Prof. Dr. Ago Nezha: Gjuha Shqipe në krizë identiteti te emigrantët

224

Jam shqiptar, por nuk di shqip

Sigal

Gjuha, emrat, traditat, zakonet, kënga dhe kultura janë ato elemente harmonik, që shprehin identitetin kombëtar. Një nga fitoret e kombit shqiptar me të drejtë është quajtur njësimi i gjuhës shqipe në Kongresin e Drejtshkrimit që u mbajt në Tiranë në vitin 1972 me pjesëmarrjen e gjuhëtarëve më të zëshëm: nga Shqipëria Kosova, Arbëreshët dhe diaspora. Kjo ishte një arritje historike për kombin tonë. Në nderim të kësaj dite Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizoi një takim përkujtimor me pjesëmarrjen e dy kryetarëve të Akademive të Shqipërisë profesor Skënder Gjinushi dhe të Kosovës Mehmet Kraja, Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, zv Kryeministrit të Maqedonisë Artan Grubi të cilët në fjalën e tyre përshëndetëse e vlerësuan epokale këtë ngjarje. Ndërsa Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Komuniteti i Arbëreshëve dërguan përshëndetje emocionale  për këtë përvjetor të shënjtë, në pamundësi për të marrë pjesë për arsye madhore. Të gjithë ligjëruesit në fjalën e tyre nënvizuan se njësimi dhe ruajtja e gjuhës shqipe, e ka bërë kombin tonë më solid dhe më ekzistencial përballë erozionit të kohës së globalizmit, që po përjetojmë. Emigrimi masiv i të rinjve shqiptarë ka shkaktuar një plagë të rëndë jo vetëm social -ekonomik për vendin tonë, por edhe identitare, pasi atje ku kanë emigruar pjesërisht vërehet fenomeni i ndryshimit të emrave dhe asimilimit të gjuhës shqipe nga gjuha e vendeve rezidente. Këtë fakt e dëshmon më së miri shembulli i dy këngëtareve si Rita Ora, me famë botërore dhe Eleni Foureira, që përfaqësoi Qipron në Eurovizion. Ky shembull është flagrant, jo për faj të dy këngëtarëve, të cilat kanë ikur njëra nga Prishtina dhe tjetra nga Vlora, minorene, por për papërgjegjshmërinë e prindërve, që megjithëse intelektual kanë neglizhuar t’u mësojnë fëmijëve gjuhën e prindërve. Këtë rast po e sjellim  për ilustrim, por ka shumë raste të tjera familje të emigruara gjatë viteve të demokracisë që kanë humbur gjuhën  shqipe. Një shembull të tillë e kam përjetuar vetë gjatë verës në plazhin e Orikumit, kur një nënë që pushonte pranë nesh u fliste fëmijêve 14 dhe 10 vjeç italisht, një burrë me fëmijë në dorë martuar me angleze i fliste fëmijës anglisht, një tjetër aty pranë i fliste greqisht dhe ne që flisnim shqip kaluam në minoritet. Të gjithë këta prindër ishin me origjinë nga fshatrat e Vlorës. Bashkëshortja ime nuk ju durua dhe një prej ditëve ju drejtua gruas “komshi” me çadër: -pse u flisni fëmijêve italisht?!…. Ajo u përgjigj se nuk dinë shqip. Gjatë debatit ajo justifikohej se punonin me turne dhe pse kishin vetëm 15 vjet të larguar nga Shqipëria. Bashkëshortja e irituar nga përgjigjja sa injorante aq dhe snobe, i tha: – shkoni t’ua mësojnë arbëreshët gjuhën shqipe”. Po me këto shembuj që s’janë të shkëputur e as sporadik duhet të mendojmë se ku po shkojmë dhe çfarë duhet të bëjë jo spontanisht akademia, shteti dhe shoqëria civile. Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria” Nderi i Kombit” ka bërë një takim në Prishtinë para dy vjetësh për gjuhën dhe për emrat shqip, që Kosova është model krahasuar me Shqipërinë. Akademiku kosovar profesor Rexhep Qosja, e vlerësoi lart këtë veprimtari nga cilësia e organizimit dhe mesazhi që përcjell dhe në fjalën e tij përshëndetëse rekomandoi që të organizohet një simpozium në Shqipëri në një nga universitetet e krahinës së Labërisë. Ky mesazh është menduar të realizohet me gjuhëtarë nga gjithë trevat shqipfolëse në Universitetin “Ismail Qemali”, në Vlorë. Por interesimi duhet të bëhet mbarë shoqëror.

