Anila Toto: Nëntori i Dytë! 

84
Sigal

Erdhi përsëri Nëntori i Dytë!

Jo i Gjergj Kastriotit, as Ismail Qemalit!

Nëntori i Dytë që nuk festohet dot në Sheshin e Flamurit.

Nëntori i Dytë që njerëzit nuk dinë ku të orientohen për të festuar! Nëntori i turmës. Nëntori i turmës së Pavarësisë!

Pikërisht si turmë ndihesh kur lëndohesh e hesht, si turmë ndihesh kur askush nuk pyet për ndërgjegjen kombëtare, si turmë ndihesh kur flet e nuk dëgjohesh, si turmë ndihesh kur injorohesh. Kur dhemb!

Sipas psikologjisë së Turmës ajo shkelet derisa interesi kthehet në ndjenja.

Gustav Le Bon shprehet se:

“Së bashku me karakterin duhet të kesh edhe idetë si një nga faktorët kryesorë të evolucionit të një qytetërimi. Ato veprojnë vetëm kur pas një evolucioni shumë të ngadalshëm janë shndërruar në ndjenja. Çdo qytetërim rrjedh nga një numër shumë i vogël i ideve kryesore të pranuara nga të gjithë.”

Dikur im atë ishte pionier dhe për arësye se kishte dalë me nota ta mira kishte ngritur Flamurin në datën 28 Nëntor. Me një krenari të madhe amtare!

Po kështu brezat me rradhë identifikonin ndjenjat e krenarisë kombëtare, arritjeve në fusha të ndryshme nëpërmjet simbolikave të ndryshme në lidhje me patriotizmin dhe dashurisë për vendin.

Por ne donim vendin, ishte shtëpia jonë.

Gjithçka ishte e lidhur me fitoren më të madhe shqiptare Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorën tonë. Me dinjitetin kombëtar, me lirinë e format e saj. Me ndjenja njerëzore më të thjeshta. Me ato që të bëjnë të duash gjithçka.

Sigurisht një valë e madhe sa një cunam shembi shpirtrat e vlonjatëve në çastin që ai shesh u shemb. Nuk u shemb vetëm sheshi, u shemb simbolika e Pavarësisë, simboli i krenarisë dhe patriotizmit. Miti! Por nuk është se nuk jemi qytetarë, njerëz të mirë e të emancipuar.

Për një kohë të gjatë qytetarët heshtën duke pranuar ndryshimin për të kuptuar a do t’ia vlente. Por koha ecte. Ecte…

Ecën ende. Do të ecë ndoshta edhe më tej. Në një çast vlonjatët reaguan dhe u tha se u kujtuan vonë tashmë.

Ishte vërtetë ndoshta tepër vonë.

Topat e shatërvanit bashkë me epokën e atë çka përfaqësojnë rrokullisen sa andej- këndej. Por katrahura më e madhe është gjendja ende e nderë e sheshit që nuk është më shesh. Nuk dihet çfarë është e çdo të jetë. Dihet vetëm ç’ishte!

Vlora tashmë është vetëm pika turistike e lakmuar për shumë bukuri natyrore e ekonomike e krijuar për t’u përdorur pa mëshirë, e ngritur dhe sajuar në shërbim të turizmit dhe aspak në funksion të qytetarëve. Kjo rrëmujë e brendshme është e bezdisshme për qytetarët. Edhe ata që nuk ankohen e kanë se janë mësuar të pranojnë ose kanë konflikte interesi. Shpresa se diçka e bukur mund të bëhet aty ka pikëpyetjet e saj ose do të ishte naivitet ta besoje.

Sheshi përveç identitetit e kuptimit ka humbur formën e idenë e kuptimin, ka humbur busullën e duket i hutuar.

Vlora duket e hutuar. Vlora…

Të jetosh në Vlorë është fat, të jesh vlonjat është thikë me dy presa.

Një kurajo e mbytur në qelizë, një dashuri e urrejtje ndaj formës së ekzistencës kur ti pret diçka ta çlirojë qytetin nga ngërçet e konfliktet egoiste ekonomike e politike, ngërçet shoqërore.

Nëntori erdhi përsëri!

Nëntori i Dytë pa Sheshin e Flamurit e me një imazh fluturak të patriotëve tanë.

Duket sikur edhe ata duan të nisen nga aty ku nuk i duan më.

Sivjet përsëri do t’i ngrejmë flamurët tanë në zemër. Se zemrat tona kanë idhujt e tyre që nuk i shemb dot askush!