Dr. Vili Minarolli: “Është gjithnjë koha e duhur për të bërë gjënë e duhur” Martin Luter King Jr

763
Sigal

Nga Dr. Vili Minarolli

Diktaturat janë sundim politik vetjak, i pamoralshëm, i papërgjegjshëm dhe antikushtetues i një njeriu të vetëm. E tillë ishte dhe diktatura e E. H. tek ne. Si të gjitha diktaturat, ashtu dhe kjo jona prodhoi fajtorë dhe viktima, por asnjëherë nuk e identifikoi shoqërinë në bashkëfajtorë dhe bashkëviktima. Kush ishte bashkëfajtor në krimet e diktaturës që të dënonte pa gjyq për shkak të mendimeve të ndryshme, kush ishte bashkëfajtor me hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit që të torturonin deri në frymën e fundit dhe të dënonin me vendimet e ardhura nga zyrat e partisë apo të Sigurimit? Kush ishte bashkëfajtor me ata që rrëmbyen pronën private dhe çdo të drejtë e liri të njeriut? Po bashkëviktima me ata që u vranë, që u burgosën apo u internuan?

Çërçilli ka thënë se “Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveçse gjithë të tjerave që janë provuar.” Kjo për arsye se sistemi në shoqëritë demokratike funksionon mbi bazën e disa parimeve dhe rregullave në themel të cilave janë mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe funksionimi i shtetit ligjor. Edhe kjo shoqëri nuk është e imunizuar nga prodhimi i fajtorëve dhe viktimave, por ky sistem nuk krijon një shoqëri të “bashkëfajtorëve dhe bashkëviktimave”. Ka edhe një sistem të tretë shoqëror, si ai që është krijuar tek ne këto tridhjetë vitet e fundit, një shoqëri kuazi demokratike ose një shoqëri e deformuar demokratike, me rregulla dhe parime të një shoqërie demokratike, por të pa zbatuara ose të shkelura. Dhe për ta fshehur këtë mënyrë të funksionimit të një shoqërie të tillë është gjetur një emër si për të mos e lënë pa gjë, duke e quajtur shoqëri në tranzicion Modeli është shoqëria ku bëjmë pjesë ne. Ka tridhjetë vjet që thuhet se jemi në tranzicion, pa pasur një afat se sa zgjat kjo periudhë dhe pa ditur se ku do të shkojmë, në diktaturë apo në demokraci reale. Dhe në kujtesën e secilit prej nesh që i kemi përjetuar këto vite, ka patur përpjekje për të kaluar në njërën apo tjetrën anë. Kjo shoqëri dhe ky shtet të sjell në mendje atë kohë kur na thoshin se Diktatura e Proletariatit është faza tranzitore e kalimit nga kapitalizmi në socializmi. Edhe atë kohë asnjë nuk e dinte se kur do të mbaronte kjo fazë tranzitore.

Por edhe kjo shoqëri e tranzicionit nuk ka prodhuar bashkëfajtorë dhe bashkëviktima. Shoqëria shqiptare në përgjithësi bën fajtor për gjendjen e krijuar në këto tridhjetë vjet klasën politike që ka drejtuar vendin. Por George Orwelli nuk e pranon këtë logjikë kur thotë: “Populli që zgjedh politikanë të korruptuar nuk është viktimë…por bashkëfajtor.”

Pra edhe në shoqërinë tonë të tranzicionit, pra as demokraci as diktaturë ka bashkëfajtorë që është e gjithë shoqëria dhe jo bashkëviktima.

Montesquieu thotë: “Liria është e drejta për të bërë atë që lejon ligji.” Në shoqëritë diktatoriale ligjet dhe kushtetuta bëhen që të kufizohet liria, në shërbim të përjetësimit të pushtetit të diktatorit. Njerëzve nuk u jepen mundësi zgjedhje, por një zgjedhje e vetme dhe e detyruar. Dhe viktimat kanë të drejtë në justifikimin e tyre kur thonë: “Isha i tillë se kështu ishin rrethanat.” Në shoqëritë demokratike apo edhe në këtë lloj shoqërie tonën , siç thotë edhe Stephan Covey: “Unë nuk jam produkt i rrethanave të mia, por i zgjedhjeve të mia.”, në një farë mënyre të gjithë bëhen bashkëfajtorë.

Platoni thotë:” Ky qytet është i tillë sepse edhe qytetarët e tij janë të tillë.”

Sot me këtë shoqërinë tonë në tranzicion të pakufizuar në kohë, kur kthejmë kokën pas mendojmë se jemi atje ku e nisëm tridhjetë vjet më parë. Jemi një republikë parlamentare me një parlament monist, që të kujton atë të shtetit komunist Polak të Gomulkës, me të ashtuquajturën parti fshatare si opozitë të emëruar, model siç donte ta bënte Presidenti i fundit komunist tek ne , me subjektet politike nga ato që quheshin leva të partisë. Ky legjislativ miraton ligje në shërbim të interesave të oligarkisë financiare, por pse jo edhe të krimit të organizuar dhe së bashku me pushtetin politik, që mbahet në këmbë nga dy të parat, përbëjnë një treshe të pandarë. Ekonomisti dhe sociologu francez, Frederik Bastiat ka thënë: “Nuk mund të ketë dëm më të madh ndaj një shoqërie se sa të përdoret ligji si mjet grabitje.” Ky parlament miratoi ligj të veçantë për prishjen e Teatrit Kombëtar në favor të oligarkut të pushtetit apo ligjin për grabitjen nga shteti të pronave publike në bregdet, përsëri në favor të dy të parave… Dhe gjithçka tjetër të bërë realitet të asaj, që kur u tha për herë të parë: “S’keni parë gjë akoma!” e morëm si batutë të zakonshme të një njeriu që vetëm të tilla mund të prodhonte mendja e tij. Por ishim gabuar të gjithë.

Edhe sot kemi Kushtetutë, por sot kjo i ngjan një dyqani pa derë dhe pa roje që çdo hajdut mund të marrë ç’të dojë, pa e ndaluar kush. Ka vite që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese si garant i respektimit të Kushtetutës dhe suprimimi i menjëhershëm i saj, të lë të kuptosh se jemi në shtetin e një personi, që përdor parlamentin e tij për të miratuar ligje në interes të një grupi oligarkësh që e mbajnë në pushtet dhe në shkelje flagrante të saj. Kemi godina gjykate por nuk kemi drejtësi dhe ajo që është quajtur ‘reforma në drejtësi” ka bërë seleksionimin e gjykatësve dhe prokurorëve duke emëruar në krye të saj ish hetuesit e diktaturës komuniste.

Ata që e kanë jetuar kohën e diktaturës e gjejnë ngjashmërinë me kohën e sotme. Bertrand de Jouvenel ka thënë: ”Një shoqëri delesh me kohë lind një qeveri ujqërish.”

A jemi kthyer në një shoqëri të tillë?

Atëherë kishim një ëndërr që e shprehnim me zë të lartë: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” Sot po kërkojmë të gjejmë drejtime të tjera nga ajo anë që shkuam pas ’44-s e deri në ’90. E ndërsa shteti i organizuar po drejtohet nga lindja, njerëzit individualisht po braktisin vendin , për ëndrrën e tyre të pa realizuar.

Janë aktuale fjalët monument të Martin Luter Kingut: “Është gjithnjë koha e duhur për të bërë gjënë e duhur… Në fund ne do të kujtojmë jo fjalët e armikut tonë por heshtjen e miqve tanë.”