Partizan MYFTARI/ Kasta e krimit dhe peshqit e vegjël

557
Sigal

“Atdheun tim e shikoj pa armiq, por nuk i mungojnë njerëzit e vegjël dhe të verbër!”

Pas shumë vitesh guxuam edhe ne?! Edhe për këtë shkruajnë libra dhjetoristë, byrosistë e shumë ish.

Populli guxoi e mposhti diktaturën për një sistem të ri, për një Moral të Ri. Sistemi i Ri erdhi me shalë të shqyera. Morali i Ri lindi i vdekur. Lindi i vdekur sepse mitra e mendimit të tyre nuk kishte aspak hapësirë për ëndrrën e një populli. Ka mbetur një shterpë e përjetshme. Kjo klasë politike kaq cinike, dhe e kurvëruar mes vetësh, shtjell e pështjell iluzione, por janë gjithmonë ata.

Kanë një strategji “bindëse” mbi sistemin e mendimit të krijuar mbi atë që kërkojnë që është aq absurde dhe po aq kontradiktore. Një ish ministër, Eduart Halimi, i shqetësuar për rrogat e gjyqtarëve ulërinte këto ditë që kësaj kaste, por edhe të tjerë personalitete të administratës publike jo vetëm që nuk duhet t’iu ulet rroga, por duhet t’iu ngrihet me qëllim që të jenë të pakorruptueshëm.

Të jenë të pakorruptueshëm?! T’u krijojmë një sistem të lartë rrogash që të jenë të pakorruptueshëm?! Po ‘Halimët e Shqipërisë’ që mendojnë kështu nuk kanë të mbaruar. Janë shumë.

Vet zgjidhja është korruptuese.

Praktikimi i këtij sistemi është thika e parë e hendekut midis këtij grupimi drejtues në nivelet e larta me pjesën e thjeshte të administratës publike e për mos llogaritur tek milionat që janë njerëzit e thjeshtë. Nga ana filozofike një ndërgjegje e pastër, e virgjër, e zgjedhur për të drejtuar e shmangur konfliktet mendohet se është pjesa, kujtesa, njeriu më human që ne mund t’i besojmë ëndrrat tona.

Kush i korrupton ata?! Nga kush ka frikë kjo shtresë (e zgjedhur për të mençur) se mund të blejë në mënyrë korruptive ata dhe vendin e punës që mbulon?! A jemi ne që i kemi votuar si më të mirët?!

Përse ata harrojnë aq shpejt?! A kemi menduar se janë më të mirët?! Më të ndershmit?! Më filozofët?! Ku janë sakrificat e tyre inteligjente përballë ne “injorantëve” që i duam dhe i votojmë gjithmonë edhe kur vrasin, edhe kur presin, edhe kur vjedhin, edhe kur organizojnë banda për terror?! E çfarë kërkojnë ata prej nesh?! Dhe kështu vazhdojnë….

Sepse ata vazhdimisht duan të kenë më shumë se ne, ata që hanë më shumë se ne, ata që vjedhin e vrasin më shumë se ne, ata. Ne mendojmë se drejtuesit përfaqësojnë ndërgjegjen e një kombi se janë më të mirët, më të pastërtit, më të ndershmit. Mendojmë!… Kështu duhet të jetë, por ndodh e kundërta.

Përfytyroni pasuritë që kanë vënë?! Edhe pse kanë rroga më të larta se të gjithë. Edhe pse marrin dieta ne udhëtime e për dreka e darka nuk do të mundnin t’i bënin ato vila luksoze, makina të shtrenjta, e ku di unë. Ku i gjetën gjithë këto para?! Duke vjedhur haptas, fshehur, me blloqe e pa blloqe. Duke nxitur krimin mes bandave për të fituar një i tretë. Dhe askush nuk i kontrollon sepse të gjithë janë pjesë e krimit, pjesë e kësaj kaste të pështirë që kërkon rroga të larta për të ruajtur të pastër mos korruptimin e tyre. Kanë marr peng vet Shtetin e Vërtetë që u duhet shqiptareve.

Peng me filozofinë e tyre të krimit të frikshëm mbi pasurinë e vetëm me vjedhje. Edhe vet ndërtuesit e ndershëm, tregtarët, afaristët specialistë të fushave të ndryshme ua kanë zilinë se si e kanë ngritur gjithë atë perandori pasurie me një rrogë. Qesharake! Kjo ka ndodhur e vazhdon dramatikisht të ndodh. Nga këta peshkaqenë të mëdhenj të kastës së krimit ka edhe shumë peshq të vegjël në dikastere e nën dikastere, drejtor e shefa që lumturohen edhe kur vjedhin pak. Këtu është rrënimi i parë i sjelljeve tona të shtira. Ne nuk duam ta pranojmë sepse kastës i mjafton kjo kurorë krimi sa të ndjehet e qetë në llumin e saj. Jashtë kësaj porte pjesa tjetër e popullit. Të gjithë ata që nuk kanë mundur të hyjnë në zinxhirin e kastës bluajnë dhimbjen e tyre dhe më kot presin të lind ndërgjegjja.

