Zgjedhjet e 25 Prillit 2021/ KQZ-ja: Ja si do bëhet shpërndarja e 140 mandateve të deputetëve, sipas qarqeve. Qarqet që humbasin!

2060
Sigal

 

Dje Komisioni Rregullator, shqyrtoi projektvendimin “Për ngritjen e Zonave të Administrimit Zgjedhor, për zgjedhjet për Kuvendin, të datës 25 Prill 2021”. Komisioni Rregullator në unanimitet miratoi ngritjen e 92 (nëntëdhjetë e dy) Zonave të Administrimit Zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 prill 2021. Numërtimi i ZAZ do të bëhet me anë të një numri dy shifror duke filluar me 01, duke siguruar përputhshmëri të numërtimit unik kombëtar të zonave të qendrave të votimit me numërtimin e ZAZ-ve, ku ZAZ-ja nr. 01 duhet të përmbajë zonat me numërtim fillestar të qendrave të votimit, e në vijim. Për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 prill 2021, 50 bashki që kanë më pak se 80 mijë shtetas me të drejtë vote, përbëhen nga një (1) ZAZ, ndërsa 11 bashki që kanë më shumë se 80 mijës shtetas me të drejtë vote, përbëhen nga më shumë se një (1) ZAZ.

 Shpërndarja e mandateve sipas qarqeve

 Bazuar në nenin 75 të Kodit Zgjedhor dhe të dhënave të dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, është llogaritur numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore si më poshtë: Numri total i shtetasve 4544977 (katër milion e pesëqind e dyzet e katër mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e shtatë) është pjesëtuar me numrin 140 (njëqind e dyzet) të mandateve të Kuvendit, ku është përcaktuar numri 32464 (tridhjetë e dy mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e katër) si numri mesatar i shtetasve që i takojnë çdo mandati [numri real i dalë nga pjesëtimi është 32464,12 (tridhjet e dy mijë e e katërqind e gjashtëdhjetë e katër pikë dymbëdhjet)]. Numri i shtetasve për çdo zonë zgjedhore është pjesëtuar me numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati 32464 (tridhjetë e dy mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e katër) shtetas, dhe çdo zone zgjedhore i është caktuar një numër mandatesh, i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga ky pjesëtim.  Pas këtij veprimi mbetën pa u shpërndarë edhe 7 mandate për të plotësuar numrin 140. Në bazë të nenit 75, pika 5, të Kodit Zgjedhor, këto mandate u janë shpërndarë zonave zgjedhore (qarqeve) që kanë mbetjen më të madhe pas presjes dhjetore, të numrit të përftuar nga pjesëtimi i mësipërm. Veprimet e kryera janë të pasqyruara në tabelën e mëposhtme:

Ja mandatet sipas qarqeve

Qarku Berat             7 mandate

Qarku Dibër             5 mandate

Qarku Durrës          14 mandate

Qarku Elbasan        14 mandate

Qarku Fier               16 mandate

Qarku Gjirokastër    4 mandate

Qarku Korçë            11 mandate

Qarku Kukës             3 mandate

Qarku Lezhë              7 mandate

Qarku Shkodër        11 mandate

Qarku Tiranë           36 mandate

Qarku Vlorë             12 mandate

 

Lëvizja e popullsisë, Dibra dhe Gjirokastra humbasin nga një deputet

 

Dibra dhe Gjirokastra janë dy qarqet e vetme ku do të ketë ndryshime në numrin e deputetëve që do të zgjidhen në 25 prill. Tashmë është zyrtare. Parashikimet e partive zyrtarizohen nga Drejtoria e Gjendjes Civile, e cila ka informuar zyrtarisht KQZ-në për shtetasit me të drejtë vote. Sipas kësaj shkrese të siguruar nga ‘ABC’, nga formula e përllogaritur nga KQZ, si në Dibër, ashtu edhe në Gjirokastër, do të humbet një mandat. Pra, dibranët do të zgjedhin 5 dhe jo më 6 deputetë, ndërsa gjirokastritët, do të votojnë për 4, e jo më për 5 deputetë. Në këtë projektvendim të KQZ-së, të dy këto mandate që bien për shkak të lëvizjes së popullsisë, i shtohen qarkut Tiranë. Banorët këtu do të zgjedhin tashmë 36 ligjvënës. Por lëvizjet e popullsisë dhe ndryshimet në gjendjen civile janë parë me dyshim në Komisionin Rregullator. Muharrem Çakaj kërkon llogaridhënie nga Ministria e Brendshme. “A impakton kjo në ditën e votimit një zgjedhës që figuron i regjistruar në Tiranë, por nuk shkon dot në qendër votimi, pasi i duhet të marrë letër njoftimin në Tropojë, Lushnje apo ku e ka. Në një mbledhje sa më të afërt të kishim present një person atij nivelit drejtues të gjendjes civile që të na orienton drejt një fakti të tillë,” është shprehur ai. Regjistri përfundimtar i zgjedhësve pritet të botohet në mes të muajit mars.