Kosova ul pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, vendimi nxit reagime të shumta

132
Sigal

Qeveria e ka proceduar për miratim në Kuvend Projektligjin për Paga, por paraprakisht ua ka ulur pagat e gjyqtarëve e të prokurorëve.

Ekzekutivi preku në xhepin e punonjësve të sektorit të drejtësisë, duke shfuqizuar një vendim të marrë në mandatin e parë të Qeverisë Kurti.

Atëkohë e pati shfuqizuar vendimin e Qeverisë Haradinaj që rriste për 100 për qind pagat e të emëruarve politikë dhe që kishte efekt edhe te dyfishimi i pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vendimi për uljen e pagave të stafit politik nuk kishte efekt në sistemin e drejtësisë. Në Qeveri dhanë një arsyetim për këtë vendimmarrje.

“Besoj që rritja e pagave të asaj kohe jodetyrimisht ka pasur ndikim edhe në performancën e sistemit të drejtësisë”, ka theksuar zëvendësministëri i MPBAP-së, Bardhyl Dobra.

Këshillit Gjyqësor i Kosovës ka vendosur që puna në gjykata të reduktohet dhe të mos marrin pjesë në asnjë aktivitet ku ka përfaqësues të Qeverinë.

Vendimi i Qeverisë nxiti reagimin e gjashtë organizatave të shoqërisë civile.

“Vendimi i sotëm i Qeverisë, me arsyetimin e nxjerrjes së aktgjykimit për Ligjin nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, i cili aktgjykim është nxjerrë para dy (2) vjet e katër (4) muajve qartazi cenon pritjet legjitime të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo shkelje e pritjeve legjitime paraqet shkelje të së drejtës në pronë, mbrojtja e së cilës garantohet përmes nenit 46 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në reagimin e tyre.

Krahas Projektligjit për Pagat, Qeveria miratoi edhe atë për Zyrtarët Publikë. Për të dyja dokumentet dha kritika ish-koordinatori i Qeverisë për reformë në administratën publike, Besnik Tahiri.

“Qëllimi është shumë i thjeshtë, të deformohet sistemi në administratë, të bëhet kapja e shtetit me ligj dhe në të njëjtën kohë të stimulohen nepotizmi, klientelizmi politik dhe qe besa edhe korrupsioni”, ka thënë Tahiri.

Miratimi i Projektligjit për Paga dhe atij për Zyrtarët Publikë ka qenë një nga shumë kërkesat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, që organizoi grevë për një muaj në shumë sektorë.