Kush do ta lind?! Pse vallë ky mallkim kaq i gjatë në eshtrat, në shpirtrat, në mishin dhe gjakun tonë?! Përse jemi të dënuar?! Mallkimin e kujt kemi marr ne pas vetes që nuk arrijmë kuptojmë vetveten, njeri-tjetrin dhe të shkojmë përpara?! Jemi të gjithë fajtor?! Jemi të gjithë bashkëfajtor?!

Ku janë intelektualët?! Ku janë gazetarët, analistët, opinionistët?! Pse heshtin artistët?! Ku fshihen mësuesit?! Ku vallëzojnë studentët?! Kaq vite….

Fshatari ka njëzet e tre vjet që punon tokën, por ajo nuk po e ushqen… Shoferi ka një jetë të tërë që nget makinën, por jeton mes hekurave si i zbathur.

Studenti mëson, edhe shkëlqyeshëm, por nuk merr atë që meriton. Mësuesi i zbardhi mushkëritë me shkumës, por nuk zbardh dot buzëqeshjen përballë fëmijëve të tij sepse rroga nuk i del.

Mjeku rrënohet gjer në turp e nuk e nxjerr aparatin e vizitës, nuk të ndjen rrahjen e zemrës po nuk iu dhanë lek. Infermieri nuk ta bën gjilpërën po nuk ndjeu, pakëz, fare pakëz xhepin të ngrohtë.

E sa e sa njerëz detyrohen të poshtërohen, të përshkelen për bukën e fëmijëve të tyre sepse krimi, vjedhja, ryshfeti, korrupsioni ne Shqipëri është bërë model i kohës. Merrni lapsat e bëni njëherë llogaritë e deputetëve, ministrave, kryetarëve të bashkive, të komunave?! Janë me vila luksoze, me makina të shtrenjta. Me se i bënë?! Ku i gjetën paratë?! Ku?! Më thoni?!! Ku?! I kanë bërë vetëm me rrogat?! Edhe sikur kjo të jetë e vërtetë përsëri është një turp për ta. Edhe sikur të jetë e vërtetë ata na japin mundësinë që ne të themi: Kjo është KASTA E KRIMIT!

Pse?! Thjesht fare. Një Komb udhëhiqet nga inteligjenca e saj. Nga ajo shtrese e mençur që di të llogarisë prespektivë. Që të ardhmen e shikon me një sy të largët dhe një komb e zhvillon në mënyrë të drejtë. As të barabartë e as të drejtë. Kanë krijuar hendekun kriminal midis shtresave të ndryshme të popullsisë. Ata të pasur dhe me luks, ne të varfër dhe pa shpresa. Detyrojnë fshatarin të mallkoj tokën se nuk po e ngop me bukë. Detyrojnë punëtorin të mallkojë duart se edhe me kallot nuk po ushqehet dot. Detyrojnë mësuesin të mallkojë vetveten për profesionin e zgjedhur sepse mbeti një shkumsaxhi pa mend. Detyrojnë vajzat e ndershme të mallkojnë vetveten përse nuk janë të gjitha të bukura për sekretare shefash. Detyrojnë policin e ndershëm të mbaj kapelën me dhembë sepse ata pa kapele ia heqin kur të duan. Detyrojnë nëpunësin të shtiret para fëmijëve se nuk ka më mirë se shefi i tij.Detyrojnë simpatizant partish të pranojnë me zor se vetëm kjo bandë është shpëtimi i Shqipërisë.

Nga ana tjetër ata pasurohen, kërkojnë rroga të larta të mos korruptohen prej sistemit liberal. Por ata na kanë vjedhur tmerrësisht vet sistemin liberal: Lirinë Tonë! Dhe nuk ngopen… Janë gjithmonë të uritur! Evropa në krizë sot është edhe për këtë shkak. Përfitimet e klasës politike nga arroganca dhe infiltracionet e saj me sistemet bankare kanë krijuar një perspektivë të errët për humanizmin.

Me lirinë tonë le të bëhemi më të mirë. Mos i lini të tjerët të jenë këta që janë. Asnjëherë nuk është vonë.