Prof. Dr. Qemal Lame: Shqiptarët pa kufij dhe dogana midis tyre

1171
Sigal

Nga Prof. Dr. Qemal Lame

Në këtë dhjetëvjeçar të ri të tridhjetë, kërkohet të ecim më përpara edhe në programin paqësor të bashkimit kombëtar në bazë të integrimit euroatlantik. Për këtë qëllim,  është koha që të dëshmohet përgjegjësia kombëtare për të hequr me guxim e përgjegjësi ndarjet kufitare me tela me gjemba të kufirit dhe doganën midis dy shteteve tona sovrane; Shqipërisë e Kosovës.

Heqja e kufirit midis shqiptarëve nuk është thjesht një e drejtë natyrale, por në radhë të parë vullneti i shprehur vazhdimisht dhe me gjithë forcën e mundshme nga shqiptarët në të dy anët e kufirit. Edhe në ligjin themeltar, në Kushtetutë, është sanksionuar qartësisht e drejta e kujdesit dhe mbrojtjes se interesave kombëtare kudo ku janë shqiptarët në trojet e tyre etnike dhe në emigracion në diasporë. Janë të gjitha mundësitë ligjore dhe kushtet politike që në zbatim të detyrimeve kushtetuese,  Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës të vendosin heqjen e kufirit dhe doganës dhe të përkushtohen në realizimin e 30 marrëveshjeve ndërshtetërore.

Kjo detyrë e domosdoshme na vjen edhe një herë në vëmendje, për arsye se kërkohet të behet realitet. Në ndihmë të saj shprehet edhe Presidenti Hashim Thaçi, i cili më 31 dhjetor 2019, i ka bërë thirrje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që qysh sot të nënshkruajë një marrëveshje ndërshtetërore për heqjen e kufirit dhe doganave Kosovë – Shqipëri. “Konfirmoj në emër të institucioneve të Kosovës, Kosova qysh sot jo nesër, qysh sot është e gatshme të marrë vendim për heqjen e kufirit dhe doganës dhe çdo barriere tjetër me Shqipërinë, qysh sot, çdo barrierë që kemi mes shteteve të Kosovës hiç nuk ka nevojë me u shty për nesër, do të ishte mrekulli sikur viti 2020 të fillojë me vendimin për heqjen e kufirit dhe doganës mes shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, për çka e ftoj mikun tim, kryeministrin Edi Rama të marrë këtë vendim, unë jam gati”, thotë ai, raporton KTV.

Realizimi i heqjes së pengesave që ndajnë kombin është detyrë dhe përgjegjësi e institucioneve më të larta shtetërore me të drejtën e përfaqësimit të vullnetit të popullit. Presidenti i Kosovës dhe Kryeministri i Shqipërisë kanë të drejta e përgjegjësi të njohura ligjore, por nuk mund të jenë vendimtare, nuk kanë të drejtë të vendosin dhe të marrin funksionet që nuk iu takojnë me gjithë dëshirën e mirë të arritjes së një kërkese të ligjshme, e cila kërkohet të finalizohet në bazë të parimeve kushtetuese.

Dy herë shqiptarët, më 1945, pas çlirimit të Shqipërisë dhe të Kosovës nga pushtuesit nazifashistë, si dhe më 1990, pas çlirimit të Kosovës nga pushtuesit serbë, hoqën kufirin e padrejtë të imponuar nga gjeopolitike duke i ndante pa dëshirën e tyre dhe kërkuan të bashkohen si gjithë popujt e tjerë. Në rastin e parë, Jugosllavia e Titos ndryshoi qëndrimin dhe u tërhoq nga premtimi me qëllim që të realizonte qëllimet neokolonialiste te Serbisë së Madhe për të aneksuar edhe Shqipërinë si Republikë e Shtatë e Federatës së Jugosllavisë. Ne rastin e dytë, partnerët tanë ndërkombëtarë nuk përkrahen heqjen e kufirit për shkak të kushteve politike dhe statusit të administrimit ndërkombëtar të Kosovës.

Këtë vendim të drejtë, ta mirëdiskutojmë me përgjegjësi ndërshtetërore dhe me mirëkuptim e mbështetje ndërkombëtare. Mendoj, se kjo do të arrihet të vlerësohet edhe nga partnerët tanë strategjike, Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Bashkimi Evropian. I kuptojmë edhe problemet që shkaktohen për gjeopolitikën. Megjithatë, ka vend të theksojmë se në kushtet e politikave të integrimeve euroatlantike, janë krijuar mundësitë për një gjykim me vizion më të gjerë të të drejtave të shqiptarëve dhe respektimit të detyrimeve për paqen e stabilitetin politik në rajonin tonë e më gjerë në Evropën e Bashkuar.

Së pari, Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete sovrane që kanë të drejtën shtetërore kushtetuese të bazuar edhe në marrëveshjet ndërkombëtare, për të vendosur me vullnetin e tyre të lirë për çështje me interes të përbashkët.

