Tërmetet artificiale, që shkatërrojnë shtëpitë dhe mjedisin

997
Sigal

Kompania kanadeze “Bankers Petroleum” vazhdon shpërthimet nëntokësore, duke shkaktuar dëme të mëdha

Dje dy tronditje të mëdha janë ndjerë në Rroskovec-Kurjan, aq sa intensiteti i tyre i ka ngjarë tërmeteve të një shkalle të madhe Rihter.  Sikurse shkruan edhe deputeti Erjon Braçce: “Nuk janë tërmete natyrale, por janë shpërthime të nëndheshme të kompanisë kanadeze “Bankers Petroleum” më e madhja në vend, që shfrytëzon burimet kombëtare të naftës në atë zonë”. Këto shpërthime të nëndheshme, bëhen nga kompania që merret me shfrytëzimin e naftës në atë zonë. Bëhen në kohë të caktuar, në orë të caktuar dhe nga sasia e lëndëve shpërthyese, nga fuqia e tyre, por edhe nga thellësia ku bëhen, varet shumë edhe lëkundshmëria e nëntokës. Këto shpërthime të nëndheshme janë periodike. Edhe herë të tjera, këto tërmete, të lokalizuara në zonat naftëmbajtëse të Rrethit të Fierit, kanë tronditur të gjithë dhe madje, nga shkalla e madhe e tronditjes, janë shkaktuar edhe dëme të mëdha në banesat e fshatarëve në zonat ku bëhen këto shpërthime të nëndheshme.

Banorët ankohen, askush nuk i dëgjon

Këto shpërthime të fuqishme të nëntokës, në zonat naftëmbajtëse të rrethit të Fierit, kanë shkaktuar dëme ta pallogaritshme në banesat e fshatarëve, të cilët vazhdimisht kanë protestuar fuqishëm. Mirëpo askush nuk ka përfillur zërin e fshatarëve, askush nuk ka dashur që të shikojë dëmet materiale. Kompania kanadeze “Bankers Petroleum” i ka mohuar se këto shpërthime të fuqishme të nëndheshme janë pasojë e shpërthimeve që ajo bën për të shfrytëzuar naftën e nëntokës. Nga ana tjetër, asnjë institucion tjetër në Shqipëri, as stacioni sizmologjik, nuk mund të dëshmojë që shpërthimet e nëndheshme janë tërmete natyrore. Protestave të banorëve në zonat naftëmbajtëse të Rrethit të Fierit, sikurse në Zharrës, në Kurjan, etj,  ku këto shpërthime të nëndheshme kanë shkaktuar dëme të mëdha në banesa, u janë solidarizuar edhe deputetët e zonës, sikurse Armando Subashi, mirëpo asnjëherë kjo temë nuk është bërë objekt diskutimi në Kuvend.

Shpërthimet e nëndheshme, veprim kriminal ndaj nëntokës

Sikurse na thotë një specialist i naftës, i cili nuk do të identifikohet, këto shpërthime të fuqishme të nëntokës, për të shfrytëzuar burimet e naftës, janë veprime kriminale, sepse prishin tërësisht edhe strukturën e nëntokës, prishin edhe gjithë burimet ujore nëntokësore, duke i përzier me naftë dhe duke sjellë ndotjen e ujërave. Por, mbi të gjitha, këto shpërthime të fuqishme të nëntokës, që nga intensiteti, janë të barabarta me fuqinë e një tërmeti shumëballësh, të një shkalle të lartë Rihter, bëjnë edhe një shfrytëzim barbar të vetë pasurisë së naftës, duke minimizuar edhe pasuritë e saj. Në Shqipëri nuk ekziston kuadri ligjor që të lejojë shpërthimet e nëndheshme, për të shfrytëzuar nxjerrjen e naftës. Pra, këto shpërthime nëndheshme janë të paligjshme, për më tepër, që nuk ekziston nga askush një studim i mirëfilltë që të vlerësojnë  ndikimet dhe pasojat që ato sjellin në mjedisin nëntokësor. Por, vazhdueshmëria e këtyre tërmeteve artificiale, që bën kompania kanadeze “Bankers Petroleum”, tregon edhe papërgjegjshmërinë ligjore të Ministrisë së Mjedisit, e cila jo vetëm nuk ka kontrolluar gjendjen, por nuk ka dashur që të bëjë asnjë vlerësim të ndikimeve dhe pasojave, duke u lënë shkaktarëve gjithë hapësirën e lirë të veprojnë, sipas dëshirës së tyre, edhe pse në dëm të mjedisit dhe duke shkatërruar edhe shtëpitë e banorëve në zonat përreth.

