Prof.Dr.Sherif Lushaj/ Alternativat e zhvillimit të qëndrueshëm rural

667
Sigal

Pas vitit 1990, sektori i bujqësisë kaloi përmes orientimeve të gabuara që kanë lënë gjurmë. Nisi me shkatërrimin e  infrastrukturës mbështetëse të bujqësisë, vazhdoi me shitjen e aseteve të fermave për “firmat piramidale financiare”, nisma “Shqipëria një euro” plotësoi disa kërkesa korruptive, nismat e mbjelljes se 20 milion ullinj dhe të tjera për shegë e lajthi, pa u bazuar në studime shkatërruan tokën dhe natyrën. Edhe pse bujqësia vazhdon të mbetet nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë kombëtare që siguron rreth 20 % të produktit të brendshëm bruto në ekonominë e vendit, ajo vazhdon të mbetet një sektor i prapambetur dhe i pa mbështetur. Në pesë vitet e fundit u thellua më tej rënia ekonomike dhe sigurimi i produkteve ushqimore u orientua drejt importit. Prodhimi bujqësor sot është larg prodhimit të vitit 1990. Prodhimi i grurit është 2 herë më i ulët dhe prodhimi i bimëve industriale 20 herë më i ulët. Kapaciteti prodhues i tokës bujqësore  shfrytëzohet deri në  50 – 60 %, aftësia ujitëse e tokave bujqësore është vetëm në 30 % të sipërfaqes nga 64 % deri në vitin 1990. Nuk ka as politika dhe as projekte të  qarta për zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Bujqësia vazhdon të jetë një sektor i pa mbështetur financiarisht. Në vitin 2012 shpenzimet për bujqësinë zinin vetëm 3 % të buxhetit të shtetit ose 0.5% të  produktit të brendshëm bruto. Në 27 vendet anëtare të BE-së, ku në zonat rurale jeton 56 % e popullsisë në 91 % të territorit, zhvillimi rural është një fushë politike e rëndësishme dhe një prioritet që është përqendruar në konkurrueshmërinë e sektorit bujqësor, mbrojtja e burimeve tokësore, përmirësimi i cilësisë së jetës dhe nxitja e diversifikimit të ekonomisë rurale. Në një kohë kur aspirojmë për anëtarësimin në BE të ardhurat për frymë të popullsisë në vendin tonë  janë 4-6 herë më të ulëta në krahasim me vendet e BE-së. Po cila është situata, problemet kryesore dhe  pengesat ne sektorin e bujqësisë? A janë kapacitetet institucionale të afta dhe të përgjegjshme? A ka zgjidhje dhe nga të fillojë puna?

Situata e rëndë dhe problemet  e zhvillimit të bujqësisë, kërkojnë një analizë të hollësishme në çdo qelizë Institucionale dhe në çdo komunë. Bujqësia, vazhdon te mos jete konkurruese në tregjet ndërkombëtare. Importi i produkteve është 7-8 herë më i lartë se sa produktet qe eksportohen. Çdo shqiptar konsumon mesatarisht ushqime importi me vlerë 200 Euro në vit dhe siguron nga eksporti i produkteve vendase mesatarisht vetëm 28 Euro/person. Importohen gati 350 mijë ton/vit drithëra dhe miell, sasi të konsiderueshme fruta, perime, patate e oriz, qumësht e mish, që marrin 70 % të shpenzimeve të importit. Importohen shumë produkte, të cilat mund të prodhohen lehtësisht në vend. A është normale p.sh. që në një vend që ecim mbi ujë, importi i ujit mineral është gati 20 herë me i lartë se sa eksporti i të njëjtit produkt dhe importi i ujit me sheqer 90 herë më i lartë ? Absolutisht jo. Dhe një shqyrtim i hollësishëm mund të reduktojë ose të përjashtojë nga importi një sërë produktesh si qumështi, mishi, vaj ullirit, pije, perime, fruta,uji etj. Kushtet e vendit tone me politika te qarta mbështetëse, mundësojnë një barazim të vlerës të eksportit me importin brenda pak viteve. Në këtë drejtim, do të ndihmonte ngritja në nivel kombëtar e një strukture koordinuese të eksportit të produkteve dhe kryerja e një studimi në nivel kombëtar dhe rajonal mbi mundësitë e eksportit.