Së dyti, të dy shtetet tona kanë strategjinë e përbashkët të integrimeve euroatlantike, janë të përkushtuara dhe reformohen vazhdimisht për të dëshmuar arritjet në shtetin e së drejtës dhe parimet e demokracisë, si dhe kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit e paqes në Rajon.

Së treti, bashkimi i shqiptarëve në organizmat euroatlantike, në Bashkimin Evropian dhe në NATO, është politikë e besueshme dhe në respektim në parimeve të mosndryshimit të kufijve dhe të raporteve midis shteteve fqinje. Me këtë politikë kemi të përbashkët me Serbinë integrimin evropian. Ka ndryshime në orientimin ushtarak të dy shteteve tona. Megjithëse pretendohet për një qëndrimin neutral ushtarak, Serbia nuk ka orientim strategjik me NATO-n, ndërsa ka strategji të konsoliduar me partneritetin dhe marrëdhënie të ngushta me Rusinë, ka lejuar baza ushtarake ne territorin e saj dhe vazhdon me intensitet të lartë armatimin e ushtrisë me armët më moderne ruse. Më qartë, politika serbe kërcënon e rrezikon Kosovën e Shqipërinë dhe ka krijuar mundësitë për depërtimin më të gjerë të Rusisë në rajon për t’u bërë përsëri faktor parësor dhe rikthyer sundimin sipas pushtetit të dështuar të ish-Bashkimit Sovjetik e te Traktatit të Varshavës.

Kushtet politike për një hap pozitiv në mënjanimin e ndarjeve të padrejta midis shqiptarëve, kërkohet të analizohen edhe me interesat gjeopolitike të bashkëpunimit rajonal ekonomik të Mini – Shengenit. Kjo marrëveshje vlerësohet e dështuar. Ajo nuk u pranua nga opinioni publik mbarëshqiptar. Kosova u distancua pikërisht për faktin se vazhdon të mos njihet pavarësia e saj nga Serbia. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian vunë në dukje se iniciativat rajonale janë të dobishme kur përfshihen të gjitha shtetet. Në kushtet kur Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut arritën në Tiranë marrëveshjen e parakohshme për marrëveshjen rajonale, del parësor detyrimi për heqjen e ndarjeve, në radhë të parë, midis shqiptarëve dhe, pastaj, midis shqiptarëve e serbëve dhe maqedonasve. Marrëveshjet nuk duhet të imponohen, siç ndodhi me projektin e demaskuar të ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve me ndërmjetësimin direkt të Fondacionit të Soros.

Edhe një herë theksojmë me forcë, se kushtet historike dhe marrëdhëniet ndërshtetërore problematike në rajonin tonë kanë në përmbajtje ndasitë nga politikat shoviniste të vjetra dhe në vazhdimësi, me veprimtari zyrtare të hapura e të fshehta, të copëtimit e aneksimit të territoreve shqiptare. Shqiptarët vlerësojnë bashkëpunimin dhe miqësinë me serbët, maqedonasit, malazezët, grekët etj. Megjithatë, pengesat janë pikërisht tek shtetet e tjera, sidomos tek Serbia që propagandon për një politikë të re, por nuk reflekton akoma në të kaluarën, gjenocidin dhe realitetin politik të shtetit sovran të Kosovës. Greqia nuk njeh realitetin shqiptar në politikën e brendshme, kërkon të marrë hapësirë në det e mbështet jo zyrtarisht Vorio Epirin, megjithëse gjithë Epiri është shqiptar. Për këto arsye, për shqiptarët mbetet në plan të parë vlerësimi i integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Orientimi i përbashkët euroatlantik, ka krijuar mundësitë që të studiohet e vendoset me përgjegjësi në të mirën e përbashkët dhe heqja graduale e kufijve dhe doganave edhe me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Greqinë.

Bashkimi i shqiptarëve dhe heqja e ndarjeve edhe me shtetet fqinje është një politike e drejtë që kërkon vlerësim për të mirën e të ardhmes së përbashkët rajonale ballkanike dhe kontinentale evropiane. Realisht, ajo do të ndikojë në rritjen e miqësisë e bashkëpunimit, mënjanojë kundërshtimet dhe barrierat e padrejta midis shteteve të rajonit.

Me këtë diapazon të këndvështrimit në të mirën e të gjithë shteteve, vlerësimi i të drejtave të shqiptarëve për të ardhmen e tyre,  përputhet edhe me interesat e gjeopolitikës dhe programin e Bashkimin Evropian për zhvillimin, integrimin, si dhe përmbushjen e kritereve për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në bashkësi. Shpresojmë që Franca të mos bëhet pengesë, si dhe të zgjidhen në kohë problemet themelore të zhvillimit e të forcimit të bashkësisë, nacionalizmit frenues, pretendimet për rolin drejtues, thellimin e reformimit etj.

Zgjerimi në kohë dhe anëtarësimi i shteteve të rajonit tonë, do ta bëjë në realitet më të kompletuar bashkësinë, do të japë forcë efektive politikës evropiane për të përballuar sfidat e kohës dhe ecur më me sukses në reformimin drejt shtetit të përbashkët të popujve evropianë.