Virtuozët rikthehen me një koncert të mrekullueshëm në Vlorën e tyre

725
Sigal

VLORË/Koncerti u mbajt nën kujdesin e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, zotit Shpëtim Gjika dhe Albania Eselencë

Nuk kishte se si të niste bukur Viti i Ri 2014 në qytetin e Vlorës, si një ogur i mirë dhe shpresëdhënës për qytetin bregdetar turistik. Një koncert i shkëlqyer u mbajt mbrëmjen e kaluar në teatrin “Petro Marko” nga dy virtuozët vlonjat Mialtin Zhezha dhe Egli Prifti si dhe pianistja e talentuar japoneze Naoko Zhezha.

Mialtin Zhezha, djali i piktorit Koço Zhezha i dalë nga shkolla vlonjate e muzikës, jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky virtuoz vlonjat është pedagog në Akademinë e Arteve të Nevv York-ut dhe ka dhënë koncerte në disa vende të botës, si Kanada, Japoni etj.. Ai është njohur dhe martuar me pianisten e talentuar me origjinë japoneze Naoko Zhezha dhe që të dy janë pjesë e Akademisë së Arteve të Nevv York-ut.
Ndërkohë, pianisti tjetër vlonjat virtuozi Egli Prifti që jeton dhe studion në Pragë të Çekisë, është djali i të njohurit Aleksandër Priftit. Egli ka dalë nga shkolla vlonjate e muzikës dhe është lektor në Akademinë e Arteve të Pragës, ndërkohë që, është bërë pjesë e filarmonisë së Pragës. Të mos harrojmë që në Pragë studiojnë edhe të tjerë virtuozë vlonjatë si, dirigjenti Mario Rapaj dhe pianistja e talentuar Paola Rapaj etj.. Egli ka dhënë koncerte në disa vende të Europës.
Koncerti i dhënë mbrëmjen e kaluar në teatrin “Petro Marko” të Vlorës u prit mjaftë mirë, ku nuk reshtën duartrokitjet e nxehta për të tre artistët. I pranishëm në këtë koncert ishte edhe kompozitori i famshëm Aleksandër Peçi, prania e të cilit ngjalli kërshërinë e publikut dhe u duartrokit gjatë. I Madhi Aleksandër Peçi është kompozitori i mbi 6000 pjesëve muzikore, një pjesë e të cilave studiohet dhe interpretohet sot në mjaft akademi të arteve të Europës. Të gjithë ne e njohim kompozitorin Aleksandër Peçi edhe përmes muzikës së filmave të mrekullueshëm shqiptarë.
Të pranishmit ndoqën me interes koncertin e virtuozëve vlonjat dhe të nuses japoneze të Vlorës, duke u falur atyre duartrokitje frenetike dhe buqeta me lule, çka bëri që nga dëshira për vendlindjen në fund të ekzekutoheshin pjesë të paparashikuara në program nga dyshja Zhezha-Prifti. Por si nisi karriera artistike e Mialtin Zhezhës dhe Egli Priftit. Dihet që qyteti bëmë-madh i Vlorës veç historisë dhe turizmit dallohet edhe për disa shkolla, të cilat janë kultivuar nëpër dekada dhe janë ngulitur fortë në ndërgjegjen e qytetarëve të saj. Vlora njihet për shkollën vlonjate të futbollit teknik, ku me dhjetëra yje bënë histori në futbollin kombëtar dhe atë ndërkombëtar. Përmendim këtu ajkën e futbollit vlonjat dhe atij shqiptar si Mexhid Haxhiu, Vasil Ruci, Sokol Kushta, Rapo Taho, Kreshnik Çipi, Spiro dhe Leonidha Çurri, Petro Ruci, Latif Gjondeda, Alfred Zijai, Agim Bubeqi, Roland Iliadhi, Edmond Liçaj etj., të cilët i dhanë emër shkollës vlonjate të futbollit, e cila nxori në vazhdimësi të tjerë emra të mëdhenj të futbollit kombëtar si Ervin Skela me shokë. Por në Vlorë ka edhe një shkollë muzike, (pa përmendur ato private) siç është ajo Naim Frashëri, ku nga bankat e saj kanë dalë emra të mëdhenj të muzikës, si këngëtarë, instrumentistë, balerinë, të cilët gjenden sot të shpërndarë anë e këndë botës dhe ku dominojnë orkestrat dhe skenat artistike kudo. Të mos harrojmë se pas këtyre virtuozëve kanë qenë ndër vite pedagogët e tyre të mrekullueshëm të shkollës “Naim Frashëri”, të cilët kanë vënë shpirtin e tyre artistik në përgatitjen e gjeneratave të artistëve të rinj. “Rikthim në Vlorën tonë” ishte logoja e koncertit të mbrëmjes së kaluar në sallën e teatrit “Petro Marko” të qytetit të Vlorës, ku instrumentet, violina e Mialtin Zhezhës, pianoja e Egli Priftit dhe e Naoko Zhezhës vallëzuan tinguj magjik në një mbrëmje të paharruar të këtij fillimviti. Koncertin e moderoi e talentuara Erjona Ismaili, ndërkohë që, i pranishëm ishte edhe Prefekti i Qarkut të Vlorës zoti Besnik Dervishi. Koncerti u mbajt nënë kujdesin e veçantë të Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, zotit Shpëtim Gjika dhe Albania Eselencë. Këtë mbrëmje edhe yjet kishin zbritur në tokë për të ndjekur nga afër kolegët e tyre.