Aktualisht kemi të bëjmë me një bujqësi primitive, jo thjeshtë në kuptimin e shkalles se mekanizimit  (edhe pse kjo mbetet një arsye), por për shkak të mungesës të politikave të zhvillimit, të cilat u zëvendësuan me politikat dhe nismat e ditës për interesa të ngushta dhe korruptive, për shkak të një prapambetje konceptuale të sistemeve bujqësore të prodhimit, marketingut, infrastrukturës mbështetëse, mungesës të standardeve` të zhvillimit dhe mungesës të prioriteteve, Institucione anemike dhe programe e strategji formale. Kështu, strategjia e zhvillimit të bujqësisë për periudhën 2007-2013, që është dokumenti baze i zhvillimit te sektorit ka dështuar ne shumë drejtime, bujqësia u përkeqësuan më tej, kontributi në ekonominë kombëtare pësoi ulje, resurset pësuan dëmtimin më të rëndë. Politikat e qeverisjes qendrore nuk përputhen me realitetin ne nivel lokal dhe rajonal. Me mijëra ha pyje të prerë dhe të djegur, toka më të mira bujqësore u mbuluan nga betoni  ne 70 mijë ha, Institucionet përgjegjëse qëndrojnë sy mbyllur para shpërdorimit dhe kënetëzimit të tokës që rritet përditë, sistemi i farërave është in-efiçent, institucionet shkencore u shkatërruan në themel, qendrat e transferimit të teknologjive bujqësore qe u krijuan veprojnë njësoj si drejtoritë rajonale të bujqësisë, ekspertët e aftë u trajtuan nga shteti si gjëja më pa vlerë. Pse dështoi strategjia për bujqësinë?  Ajo mbeti në letër sepse u hartua vetëm për një mandat qeverisje, sepse u miratua vetëm nga qeveria, e cila e ka ndryshuar përmbajtjen dhe objektivat strategjike, buxhetin dhe investimet sa herë i është dashur. Prandaj dokumenti strategjik duhet të hartohet së paku  për një periudhë 15-20 vjeçare, të miratohet nga Parlamenti dhe jo nga qeveria dhe në konsultim me komunitetet.

Është koha t’i jepet fund dominimit të paaftësisë në Institucione, mungesës të bashkëpunimit ndërinstitucional, pavarësisë dhe përgjegjësive të Institucioneve, veprimeve korruptive në përdorimin e investimeve, shifrave të fryra dhe të pa bazuara të treguesve qe burojnë nga një INSTAD-i i urdhëruar politikisht dhe jo profesionist, me shifrat e të cilit euforia e ngre vendin herë në vendin e parë në botë, herë në Evropë. Është koha të mos përsëritet autoritarizmi kryeministror në vendimmarrje i pabazuar në studime dhe në fjalën e ekspertëve. Të fillojë një reformim i thellë i Ministrisë së Bujqësisë, aktualisht pa rol dhe vizion në sektorin që mbulon dhe me strukturë të çoroditur e të deformuar si tërë administrata e shtetit ku mbizotëron militantizmi, nepotizmi dhe korrupsioni. Nëse në vazhdimësi në administratë, agjencitë dhe institucionet e sistemit rural do të përsëritet qoftë edhe pjesërisht ajo që ndodhi gjatë tetë viteve të fundit me mungesën e profesionalizmit, ky sektor do të mbetet atje ku ishte. Një ministri bujqësie sot pa pyje, pa ujëra, pa sektorin e peshkimit, të vendosura padrejtësisht në Ministrinë e Mjedisit qysh nga viti 2005 për të plotësuar orekset politike. Një ministri mjedisi me 36 drejtori të shërbimit pyjor, ndër të cilat disa administrojnë vetëm disa qindra ha me shkurre, megjithatë pyjet dhe lumenjtë pësuan shkatërrimin më masiv. Ministria e bujqësisë dhe ministria e mjedisit ruajnë në evidencat e tyre një inventar të burimeve natyrore ( toka, pyje, kullota, vëllimin drusor) gati të njëjtin me atë të vitit 1990, duke mbuluar dramën e ndodhur ne burimet tokësore, megjithëse resurset kanë pësuar ndryshime dhe ulje drastike. Ja pse inventarizimi i burimeve tokësore dhe klasifikimi sipas gjendjes është një nevojë urgjente e qeverisjes se re në të gjithë vendin.