 Deputeti Braçe: “Korrupsioni ka blerë heshtjen e shtetit”

Deputeti i PS-së, Erjon  Braçe, duke iu referuar dy shpërthimeve të fuqishme që ndodhën dje në mëngjes në Rroskovec-Kurjan të Fierit, thekson, midis të tjerave, se kjo marrëdhënie korrupsioni e kompanisë kanadeze “Bankers Petroleum” ka blerë edhe heshtjen e shtetit. “ Ka rënë tërmet në këtë vend sot? Ka ndjerë kush aty ku jeton apo pushon tërmet? S’ka asnjë të dhënë të ketë rënë tërmet! Fare! Por në hapësirën Rroskovec-Kurjan: Dy tronditje kanë qenë shumë të forta në mëngjes! Nuk janë tërmete natyrale, janë shpërthimet e kompanisë së naftës  më e madhja në vend që  shfrytëzon burimet kombëtare në atë zonë! Pavarësisht se ka xhiron më të madhe në vend; Pavarësisht se arkëton para më shumë se kushdo kompani tjetër që operon në këtë vend; Pavarësisht se deklaron shumë marramendëse të shpenzuara për teknologjinë; Teknologjia e shpërthimit të puseve; po shkatërron strukturën e nëntokës e çdo pusi; po shkatërron jetën e çdo banori në atë zonë! Është një marrëdhënie e tërë korrupsioni që lejon këtë tmerr që nuk mbaron deri në shfrytëzimin fundor të çdo pusi: Në ministri e kanë blerë heshtjen e shtetit. Në AKBN e kanë blerë heshtjen e shtetit. Në Komunë e Bashki e kanë blerë heshtjen e shtetit vendor! Ky tmerr duhet të marre fund! Si barbari ndaj vendburimeve tona; Si shfrytëzim barbar ndaj pasurive tona; Si tmerr e torturë ndaj çdo banori të zonës. Nuk mund të jetë industria e tillë! Nuk është kurrkund e tillë!”

Flet për “Telegraf”

Prof. Dr. Dëfrim Shkupi, President i Shoqatës të Gjeologëve Inxhinierë e Gjeomjedisit

“Shpërthimet nëntokësore për shfrytëzimin e naftës, janë të kundraligjshme”

Në Shqipëri nuk ekziston ligj që të miratojë këtë proces, domethënë shpërthimet nëntokësore për shfrytëzimin e naftës. Pra, e thënë ndryshe, ky proces, i cili quhet FRACKING  JOBS që kryen kompania kanadeze “Bankers Petroleum”, është i kundraligjshëm. Ka vende në botë që e kanë të ndaluar me ligj këtë proces, të shpërthimit të nëndheshëm për shfrytëzimin e naftës, sikurse janë Franca, Rumania, Bullgaria. Por ka edhe shtete si SHBA-ja dhe Polonia që e lejojnë. Madje në këto ditë një grup ligjbërës në shtetin e Kalifornisë i kanë bërë një kërkesë FBI-së që të investigojë këtë proces në Oqeanin Paqësor, ku bëhen këto shpërthime të nëndheshme, për të patur nën kontroll vlerësimi ndikimin që kanë në mjedis, dëmet që sjell kjo teknologji. Ndërsa në Shqipëri, ku nuk ka shtet, nuk ka ligje dhe këto kompani të huaja, sillen me barbarizëm në shfrytëzimin e nëntokës. Përgjegjësi të madhe ka edhe ministria e Mjedisit, e cila nuk ka bërë asnjë vlerësim të ndikimeve që kanë këto shpërthime të nëndheshme, qoftë ne strukturën e tokës, për të parë se sa ndikim ka në horizontet ujëmbajtëse të nëntokës, ku bëhen këto shpërthime, a ka ndikim në prishjen e këtyre horizonteve ujëmbajtëse, duke prishur përgjithmonë edhe rezervat për ujin e pijshëm.

Nga ana tjetër, shteti u jep gjithë hapësirën e veprimit të lirë këtyre kompanive, që në zonat e veprimit të tyre nuk lejojnë asnjë lloj kontrolli.

Ministria e Mjedisit e ka detyrim ligjor që të vlerësojë të gjitha dëmet e gjitha banesave të fshatarëve në zonat  ku ndodhin  këto shpërthime të nëndheshme, që bëhen për shkak të zbatimit të teknologjisë FRACKING  JOBS për shfrytëzimin e naftës. Nëse dëmet janë të mëdha, nëse nga studimet del që këto shpërthime të nëndheshme prishin edhe horizontet e ujëmbajtësve, sidomos të ujit të pijshëm, atëherë Ministra e Mjedisit duhet të marrë masa të atilla ligjore, sa ta ndalojë këtë proces teknologjik. Kjo duhet të jetë një nga prioritetet e ministrit të ri të Mjedisit, zotit Koka.