për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Këto dy parakushte kyçe kanë të bëjnë me funksionimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si dhe me aprovimin e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR, zbatimit të saj e transparencën e financimit të partive politike. Për Komisionin Europian ky parakusht i dytë për reformën zgjedhore është i plotësuar dhe mbetet për t’u plotësuar ligji për mediat online. Ndasitë midis Komisionit Europian dhe disa shteteve anëtare për vlerësimin e përmbushjes së kushtëzimit të vendosur për Shqipërinë vazhdojnë. Mbetet për t’u parë si versioni përfundimtar i draft-konkluzioneve të shteteve anëtare. Gjithsesi, ajo që i bashkon të gjitha institucionet europiane, është se Shqipëria nuk ka përmbushur ende parakushtet për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit.

DW/ Merkel: Jo  negociata  me  Shqipërinë

Kancelarja gjermane Angela Merkel, në një takim virtual me parlamentarët e vendeve anëtare dhe kandidate të BE-së, është shprehur skeptike për çeljen e negociatave me Shqipërinë qysh këtë vit. Kancelarja gjermane Angela Merkel shpreson që të hapë konferencën ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut qysh këtë vit. Ajo tha se shpreson që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do ta mënjanojnë grindjen e tyre. “Në rastin e Shqipërisë çështja është pak më ndryshe. Me gjithë përparimet, nuk mund të premtoj se do të ndodhë që këtë vit, por shumë shpejt”, tha kancelarja në një takim virtual me komisionet e parlamenteve të vendeve anëtarë të BE-së.

Më 7 dhjetor ministrat e Jashtëm dhe të Europës së BE-së do të vendosin për çeljen zyrtare të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Vendimi përkatës është marrë në mars të këtij viti. Për shkak të grindjes mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për përkatësinë historike të maqedonasve, Bullgaria ka paralajmëruar se do të verë veton për hapjen e conferences  së parë ndërqeveritare. Ajo që shpresohet për momentin është, sipas vëzhguesve, që së paku Bullgaria të mos pengojë miratimin e kornizës negociuese. Në rastin e Shqipërisë nuk pritet as miratimi i kornizës negociuese, pasi vendi nuk i ka plotësuar parakushtet e vëna nga BE-ja dhe Bundestagu Gjerman.

 

Ministri i Jashtëm i Holandës: Nuk shohim asnjë progres në Shqipëri

Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok, deklaron se Shqipëria nuk ka bërë asnjë progres për të merituar hapjen e negociatave. Deklarata e kreut të diplomacisë holandeze është bërë gjatë një takimi online për zbatimin e ligjit në vendet e Ballkanit. “Holanda ka qenë e qartë, ne duam të shohim progres në çështje e zbatimit të ligjit nga vendet kandidate. Ne jemi të lumtur që shohim progres në këtë fushë në Maqedoninë e Veriut, por fatkeqësisht nuk e shohim këtë gjë në Shqipëri”, ka deklaruar ministri Blok i pyetur nga ‘Exi.al’. Qeveria e Holandës dhe parlamenti i këtij vendi kanë kundërshtuar disa muaj më parë çeljen zyrtare të negociatave me Shqipërinë dhe mbajtjen e konferencës parë ndërqeveritare mes Tiranës dhe Brukselit. Çështja e mungesës së gjykatave kryesore në vend, reforma zgjedhore e njëanshme dhe ligji i mediave kanë qenë tre prej kundërshtive kryesore të Holandës.

 

Tani janë 10 vende kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë

Gazetarja Erisa Zykaj, nga Brukseli, mbrëmë bëri me dije se “Tashmë,  nuk janë 5 vende kundër nisjes së negociatave me Shqipërinë, por janë dhjetë vende. Me draft-konkluzionet e ambasadorëve, kemi parë një dominim të vendeve që janë kundër hapjes së negociatave më Shqipërinë. Bëhet fjalë për pesë nga gjashtë kushte. Dje është provuar se ky grupim nuk është vetëm pesë vende, por janë më shumë. Por kemi një grupim prej rreth 10 vendesh, të cilit i është referuar presidenti francez, Emmanuel Macron. Këto shtete janë të forta në qëndrimet e tyre, dominojnë dhe në draft ku janë përfshirë të gjitha parakushtet që ato mendojnë se nuk janë plotësuar nga Shqipëria”.