       Për një kthesë rrënjësore  në sektorin e bujqësisë hapi i parë, transformimi i Ministrisë Bujqësisë në  Ministri të  Zhvillimit Rural dhe bujqësor, gjë që redukton shumëllojshmërinë ekzistues të programeve në një të vetëm, të gjitha problemet e zhvillimit të zonës rurale trajtohen si një proces i vetëm, integrimi i problemeve të fshatit në një strategji të vetme për të realizuar ndryshimet ekonomike e sociale, të cilat shpien gradualisht në  ndryshimin e shoqërisë nga një shoqëri tradicionale në një  shoqëri moderne me ndryshime thelbësore në zhvillimin e infrastrukturës, shërbimeve dhe cilësisë se jetës, stabilitetin ekonomik, politik dhe social, ruan të pa prekur barazinë e gjeneratave te ardhshme në përdorimin e resurseve.

Pas një situate dramatike ka çështje, të cilat janë emergjente dhe të tjera afatshkurtër, afat mesme dhe afat-gjatë. Një nga çështjet e shpejta të rëndësishme mbetet rehabilitimi i sistemit të kullimit dhe ujitjes qe shtrihet në 40 mijë km kanale, nga e cila është në gjendje funksionale rreth 20 % e sistemit, vënia në gatishmëri e hidrovorëve të kullimit për 80 mijë ha tokë, rehabilitimi i sistemit të ujitjes në sipërfaqen e projektuar prej 64 % të sipërfaqes, nga e cila furnizohet me ujë rreth 15 % e saj, rehabilitimi i argjinaturave për mbrojtjen nga përmbytja të tokave të rrezikuara në 15-20 % të sipërfaqes së tokave bujqësore. Rritja e investimeve në fushën e kullimit dhe të ujitjes është pikë e fortë, pasi  për vitin 2012, në krahasim me vitin 2005  investimet në këtë fushë u ulën në masën 50 % dhe financimi i projekteve nga donatorët u ul 60 %. Ristrukturimi i institucioneve përgjegjëse, kontrolli mbi farërat, plehrat, fidanët dhe imputet e tjera bujqësore, politika të uljes çmimeve dhe TVSH-së për disa impute, politikat favorizuese, përfshijnë masat, të cilat vendosin qysh tani fatin e prodhimit bujqësor për vitin 2014.

Si një objektiva afatmesëm dhe afatgjatë të zhvillimit faza më e rëndësishme mbetet përfundimi i reformës se tokës, regjistrimi i pronës, ngritja e sistemit të administrimit të tokës, zgjidhja e konflikteve të pronësisë, ngritja e sistemit të administrimit sipas Udhëzuesit të Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara (1993), tregu i tokës, konsolidimi i fermave, mbrojtja e burimeve tokësore, konsolidimi i tokës, kooperimi, rajonizimi i prodhimit bujqësor,  rritja e sipërfaqes pemëtarisë, zhvillimi i shpejtë dhe rajonizimi blegtorisë. Rishikimi i nismave të shpallura si “çelësi suksesit të zhvillimit të bujqësisë”, si “Shqipëria një Euro”, nisma për mbjelljen e 20 milionë rrënjë ullinj, entuziazmi  për zhvillimin e ekonomisë kombëtare me lajthi dhe gështenja si nisma propagandistike qe mbetën rrugës dhe konsuamuan fonde pa efektivitet duhen rishikuar.  Ato gjithashtu nxorën në dukje se pas shkatërrimit të Institucioneve kërkimore-shkencore fjala e shkencës dhe studimet u zëvendësua me  autoritarizmin qeveritar dhe injorancën Institucionale. Dhe kjo platformë kërkon të shqyrtohet. Programi i hartuar për zhvillimin rural e bujqësor është një dokument nga duhet filluar, të gjitha kushtet krijojnë mundësinë qe brenda një periudhe 2-vjeçare të konsolidohet struktura organizative rurale, struktura e prodhimit, konsolidimi i fermës bujqësore, shumëfishimi i prodhimit, përmirësimi rrënjësor i sistemit të kullimit dhe ujitjes, konsolidimi i marketingut zbatimi i politikave favorizuese dhe futja në sistemin e zhvillimit qëndrueshëm. Në qendër të zhvillimit duhet të vendosen ekipet e afta që deri me sot kanë munguar dhe që mund të zhvillojnë gjithçka.. “Njerëzit janë ata që i bëjnë shkretëtirat të lulëzojnë dhe liqenet të vdesin”