“Emigrimi masiv i të rinjve shqiptarë ka shkaktuar një plagë të rëndë jo vetëm social -ekonomik për vendin tonë, por edhe identitare, pasi atje ku kanë emigruar pjesërisht vërehet fenomeni i ndryshimit të emrave dhe asimilimit të gjuhës shqipe nga gjuha e vendeve rezidente.”

Shqiptar kudo që je fol shqip

Gjuha shqipe është një gjuhë e lashtë, madje ndër më të lashtat e botës, me një leksik shumë të pasur dhe të larmishëm, që të jep mundësi me diapazonin e saj, që të lëvrosh të gjitha gjinitë e shkrimit. Ky është një privilegj, që manifestohet dukshëm te dhuntia e shqiptarëve, që janë njohës të shumë gjuhëve të huaja dhe kjo vjen nga alfabeti ynë i pasur me 36 shkronja. Po t’i referohemi pemës të gjuhëve indo-europiane e ndërtuar në vitin 1974 nga Instituti i Gjuhëve në Suedi, e botuar më 1975 tek libri botëror: Webester’s New Twentieth Century Dictionary, Unabridged Second Edition, de Luxe Color, William Collins and World Publishing Co.Inc. 1975, shohim qartë se në rrënjët e pemës është vendosur gjuha Shqipe. Siç shihet nga ky publikim, ndër gjuhët më e vjetra është shqipja, që vijon me greqishten, armenishten, gjuhët iranike, indiane, sanskritishtja dhe shkon në majë të degëve me serbo-kroatishten, sllovakishten anglishten, flamishten, holandishten, etj. Një pemë të ngjashme botoi gjatë viteve 1985-1999 edhe historiani arbëresh, arvanitasi Aristidh Kola në Greqi. Në këtë sfond, ne vërejmë se gjuha shqipe është jo vetëm mëma e të gjithë gjuhëve, por ka edhe një fjalor tepër të larmishëm. Kjo na bën sa krenar aq dhe të përgjegjshëm, për të qenë jo vetëm të dashuruar pas saj, por dhe skrupuloz, për t’i qëndruar besnik të folurit. Shumë gjuhëtarë të shquar, duke filluar nga profesor Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Eqrem Çabej, Selman Riza, Shaban Demiraj, Mahir Domi, Rami Memushaj, Idriz Ajeti, Gjovalin Shkurtaj, e shumë të tjerë, kanë theksuar nevojën e ruajtjes së pastër të gjuhës shqipe nga ndikimet e huaja. Mirëpo vërejmë një fenomen galopant, që shumë njerëz të medieve e deformojnë gjuhën shqipe në emër të modernizmit, apo më mirë të themi të varfërisë së tyre kulturore. Snobizmi i tyre shkon deri aty, që në emisione televizive të përdorin fjalë të huaja, shpesh herë parazitare e të pakuptimta, për të treguar “erudicionin” e tyre kulturor. Jo vetëm njerëzit e