Berisha: 2.7 milionë shuplaka kundër Ramës

514
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar dje me anë të një postimi në faqen e tij në “Facebook” në lidhje me zgjedhjet e 25 qershorit, ku PS-ja rezultoi fituese, duke marrë e vetme mbi 70 mandate. Berisha thotë se, Rama është në qeveri si kryeministri më pak i votuar, madje sipas tij, 4 në 5 shqiptarë kanë votuar kundër tij ose kanë bojkotuar zgjedhjet. Më tej, ish-kryeministri Berisha shprehet se Rama, duke përdorur mendësinë e tij prej komunisti, që votën e quan plumb për armikun, thotë se kjo qeveri është qeveria e 2.7 milionë shuplakave.

“Në demokraci vota është votë, ajo shpreh pëlqimin ose mospëlqimin për një kandidat apo forcë politike të dhënë. Kurse në diktaturë vota konsiderohej plumb për armikun”, shkruan Berisha. Sipas tij, Edvin Kristaq Rama, në vitin 2013, në vazhdim të mendësisë së etërve të tij për votën, shpalli botërisht votën pro tij, si shuplakë për kundërshtarin. “Kështu që sot, duke marrë hua shprehjen e tij, mund t’i themi se, je qeveria e mbi 2.7 milionë shuplakave, sepse për këtë mazhorancë të pakicës së pakicës, votuan kundër ose bojkotuan me zemërim procesin e votimit 2.7 milionë votues apo 4 në çdo 5 votues shqiptarë. Zemërimi i tyre e pret së shpejti!”, shprehet Berisha.

Kryeministri Rama e përdori shpeshherë gjatë mandatit të tij të parë togfjalëshin “1 milion shuplaka”, ku i referohej votave që koalicioni PS-LSI kishte marrë në zgjedhjet parlamentare të qershori 2013. 
Sigal