Xheladin ÇELMETA/ Riza Lahi, shkrimtari i paharruar i aviacionit shqiptar

1056
Sigal

Pikërisht në momentin e trokitjes së gotave në natën e Vitit të Ri, vetëm pak ditë më parë, ndërroi jetë shkrimtari, poeti dhe publicisti i njohur shqiptar, Riza Lahi. Një paralele e çuditshme na vjen ndërmend, teksa përshkruajmë jetën e shkrimtarit të sapo ndarë nga jeta, me atë të një protagonisti tjetër analog të shumë e shumë viteve më parë: Pilotit dhe njëkohësisht shkrimtarit të famshëm Antuan de Sent Ekzyperi, në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Ai atëherë, do largohej nga jeta, teksa po kryente një mision luftarak fluturimi, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kurse shkrimtari Riza Lahi do ndahej nga jeta në natën e Vitit të Ri, (kur kishte disa vite i dalë në rezervë), më 31 dhjetor të 2013, pikërisht atëherë kur ai po trokiste gotat me familjarët e vet, dhe kur breshëri trokitjesh nga të katër anët e vendit, nga miq edhe shokë të tij, po e uronin atë vetë dhe familjen e tij, për një vit më të mbarë, e për një krijimtari më të bollshme. Se shkrimtari Riza Lahi nuk dinte pushim në publicistikë dhe krijimtari. Dihet që ai ishte një opinionist i njohur, në disa nga të përditshmet tona. Dashamirës, kolegë e miq, në këtë natë të 31 dhjetorit 2013, kur do na ikte Rizai ynë, do ta uronin atë në 63 vjetorin e lindjes… Shkrimtari Riza Lahi, në gjithë këtë jetë plot punë e pasion, do të botonte mbi 35 libra, si dhe do publikonte me mijëra artikuj. Do ta uronin Rizain shkrimtarë të dëgjuar, për përkthimin dhe shqipërimin e krijimtarisë së poetit famoz pers, Xhelaludin Rumiu, si dhe deri dhe të vetë mbretëreshës së Anglisë pak vite më parë, për një krijim në një moment të jetës së tij. Se Rizai ishte shkrimtar i të gjithë përmasave. Ai shkruante për aviatorët, por edhe fëmijët, për rininë dhe për ardhmërinë e këtij vendi. Pulsi i këtij vendi, rrihte në gulshet e dejeve të gjakut të Riza Lahit. Rizai kurrë nuk ndjeu pushim. Ai kuptoi dhe ndjente se pozicioni i një publicisti a shkrimtari në një vend, është përfshirja “pa limit” në debatin e përditshëm. Larg thashethemnajës, larg rutinës, brenda logjikës e komunikimit civil qytetar. Kush dëshiron, le të shohë “CV” krijuese të tij: Në të gjithë shkrimet e Rizait, nuk ka politikë, nuk ka “tjerrje llafesh boshe”, nuk ka “zhurmë për zhurmë”. Jo, jo, kurrë. Dhe arsyeja është më se e shpjegueshme: Sepse kjo, ishte gjëja “më e urrejtshme” për të… Kthehem përsëri tek radhët e para të këtij shkrimi: Seç ka një paralele të çuditshme mes jetës së shkrimtarit-pilot Riza Lahi dhe shkrimtarit-pilot Antuan de Sent Ekzyperi: Rizai është pjesë e jetës dhe altarit të nderit të Aviacionit shqiptar. Ai kishte miq nga të gjitha armët dhe formacionet e Ushtrisë Shqiptare. Ai kishte miq ushtarët, oficerët e zakonshëm, pilotët, teknikët e aviacionit, xhenierët, këmbësorët, ndërlidhësit, topografët, komandot, trupat speciale, etj, etj. Por mbi të gjitha, Rizai ishte shkrimtari i aviacionit shqiptar, ashtu siç ishte edhe një poet e përkthyes i shquar. Me një anglishte të admirueshme, Rizai kishte krijuar rrethin e tij të miqve e admiruesve të Shqipërisë kudo. Gjithashtu ai kishte miq të shumtë nga Kosova, Mali i Zi e Maqedonia. Kishte miq edhe në Itali, ShBA, e deri në Australi. Mbaj mend një herë, se si me atasheun ushtarak turk në Shqipëri, ai u angazhua për botimin e një interviste në disa të përditshme shqiptare, pasi shihte aty konkretizimin e disa bashkëpunimeve të suksesshme në fushën ushtarake. Rizai ishte shumë këmbëngulës, sepse shihte aty vlerat konkrete të një bashkëpunimi frytdhënës mes Shqipërisë dhe Turqisë, por dhe me disa vende të tjera. Rizai atëherë shkruante se, “është më rëndësi bashkëpunimi ushtarak me të gjitha vendet e NATO-s, sidomos për rritjen e nivelit të standardeve”. Shkrimtari Riza Lahi, vlerësoi shumë edhe momentin e futjes së Shqipërisë në NATO. Më herët, kur u botua libri i tij “Ylli që sheh mbi sheshin “Skënderbej”, pashë Rizain të ndjente peshën e përgjegjësisë për të gjithë jetëshkrimet e pilotëve të rënë në detyrë, që nga piloti i parë i rënë, deri tek ai i fundit (për atë kohë), dëshmori Idriz Hoxha. Kërkonte të bënte një koment sa më të plotë në Gazetën “Ushtria”, në nderim të pilotëve shqiptarë të rënë në detyrë. Dhe e bëri atë koment; më ndjenjë dhe frymëzim, me përkushtim dhe frymë përgjegjësie. Ishte një përshkrim brilant për jetën e kolegëve të tij aviatorë të rënë në detyrë. Në këto pak fjalë për shkrimtarin Riza Lahi, unë nuk kam aspak qëllim që të bëj jetëshkrimin e tij. Se nuk arrij dot ta realizoj atë, pa e studiuar me detaje jetën e një shkrimtari prodhimtar si ai, por edhe se nuk arrij dot akoma të besoj se ai ka ikur përgjithmonë nga ne. Se Rizai është në çdo bisedë, në çdo përshëndetje të këtij fillimviti, nga qindra e mijëra shokë e miq të tij. Se janë me dhjetëra e dhjetëra mesazhet në “Facebook”, nga Shqipëria e vendet fqinje, por edhe nga SHBA e Britania e Madhe, kudo ku ka shqiptarë që e kanë njohur këtë shkrimtar të njohur. Ata nuk arrijnë dot të besojnë, që në 31 dhjetorin e vitit 2013, ka ndërruar jetë shkrimtari e piloti Riza Lahi. Se ata e kishin Rizain, aty, në çdo trokitje gote, gjatë asaj nate të ndërrimit të viteve. Se nëse shkrimtari Antuan de Sent Ekzyperi humbi bashkë me avionin e tij një moment të caktuar të Luftës së Dytë Botërore, mes qindra të shtënave të armëve, Rizai iku befas, pa na lajmëruar aspak; iku pikërisht në një natë të Vitit të Ri, teksa mijëra shokë e miq të tij në Shqipëri e jashtë saj, po e uronin në vijimësi… E, pra, këta shkrimtarë, këta krijues, këta njerëz, nuk vdesin; përkundrazi; i shtohen yllësisë së qiellit. Një i tillë, pra, është edhe shkrimtari e piloti i aviacionit shqiptar, Riza Lahi.