medieve, por edhe zyrtarët që punojnë në institucione të larta shtetërore, kanë defiçenca të theksuara gjuhësore, që duan t’i mbulojnë me një fjalor të huaj, që është i mbushur me fjalë të panevojshme. Fjalët e huaja i derdhin si gruri në lëmë. Kjo dukuri, më shumë shfaqet në media televizive, por nuk shpëtojnë dot nga kjo epidemi e tranzicionit dhe media e shkruar, megjithëse është më pak e infektuar. Gazetarët televiziv, në shumicën e tyre pasi mbyllin emisionin e radhës, të entuziazmuar nga dëliri i madhështisë, ndahen me lexuesin me një piskamë “drithëruese okei”. Po të shohësh shumë botime, përkthime, letrare apo edhe shkencore kanë mangësi të theksuara leksikologjike e gramatikore. Në përmbajtjen e tyre gjen shumë gabime e mungesa gjuhësore. I madhi Çabej, tregojnë studentët e tij, po të gjente ndonjë rast që germës “Ë” i mungonin dy pikat, shqetësohesh më shumë se t’i sëmuresh fëmija dhe revoltohesh edhe me studentin më të mirë. Deformimi i gjuhës amtare duhet konsideruar si një krim kombëtar, siç bëjnë shumë popuj të kulturuar të botës. Francezët kanë nxjerrë ligj, që nuk lejojnë të shkruhet në asnjë institucion shoqëror, tregtar apo kulturor emra në gjuhë të huaj, mandej ndëshkohej po të shkruash edhe një emër të huaj qoftë edhe në një lokal periferik. Ndërsa tek ne, anë e mbanë Shqipërisë, ke të vendosur emra të huaj jo vetëm në lokale, supermarkete, por edhe në shkolla e universitete private, sikur të mos ketë emra të bukur shqip që trashëgojmë nga historia jonë shekullore. Jo vetëm kaq, por edhe emrat e fëmijëve të nipërve dhe mbesave tona në shumë raste janë të huaj, grek, italian, francez, anglezë e amerikanë, që na duhet përkthyes t’i shqiptojmë korrekt. E kam thënë edhe në një shkrim tjetër dhe më pëlqen ta përsërisë, që duhet t; marrim shembull nga shqiptarët e Kosovës, që janë një model për t’u ndjekur përsa u përket emrave shqip. Ky fenomen, është njëra anë e medaljes të sjellurit me respektin ndaj vetes, ndaj origjinës tënde, gjuhës dhe kulturës kombëtare. Rilindësit tanë të shquar si Naimi, Samiu, Kristoforidhi, e shumë të tjerë, jo vetëm që e shkruan, e pasuruan dhe e konsoliduan gjuhën shqipe, por e vendosën atë në altarin e kombit, si gjënë më të shenjtë e më të çmuar për brezat. Naim Frashëri në veprat e tij të pavdekshme, te poezia “Gjuha Jonë” shkruan se:

“Të shkruajmë gjuhën tonë, Kombin t’a ndritojmë, Gjithë ç’ësht’ e ç’ka qënë, Nga dalëzë t’a mësojmë. Pa shihni ç’gjuhë e mirë! Sa shije ka e hije’Ç’e bukur’ edh’ e dlirë,si gjuhë Perëndije! Shkëputëm këto vargje brilante të poetit tonë të madh të rilindjes Naim Frashërit, për të kuptuar se sa krenar duhet të jemi për këtë pasuri kulturore që trashëgojmë, por dhe sa të përgjegjshëm duhet të tregohemi në të gjitha segmentet dhe fushat e jetës, duke filluar nga shteti si tutor suprem i shoqërisë dhe institucionet e larta publike, si media, shkolla, familja dhe gjithë universi intelektual.

“I madhi Çabej, tregojnë studentët e tij, po të gjente ndonjë rast që germës “Ë” i mungonin dy pikat, shqetësohesh më shumë se t’i sëmuresh fëmija dhe revoltohesh edhe me studentin më të mirë. Deformimi i gjuhës amtare duhet konsideruar si një krim kombëtar”

Ta ruajmë gjuhën të pastër nga penetrimi i fjalëve të huaja

Gjuha jonë është pasuruar në vazhdimësi nga korifejtë e letrave shqipe, duke filluar nga Noli i madh dhe duke vazhduar me akademikun Rexhep Qosja dhe shkrimtarët e shquar, si Ismail Kadare, e Dritëro Agolli. Në rast se duhet të ruajmë identitetin kombëtar, të respektojmë gjuhën amtare dhe të mos lejojmë që ajo të ndotet nga një shtresë injorantësh, snobësh, apo shërbëtor të klaneve të huaja shoviniste, që kërkojnë të penetrojnë nëpërmjet deformimit të strukturës gjuhësore. Në horizontin gjuhësor janë shfaqur herë pas here disa pseudo gjuhëtar që duan të goditin Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Këta pseudo patriot, janë zëdhënësit e një klase politikanësh e gazetarësh, që financohen nga jashtë dhe janë vënë në shërbim të Serbisë dhe Greqisë, për të minuar kombin nëpërmjet gjuhës. Si revanshist “reformator”, kanë nxjerrë në fushë të lojës prioritetet e dialekteve. Dialektet Veri-Jug-Shqipëri e Mesme, janë një pasuri e çmuar, që duhet të ruhen dhe pasurohen si një trashëgimi e vyer kombëtare. Këto elemente gjuhësore, që duhet të shërbejnë për të forcuar unitetin e komuniteteve, e jo për përçarje të brendshme, e as të përdoren nga disa politikanë të shitur te fqinjët, që ju shërbejnë atyre me shpërblim, për të arritur shkatërrimin e Shqipërisë nëpërmjet ndarjes Jug-Veri. Ata, kanë dështuar duke përdorur pushtetin si levë goditëse, por nuk kanë perënduar në strategjinë e tyre dashakeqëse, prandaj intelektualët patriotë duhet të jenë efiçentë në mbrojtje të integritetit të vendit. Njësimi i gjuhës nuk është një fenomen shqiptar, por botëror. Dialekte kanë të gjithë popujt e zhvilluar. Ndryshime gjuhësore dhe dialektale ka dhe Italia e Veriut me të Jugut, por është marrë si pikë referimi gjuha e Dantes. Edhe landet e Gjermanisë kanë ndryshime gjuhësore ndaj është zgjedhur gjuha e Gëtes. Kështu kanë vepruar dhe shumë popuj të tjerë për të njësuar gjuhën. Fenomen, që është shfaqur dukshëm në vitet e pluralizmit, ka të bëjë me emigracionin tonë në vende të ndryshme të botës, që po humbet gjuhën. Të gjithëve ju ka ndodhur qëndrimi snob, që prindërit që vijnë nga jashtë të komunikojnë me fëmijët jo me gjuhën e nënës, por me gjuhën e vendit nga ku janë rezidentë. Por këto nuk janë raste të shkëputura se do të ishte një e keqe e vogël, por ka shumë shfaqje të tilla, që përbëjnë një shqetësim shoqëror, që duhet të kurohet me trysninë e komunitetit që i rrethon, në ato provinca ku ata punojnë e jetojnë. Shoqëria shqiptare, duhet të bëhet kritike ndaj këtyre fenomeneve dhe të marrë shembuj inspirues te komuniteti shqiptar siç është rasti i arbëreshëve të Italisë që kanë 700 vjet të larguar, apo te minoritarët e Greqisë në vendin tonë, që kanë mbi 300 vjet që kanë ardhur dhe nuk gjen ndonjë rast që të mos e flasin gjuhën e origjinës së vet, greqishten. Shembulli i shumë prindërve që janë të dy bashkëshortë shqiptar, dhe nuk ju kanë mësuar gjuhën shqipe fëmijëve është krejtësisht e patolerueshme, por duhet synuar që edhe në ato raste që janë të martuar me të huaj, përsëri gjuhën e nënës duhet ta njohin fëmijët. Kushdo që thotë se jam shqiptar por nuk di shqip, ai nuk është më shqiptar. Mesazhi do të ishte: Shqiptar kudo që të jesh, ji krenar dhe fol Shqip.